Prej uzurpimit në 'uzurpim'!

Ekonomia January 13, 2017 - 08:27

Rreth një hektar tokë e kompanisë “Emona City” në Vushtrri, të cilën e kishte blerë nga AKP-ja, por që asnjëherë nuk kishte arritur ta shfrytëzojë pasi mbahej e uzurpuar, gjersa atë nuk e kishte liruar AKP-ja në kuadër të aksionit të lirimit të të gjitha pronave të uzurpuara në Kosovë. Por, ajo sërish është “uzurpuar”, kësaj radhe nga Komuna e Vushtrrisë, e cila me Planin Zhvillimor Komunal e ka shpallur Zonë të Gjelbëruar. Plani u miratua pa opozitën

Rreth një hektar tokë e kompanisë “Emona City” në Vushtrri, të cilën e kishte blerë nga AKP-ja, por që asnjëherë nuk kishte arritur ta shfrytëzojë pasi mbahej e uzurpuar, derisa atë nuk e kishte liruar Agjencia Kosovare e Privatizimit me ndihmën e Policisë së Kosovës, kësaj radhe nga Komuna e Vushtrrisë, e cila me Planin Zhvillimor Komunal 2017 - 2024 e ka shpallur Zonë të Gjelbëruar. Plani u miratua pa opozitën, ndonëse kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka këmbëngulur që Plani të miratohet me konsensus të plotë. E fjalët e kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Vushtrrisë, të enjten, që Planit Zhvillimor Komunal 2017 – 2024 të miratohet me konsensus të plotë të të gjitha subjekteve politike në Kuvend, “sot apo edhe pas dy muajve” nuk i ka dëgjuar askush, pasi që kryesuesi i Kuvendit, Shpëtim Zhegrova, në fund të debatit të gjatë ka hedhur në votim, fillimisht rekomandimet, e pastaj edhe Planin Zhvillimor Komunal. “A ku është konsensusi juaj a?”, kanë shpërthyer përnjëherë këshilltarët e opozitës, të cilët kanë lëshuar mbledhjen, të zhgënjyer tej mase. Para tyre, mbledhjen e ka lëshuar edhe këshilltarja e pavarur Arta Ismajli, e cila tha se nuk dëshiron të merrte pjesë në një votim, qëllimi i të cilit është që dikush të përfitojë e dikush të humbë. “Nuk e kanë këta hallin fare te gjelbërimi, këta e kanë hallin që të mos e lejojnë atë pronarin e tokës që ta zhvillojë biznesin e tij në pronën e vet. Kjo kompani ‘Emona City’ kudo që të shkosh në Kosovë është prezent, është krenaria jonë. Juve do të ju gjykojë historia”, ka thënë ajo duke dalë nga salla.

 Opozita rekomandon të mbetet zonë ndërtimi

Këshilltarët opozitarë kanë kërkuar që me Planin e ri Komunal të Zhvillimit, Zona 8, në të cilën ndodhet prona e kompanisë “Emona City”, të mbetet zonë ndërtimi ashtu siç ka qenë me Planin Zhvillimor të vitit 2009. Madje edhe Qeveria e Kosovës, siç tha kryetari Bajram Mulaku, ka rekomanduar që të mbetet zonë ndërtimi, në bazë të debatit që i ka paraprirë hartimit të Planit Komunal Zhvillimor, por edhe të rekomandimit të Komitetit për Politikë e Financa. Mulaku tha se në atë zonë ndodhet edhe Stacioni i Autobusëve, me pronarët e të cilit AKP-ja ka kontest gjyqësor, por edhe ish-moteli “Vicianum”.

“Ne ia kemi dhënë Ministrisë së Drejtësisë dy parcela në atë pjesë, ndërsa tani MD-ja nuk po na e jep motelin ‘Vicianum’. Kemi bërë shumë kërkesa, por ata nuk janë pajtuar që t’ia japin Komunës atë. Në Zonën 8 ndodhet edhe një parcelë që nuk është shitur rreth 1 hektar, si dhe Stacioni i Autobusëve. Pronarët nuk kanë arritur ta zgjidhin kontestin as në sistemin e kaluar e as tani. AKP-ja na e ka ofruar Stacionin e Autobusëve me mbi 4 milionë euro borxhe. Bile janë përpjekur që këtë ta bëjnë në mënyrë perfide, por ne nuk jemi mashtruar. Një dua ta them, se Vushtrria aktualisht nuk ka Stacion të Autobusëve”, ka thënë Mulaku. Hysni Gërguri, në emër të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, ka pyetur nëse Komuna është për zhvillim ekonomik, për uljen e papunësisë dhe të varfërisë dhe në këtë kontest ka propozuar që Zona 8 të trajtohet si tokë ndërtimore, në të cilën pronari i saj do të ndërtojë një qendër tregtare dhe do të punësojë 200 vushtrrias. “Ne kemi dhënë tokë komunale pa pëlqimin e Kuvendit, edhe jo pak, ndërsa tani nuk po e lejojmë njeriun të ndërtojë në pronën e vet. Kjo është paradoksale”, ka thënë Gërguri. Ai i është lutur Mulakut që të mos lejojë miratimin e Planit vetëm pse i kanë numrat. “Mos lejoni një gjë të tillë, është mirë që edhe ti e edhe Kuvendit të jenë të shëndoshë në këtë çështje”, ka thënë ai.

Ndërkaq Muharrem Shabani, i pavarur, gjithashtu ka kërkuar që Zona 8 të jetë zonë për biznese. “KPF-ja ka rekomanduar që ajo zonë të jetë ndërtimore, tani po del ndryshe këtu. Zona 8 duhet të mbetet sikurse përpara, në vitin 2009, Zonë për Biznese”, ka këmbëngulur ai.

Zgjidhje përmes gjyqit

Njëjtë ka kërkuar edhe Rrahim Ajeti, nga AAK-ja, i cili tha se nuk bën që Kuvendi ta mohojë një investim prej 5 milionë eurosh e ku do të punësohen mbi 200 veta.

E kur është konsumuar debati, kryesuesi i Kuvendit të Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova, tha se do të hedhë në votim fillimisht rekomandimet e pastaj edhe Planin Zhvillimor Komunal. Kur këshilltarët opozitarë kërkuan që për rekomandimet të votohet një nga një, jo në pako, kryesuesi Zhegrova duke folur për ato për Zonën 8, tha, “se kjo punë mbetet derisa të zgjidhet kontesti lidhur me Stacionin e Autobusëve, e pastaj të diskutohet për çështjen e Zonës së 8-të”, fjalët e të cilit kanë irrituar këshilltarët opozitarë, të cilët menjëherë lëshuan mbledhjen. Për rekomandimet votuan 17 këshilltarë komunalë, ndërsa për Planin Zhvillimor Komunal votuan 15 këshilltarë komunalë, nga 19 sa tha Zhegrova se ndodhen në sallë, ndonëse ata kureshtarë që numëruan thanë se në sallë ndodheshin vetëm 16 këshilltarë komunalë, që do të thotë se nuk kishte kuorum për ta votuar Planin Zhvillimor Komunal. “Nuk janë 19, nuk janë 19”, kanë tërhequr vërejtjen ata, por Zhegrova u bë i shurdhër.

Pas mbledhjes gazeta ka kontaktuar përfaqësuesit e kompanisë “Emona City” për ta marrë një opinion të tyre lidhur me zhvillimet në Kuvend. Ylber Kuraja, drejtor i kompanisë “Emona City”, i tha “Zërit” se tani mbetet që zgjidhje të gjejnë përmes rrugëve gjyqësore. “Ka shumë dilema, thonë që nuk ka pasur as kuorum për të votuar Planin Zhvillimor Komunal, që na dëmton rëndë neve si kompani. Nuk na mbetet tjetër, pos që zgjidhje të kërkojmë përmes rrugëve gjyqësore”, ka thënë Kuraja.