2.7 miliardë euro depozita

Ekonomia January 13, 2017 - 08:25

Deri në fund të muajit qershor të vitit që lamë pas depozitat e qytetareve nëpër bankat komerciale në Kosovë kanë arritur në 2 miliardë e 690 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 4,6 për qind

Depozitat e qytetarëve të Kosovës nëpër bankat komerciale në vend deri në fund të muajit qershor të këtij viti kanë arritur në 2 miliardë e 690 milionë euro, duke shënuar

rritje vjetore prej 4,6 për qind. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se depozitat për të dytin vit me radhë shënuan ngadalësim të rritjes.

“Depozitat e ekonomive familjare, të cilat janë burim më i qëndrueshëm i financimit në raport me kanalet tjera të financimit, vazhdojnë ta dominojnë strukturën e depozitave të sektorit bankar duke përfaqësuar 74,4 për qind të gjithsej depozitave. Vlera e depozitave të ekonomive familjare, në qershor 2016, shënoi rritje vjetore prej 5,2 për qind. Kategoria e dytë më e rëndësishme e depozitave, gjegjësisht depozitat e ndërmarrjeve, kishte një

pjesëmarrje prej 20.8 për qind në gjithsej depozitat. Kjo kategori e depozitave pothuajse përgjysmoi ritmin e rritjes, duke shënuar rritje vjetore prej 3,7 për qind në qershor 2016”, thuhet në raportin e fundit të stabilitetit financiar të BQK-së. 

Depozitat e korporatave bien për 20,7%

Më tej, në raportin e BQK-së thuhet se në strukturën e depozitave të ndërmarrjeve vërehet një rritje e peshës së depozitave të korporatave jofinanciare, ndërmarrjet private. Në anën tjetër, depozitat e korporatave tjera financiare dhe veçanërisht korporatave tjera publike zvogëluan pjesëmarrjen e tyre në gjithsej depozitat e ndërmarrjeve. Sipas BQK-së depozitat e korporatave tjera publike shënuan rënie vjetore prej 20,7 për qind, ndërsa depozitat e korporatave tjera financiare shënuan rënie vjetore prej 10,4 për qind në qershor 2016. “Në pjesën e mbetur të gjithsej depozitave përfshihen depozitat e jorezidentëve me pjesëmarrje prej 3,5 për qind dhe depozitat tjera (Qeveria dhe organizatat tjera joqeveritare) me pjesëmarrje prej 1,4 për qind. Depozitat e rezidentëve në qershor 2016 arritën vlerën prej 93.2 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 0,5 për qind. Ndërsa, depozitat tjera u karakterizuan me rënie vjetore prej 2,1 për qind kryesisht si rezultat i rënies së depozitave të Qeverisë qendrore në bankat komerciale”, thuhet më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Rriten depozitat me afat të mesëm

Më tej, në raportin e BQK-së thuhet se struktura e depozitave sipas afatit të maturimit në dy vjetët e fundit u dominua nga depozitat e transferueshme, për dallim nga vitet

paraprake kur pjesa më e madhe e depozitave në sektorin bankar ishin të afatizuara.

Sipas BQK-së, ky ndryshim i strukturës erdhi pas rënies që shënuan normat e interesit në depozita, të cilat dekurajuan depozitarët që t’i afatizojnë depozitat e tyre.

“Depozitat e afatizuara vazhduan trendin e rënies edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, por krahasuar me vitin e kaluar kjo rënie ishte më e ngadalshme. Në qershor 2016, depozitat e afatizuara shënuan rënie vjetore prej 9,5 për qind. Depozitat e afatizuara të ekonomive familjare shënuan rënie vjetore prej 7,4 për qind, ndërsa depozitat e afatizuara të ndërmarrjeve shënuan rënie vjetore prej 13,6 për qind.  Trend të ngjashëm të rënies në kuadër të depozitave të afatizuara shënuan edhe depozitat e jorezidentëve dhe depozitat tjera (depozitat e Qeverisë dhe organizatave tjera joqeveritare) të cilat përfaqësojnë vetëm 1,7 për qind të gjithsej depozitave të afatizuara”, thuhet në raportin e BQK-së.

Më tej thuhet se përderisa vlera e përgjithshme e depozitave të afatizuara ka shënuar rënie, përbrenda strukturës së kësaj kategorie të depozitave vërehet rritje e depozitave të afatizuara me afat më të gjatë maturimi. “Në qershor 2016, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, është regjistruar rritje e depozitave me afat të mesëm dhe me afat të gjatë maturimi, kurse depozitat me afat të shkurtër maturimi kanë shënuar rënie”, thuhet në raportin e BQK-së.

 Norma interesit në depozita, 1%

Më tutje, në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se norma mesatare e interesit në depozita u rrit në 1,0 për qind në qershor 2016 krahasuar me 0,8 për qind sa ishte në qershor 2015. “Trendi rritës i normës së interesit në gjithsej depozitat kryesisht u diktua nga rritja e normës së interesit në depozitat e ndërmarrjeve. Norma e interesit në depozitat e ndërmarrjeve u karakterizua me rritje për të dytin vit me radhë, duke qëndruar në nivel më të lartë sesa norma e interesit në depozitat ndaj ekonomive familjare e cila u karakterizua me rënie. Norma mesatare e interesit në depozitat e ndërmarrjeve u rrit në 1,5 për qind në 1,0 për qind sa ishte në qershor 2015”, thuhet më tutje në raportin e stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas BQK-së rritja e normës së interesit, ndër tjera, mund të jetë reagim i bankave për të stimuluar rritjen e depozitave të ndërmarrjeve, të cilat këtë vit u karakterizuan me ngadalësimin më të theksuar të rritjes.

“Niveli i normës së interesit në depozitat e ndërmarrjeve u diktua nga norma e interesit në

depozitat e afatizuara, të cilat në qershor 2016 shënuan normën më të lartë të interesit prej 1,8 për qind në kategorinë e maturimit “mbi 1 deri 2 vjet”. Në depozitat e kursimeve, norma e interesit u zvogëlua në 0,04 për qind nga 0,07 për qind sa ishte në qershor 2015.

Norma e interesit në depozitat e ekonomive familjare në qershor 2016 u zvogëlua në 0,7 për qind nga 0,8 për qind sa ishte në qershor 2015. Zvogëlimi i normës mesatare të interesit në depozita reflekton zvogëlimin e normës së interesit në depozitat e afatizuara ngase depozitat tjera bartin interes shumtë të ulët”, thuhet në raport.

Sipas BQK-së, në kuadër të depozitave të afatizuara të ekonomive familjare, norma më e ulët e interesit prej 0,2 për qind u regjistrua në depozitat me afat maturimi “mbi 3 deri

në 6 muaj’, përderisa ajo më e larta prej 1,8 për qind u regjistrua në depozitat me afat maturimi “mbi 2 vjet”. “Zvogëlimi më i theksuar vjetor prej 0,3 pikë përqindje u shënua tek norma e interesit për depozitat me afat maturimi “mbi 1 deri në 3 muaj'. Norma e interesit për këtë kategori të depozitave, që njëherësh paraqet kategorinë që pësuan rënien më të theksuar vjetore në kuadër të gjithsej depozitave, në qershor 2016, zbriti në 0,4

për qind”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës.