Autobusët e rinj dalin në qarkullim

Ekonomia January 11, 2017 - 08:19

Pritjes për autobusët e rinj i ka ardhur fundi, kjo pasi Komuna e Prishtinës do ta bëjë të mërkurën (sot) inaugurimin e këtyre autobusëve.

Pjesa e parë prej 15 autobusëve do të dalë në qarkullim të mërkurën dhe do t’i mbulojë linjat më të frekuentuar në qytet që janë linja 4, nga “Bregu i diellit” deri të “Parku i Gërmisë”, si dhe linjën 3 nga “Lagjja e Spitalit” deri në lagjen “Kodra e trimave”.

Ndërsa me planin e mobilitetit do të vihen në funksion edhe autobusët dhe linjat e tjera. Bileta për këta autobus do të kushtojë 50 centë, për pensionistët është falas, ndërsa priten çmime të reduktuara për studentë.

Se a e zgjidhin problemin e trafikut urban në kryeqytet, kryetari Shpend Ahmeti theksoi se po shkojnë drejt zgjidhjes së problemit, duke theksuar se Prishtina me rreth 350 mijë banorë ka nevojë për 160-200 autobusë për të funksionuar transporti publik.

“Prishtina me diku 350 mijë banorë ka nevojë për 160 deri në 200 autobusë për të funksionuar transporti publik. Deri më tani në pronësi publike kemi pasur 7 autobusë. Mendoj se autobusi i fundit që është blerë nga Komuna e Prishtinës është blerë në vitin 1989, tash mundeni ta merrni me mend diku 27 vjet nuk është blerë asnjë autobus, ndërsa ato që janë të linjave private kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë autobusë të vjetër, ndoshta me i riu që është diku 10 vjet”, theksoi Ahmeti.

Ai po ashtu ka thënë se do të ofrojnë linja për sektorin privat.

“Ideja është që t’i blejmë këta 51 autobusë, kredia e BERZH-it thotë se gjysma duhet të jetë në pronësi të sektorit publik, gjysma të sektorit privat, pra me 51 as nuk e përmbushim atë nevojën që duhet për ta pasur ne në pronë. Por tash vazhdojmë edhe me ofrimin e linjave për sektorin privat, kontrata 7 deri në 10 vjet me kushtin që ato të investojnë në autobusët e rinj, që janë me kontrata 7-vjeçare duhet që ta kenë standardin euro 4 dhe ata që vijnë me 10-vjeçare duhet ta kenë standardin euro 6 sikurse këta autobusët e rinj”, deklaroi ai.

Ndër të tjera Ahmeti theksoi se nga muaji qershor do të përfundojë plani i mobilitetit dhe do të dihen saktë linjat e reja dhe si do të funksionojnë.

“Ne jemi duke e bërë planin e mobilitetit me kompaninë angleze, ata do ta përfundojnë projektin diku nga muaji i qershorit. Në qershor ne do t’i dimë saktë edhe linjat e reja edhe si do të funksionojnë, ndërsa autobusët e parë lëshohen në linjat me të frekuentuara në 4-sh dhe në 3-sh”, ka thënë Ahmeti.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Halil Mustafa i ka thënë gazetës se “Trafiku Urban” tashmë është gati për autobusët e rinj dhe se shumë shpejt pritet që të marrin edhe punëtorë të rijnë.

“Besoj që po, jemi gati, meqë nesër do ta kemi edhe ceremoninë e hapjes, ne jemi të gatshëm me të gjitha. Punëtorët janë trajnuar, automekanikët janë trajnuar, vitin e kaluar 3 punëtorë automekanikë janë trajnuar me ‘Iveco’. Ende nuk janë marrë punëtorët e rinj, jemi vetëm ne, por shumë shpejt do të shpallet edhe konkursi për punëtorët e rinj, do të jenë vetëm vozitësit fillimisht. Unë besoj se do të kemi staf tjetër, meqenëse vozitësit përkatësisht të trafikut urban janë primarë”, ka thënë Mustafa.