Komuna merr 12 milionë euro kredi nga Austria

Ekonomia January 30, 2017 - 08:36

Me 12 milionë euro kredi, sipas të parit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, do të realizohet projekti i “Ndërtimit të kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”, ndërkohë opozita (PDK) vlerëson se komuna nuk mund të marrë kredi, përveç nëse në dy vitet e fundit ka marrë opinion të parezervë (pakualifikuar) nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, si pjesë e auditimeve vjetore ligjore të obliguara

Komuna e Mitrovicës do ta marrë një kredi prej 12 milionë euro nga Austria për ta realizuar projektin e “Ndërtimit të kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”.

Kredia realizohet në dy faza, nga 6 milionë euro, ajo është afatgjate dhe me zero interes, ndërsa do të fillojë të kthehet pas 5 vjetëve.

Propozimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për ta marrë kredinë e lejuar nga qeveria e Austrisë do të miratohet në mbledhjen e Kuvendit të Mitrovicës, të martën.

Opozita, në anën tjetër, e ka kundërshtuar këtë propozim, madje ka vlerësuar se kryetari i Mitrovicës e ka futur komunën në borxhe dhe po merr kredi për t’i arritur qëllimet e tij personale, ndërsa ka siguruar se komuna nuk mund të marrë kredi, pasi që në dy vitet e fundit ka marrë opinionin të kualifikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, si pjesë e auditimeve vjetore ligjore të obliguara. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se kredinë për Komunën e Mitrovicës e ka miratuar Qeveria e Austrisë, pasi që siç thotë Bahtiri, “na ka vlerësuar si komunë shumë serioze”.

“Qeveria austriake e ka vlerësuar lart punën e mirë të kryetarit të Mitrovicës gjatë qeverisjes së deritashme me Mitrovicën, andaj edhe ka lejuar 12 milionë kredi për komunën e Mitrovicës, e cila do të realizohet në dy faza. Në fazën e parë do t’i marrim 6 milionë euro, ndërsa kjo kredi është afatgjate dhe do të nisë të kthehet pas pesë vjetësh me zero interes”, ka thënë Bahtiri, duke shtuar se kësaj do të duhet t’i gëzohej edhe PDK-ja, ashtu siç po i gëzohen qytetarët e Mitrovicës. 

“Unë kam bërë të pamundurën që ta marrë miratimin e Qeverisë së Austrisë për këtë kredi për Mitrovicën, ndërsa këta të PDK-së më akuzojnë dhe nuk duan ta shohin suksesin”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke shtuar se ka marrë premtime nga kryeministri Isa Mustafa, se do t’i mbulojë shpenzimet që ka bërë Komuna e Mitrovicës për finalizimin e projektit të Zonës së Lirë Ekonomike, respektivisht për ndërtimin e infrastrukturës së saj për të krijuar kushte për 17 bizneset të cilave u janë ndarë parcela në këtë zonë. 

“Kam shpenzuar mjete sepse nga Qeveria kam marrë premtime se ato do të më mbulohen. Vetë kryeministri Mustafa, derisa ishin duke shkuar për në Bruksel, më ka thënë se do t’i mbulojë ato shpenzime”, sqaron Bahtiri.

Në anën tjetër, dega e PDK-së në Mitrovicë, nëpërmes të një komunikate, ka thënë se “është pro hyrjes së komunës në borxh publik, por me kushte që paraprakisht të bëhen ndryshimet teknike dhe të plotësohen kushtet specifike ligjore që rregullojnë këtë lami”.

“Duke marrë parasysh faktin se buxheti i komunës si tërësi dhe për investime kapitale në veçanti është i vogël dhe pamundëson realizimin e projekteve të mëdha kapitale, vlerësojmë se hyrja në kredi të përshtatshme sa u përket normave të ulëta të interesit dhe afatin e gjatë të kthimit të kredisë janë në interes të komunës. Hyrja në kredi për realizimin e projekteve kapitale, të cilat mundësojnë zhvillimin ekonomik të komunës në mënyrë specifike përfundimin e infrastrukturës në ZLE dhe ngritjen e parkut të agrobizneseve për zhvillimin e bujqësisë, do të ishin veprime të mira, të cilat do të kishin mbështetjen e GK të PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës. GK të PDK-së do ta mbështesë edhe hyrjen në kredi për realizimin e projekteve infrastrukturore, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, me kusht që komuna t’i plotësojë kushtet e parapara ligjore dhe teknike, të cilat rregullojnë çështjen e borxhit publik. Duke analizuar kushtet ligjore që e rregullojnë çështjen e marrjes së borxhit publik për investime kapitale, rregullat ligjore të përcaktimit të prioriteteve të larta investive dhe rregullat teknike për fushën e investimeve kapitale në kanalizime fekale dhe industriale, PDK-ja deklarohet pro hyrjes së komunës në borxh publik, por me kushte që paraprakisht të bëhen ndryshime teknike dhe të plotësohen kushtet specifike ligjore që rregullojnë këtë fushë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK-ja, duke u thirrur në Ligjin nr. 03/L-175 për Borxhet Publike, ka konstatuar se projektet e propozuara nuk janë të përfshira në BKK dhe nuk janë të planifikuara në KASH dhe se komuna nuk mund të marrë borxhe, përveç atëherë kur në dy vitet e fundit ka marrë opinion të parezervë (pa kualifikuar) nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, si pjesë e auditimeve vjetore ligjore të obliguara.

“Në vitin 2014 komuna ka marrë opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes, ndërsa në vitin 2015 komuna ka marrë opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, bazuar në të dhënat që posedojmë, në vitin 2016 ka pasur keqmenaxhim edhe më drastik të buxhetit nga komuna dhe janë krijuar borxhe pa mbulesë mbi 1.1 milion euro. Pra pritet që opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016 të jetë ende më i pafavorshëm për komunën”, thotë PDK-ja në Mitrovicë.

Sipas PDK-së, asnjë kusht ligjor nuk është plotësuar për të marrë kredi.  PDK-ja gjithashtu ka vlerësuar se projektet që janë propozuar të mbulohen me kredinë prej 12 milionë euro nuk paraqesin interes më të madh për qytetarët e Mitrovicës se ndërtimi i kolektorëve të ujërave të zeza përgjatë lumenjve Ibër, Sitnicë, Lushtë dhe Trepçë.

“Ndërtimi i kolektorëve të ujërave fekale dhe industriale përgjatë katër lumenjve të Mitrovicës është prioritet shumë më i lartë dhe ka ndikim shumë më të madh në mirëqenien e qytetarëve se projektet e propozuara. Kostoja e përgjithshme e këtyre kolektorëve, të cilat janë hartuar në kohen e qeverisjes së PDK-së është 10.101.088 euro, ndërsa kostoja e ndërtimi të kolektorëve të ujërave industriale përgjatë lumenjve Sitnicë dhe Trepçë është 1.550.246 euro”, vlerësojnë në PDK.

“Përndryshe, ndërtimi i impianteve të vogla për secilin rrjet të kanalizimit të propozuar në projektet për të cilat pretendohet të merret kredia, rrisin koston e ndërtimit dhe shpenzimet e mirëmbajtjes në të ardhmen, duke mos zgjidhur problemin e ujërave të zeza dhe industriale për të gjithë qytetin e Mitrovicës”, ka vlerësuar PDK-ja, nëpërmes të një komunikate dërguar medieve.