Investimi 50-milionësh, afër dështimit

Ekonomia January 19, 2017 - 08:53

Ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i kontratës, kompania amerikano-suedeze “Green 3Power” nuk ka filluar asnjë punë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike, për të cilën Komuna e Mitrovicës ka dhënë në shfrytëzimi për 99 vjet 10 hektarë tokë në Frashër. Në MMPH thonë se kompanisë i është dhënë pëlqimi mjedisor, shkruan sot, gazeta Zeri.

Projekti i ndërtimit të fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike nuk ka filluar të realizohet ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i kontratës. Në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se kompanisë “Green 3Power” i është dhënë një afat deri në fund të janarit që ta qartësojë situatën nëse do ta realizojë projektin ose do të tërhiqet. Por, ndonëse zyrtarë të Komunës kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e kësaj kompanie, këta nuk janë lajmëruar fare, së paku deri më tash.

Komuna ka ende shpresë

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, i tha “Zërit” të martën se kanë kontaktuar me përfaqësues të kompanisë, nga të cilët kanë kërkuar që të tregojnë nëse duan ta realizojnë projektin ose të tërhiqen.

“Kemi kontaktuar me përfaqësues të kësaj kompanie dhe kemi kërkuar nga ata që të qartësohen, a dëshirojnë ta realizojnë projektin për të cilin vetë kanë shprehur interesimin, apo duan të tërhiqen - nëse tërhiqen, atëherë ne do t’ua marrim tokën që ua kemi ndarë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike në Zonën Ekonomike”, ka thënë Mujka.

Ndërkaq Jeton Ujkani, zyrtar komunal, i ka thënë “Zërit” se vonesat në zbatimin e projektit nuk do të thonë se projekti i madh prej 100 milionë dollarësh ka dështuar.

Sipas tij, çështja ka mbetur tek Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, e cila nuk e ka pajisur kompaninë me dokumente të nevojshme, siç është licenca.

Por në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor i kanë thënë “Zërit”, të martën, se kompania është pajisur me pëlqim mjedisor dhe se ata nuk kanë aplikuar për licencë, pasi që nuk u duhet licenca për këtë lloj veprimtarie.

“Si Komunë kemi pasur informacione, madje kemi pranuar edhe një shkresë nga Neil Williams, drejtor i kompanisë, se ata kanë siguruar mjetet për fillimin e ndërtimit të fabrikës. Siç ka thënë Williams në shkresë, të paktën pjesa amerikane e kompanisë ka siguruar mjetet e nevojshme për të filluar me punën. Nga ana jonë i kemi përmbushur të gjitha procedurat e nevojshme, kemi dhënë pëlqimin, kemi ndarë tokën për ndërtimin e fabrikës, por më duket që ata kanë edhe disa punë pa i zgjidhur me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, i pati thënë gazetës Jeton Ujkani para gati një viti, kur kishin lindur dyshimet se kompania është tërhequr nga investimi dhe se projekti ka dështuar.  

MMPH: Kompania është pajisur me pëlqim mjedisor

Por në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) i kanë thënë “Zërit”, të martën, se kompania është pajisur me pëlqim mjedisor dhe se ata nuk kanë aplikuar për licencë, pasi që nuk u duhet licenca për këtë lloj veprimtarie. 

“Për licencë nuk kanë aplikuar sepse nuk është e nevojshme, pasi që kompania ‘Green 3Power’ është pajisur me një dokument që lejon realizimin e projektit e ky dokument i Ministrisë është pëlqimi mjedisor. Nëse do të kishte një punë të madhe sesa riciklimi i mbeturinave, atëherë kompania do të duhej të pajisej me pëlqimin mjedisor të integruar, por ata nuk kanë aplikuar për një dokument të tillë. Do të thotë se pëlqimi mjedisor që i është lëshuar kësaj kompanie është i mjaftueshëm për të filluar punën”, ka thënë Enver Tahiri, zyrtar në Departamentin për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës.

Zvarritjet e mëdha kanë ngjallur dyshime se projekti i kompanisë amerikano-suedeze “Green 3Power” për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike, për të cilën Komuna e Mitrovicës ia ka dhënë kompanisë “Green 3Power” 10 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet ka dështuar.

Ndonëse nuk e pranojnë drejtpërdrejt, edhe në Komunën e Mitrovicës kanë dyshime në realizimin e projektit, i cili ishte promovuar me pompozitet të madh në Mitrovicë, tashmë ka dështuar.

Siç ishte thënë atëherë, hairin kësaj kompanie do t’ia shihnin edhe kompania rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” dhe njësitë e saj në Skenderaj e Vushtrri, por edhe Komuna e Drenasit dhe komunat tjera, pasi që ishte planifikuar që mbeturinat të mblidhen nga të gjitha ato mjedise për fabrikën për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 kilovatëve energji elektrike “Green 3Power” në Mitrovicë.

Kontrata ishte nënshkruar më 15 nëntor 2014

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pati thënë në ditën kur ishte nënshkruar kontrata se kishte biseduar me ministritë përkatëse, por edhe me KEDS-in lidhur me investimet që do t’i bëjë kompania në Mitrovicë, në mënyrë që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të jenë të gatshme për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për ndërtimin e fabrikës dhe fillimin e punimeve.

Kontrata në mes të Komunës së Mitrovicës dhe kompanisë “Green Power” është nënshkruar më 15 nëntor 2014. Gjatë nënshkrimit të kontratës ishte thënë se kompania amerikano-suedeze “Green 3Power” do të investojë 43 milionë euro, por më vonë vlera e investimeve që premtonin përfaqësuesit e kompanisë kishte arritur në 100 milionë dollarë.

“Mitrovica do të ketë në 2016-n rrymë të mjaftueshme dhe s’do të ketë nevojë për import fare”, kishte siguruar atëherë i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, si një premtim që deri më tani nuk është mbajtur. Përfaqësuesit e kompanisë “Green 3Power” kishin siguruar se ndërtimi i fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë elektrike nuk sjell dëme anësore sa i përket mjedisit dhe se do të punësohen rreth 600 punëtorë, duke përfshirë edhe 220 punëtorë që aktualisht janë pjesë e kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti”, e cila menaxhon me mbeturinat e rajonit të Mitrovicës. Komuna e Mitrovicës kishte organizuar edhe një debat publik lidhur me raportin e ndikimit të fabrikës në mjedis.

Ndërkaq Tom Roberts, njëri prej përfaqësuesve të kompanisë, kishte precizuar se nga kjo fabrikë do të shiten rreth 400 mijë litra të diselit, që do të mjaftonin për funksionimin e plotë produktiv të kësaj fabrike dhe realizimin e synimeve. “Do të merren të gjitha masat për parandalimin e ndotjes së ambienti dhe ruajtjen e shëndetit  të qytetarëve”, pati thënë Roberts.

Por tani dy vjet pas nënshkrimit të kontratës fjalët e Tom Roberts, njërit prej përfaqësuesve të kompanisë, dhe të drejtorit Neil Williams kanë dalë të jenë një dështim i madh që kanë zhgënjyer edhe ekzekutivin e Komunës së Mitrovicës, edhe qytetarët e saj.