Presidencës i anulohet tenderi për medalje

Ekonomia January 17, 2017 - 08:15

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) ka anuluar tenderin e zyrës së presidentit për furnizim me medalje për shkak se Autoriteti Kontraktues (AK) ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

Në vendimin e OSHP-së thuhet se zyra e Prokurimit e presidencës tenderin në fjalë duhet ka kthejë në rivlerësim.

“Autoriteti Kontraktues në një afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim Panelin Shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të Prokurimit dhe palët tjera në procedurë”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Më tej në vendim thuhet se OE “Artius Group” si palë e pakënaqur, më 29 nëntor të vitit që lamë pas, ka deponuar ankesë në OSHP kundër njoftimit për dhënie të kontratës, duke pretenduar se Autoriteti Kontraktues ka bërë shkelje të Nenit 7, Nenit 5, Nenit 54 dhe Nenit 58 të LPP-së.

Në raportin e saj ekspertja e OSHP-së thotë se në letrën standarde të dërguar tenderuesit të eliminuar shkruan se “Artius Group” është i papërgjegjshëm sepse nuk e ka dorëzuar numrin e mjaftueshëm të kopjeve nga AK-ja. Pretendimi i operatorit Ekonomik ankues në ankesën e parashutuar në OSHP ka të bëjë me kopjen e ofertës, të cilat pretendon se i ka dorëzuar në momentin e ofertimit.

Po ashtu, ekspertja ka konstatuar se në momentin e hapjes së ofertave, nuk është shënuar ndonjë vërejte apo koment në procesverbal të hapjes publike.

“Paneli Shqyrtues pas analizimit dhe shqyrtimit te të gjitha fakteve, provave në këtë aktivitet të prokurimit konstatoi se Autoriteti Kontraktues, Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka respektuar Nenin 58, paragrafi 3, të LPP-së, pasi që në procesverbalin e hapjes së ofertave komisioni i hapjes nuk ka shënuar (specifikuar) ndonjë vërejtje lidhur me mungesën e kopjeve të ofertës së operatorit ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet të Prokurimit”, thuhet në fund të vendimit të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.