Sigurimet mbyllin vitin me 12 milionë euro humbje

Ekonomia January 04, 2017 - 08:30

Gjatë 11 muajve të parë të vitit 2016, të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë krijuan një humbje prej hiç më pak se 12.1 milionë euro. Po ashtu sigurimet vitin 2015 e kishin mbyllur me 7.7 milionë euro humbje, derisa vitin 2014 më 2.5 milionë euro humbje

Viti që e lamë pas, ka qenë i rëndë për kompanitë e sigurimeve në Kosovë, ku këto të gjitha së bashku vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2016 krijuan një humbje prej hiç më pak se 12.1 milionë euro.

Bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas, 15 kompanitë e sigurimeve sa operojnë në vendin tonë kishin pasur të hyra prej 54 milionë e 700 mijë euro.

Gjatë kësaj periudhë kohore sipas BQK-së dëmet e ndodhura kanë qenë 34.3 milionë euro.

Gjatë periudhës së njëjtë kohore shpenzimet operative të kompanive të sigurimeve kishin arritur në 32.5 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në raporte zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet qartë se as viti 2015 nuk ka qenë pozitiv për kompanitë e sigurimeve në vendin tonë, ku këto të gjitha së bashku kishin krijuar një humbje prej 7.7 milionë euro, e humbje dukshëm më e vogël prej 2.5 milionë ishte regjistruar në fund të vitit 2014.

 Viti i Mikrofinancave

Derisa kompanitë e sigurimeve po rrisin humbjet nga viti në vit, janë Institucionet Mikrofinanciare që në vazhdimësi janë duke e rritur profitin.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë 11 muajve të parë të vitit 2016 profiti neto i Institucioneve Mikrofinanciare ka arritur në 4.1 milionë euro, e derisa në vitin 2015 Mikrofinancat kishin arritur një profit prej 2.4 milionë eurove, e derisa në vitin 2014 Institucionet Mikrofinanciare që operojnë në Kosovë kishin fituar vetëm 700 mijë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se në Kosovë funksionojnë 18 Institucione Mikrofinanciare, ku prej të cilave 12 janë me kapital të huaj. Gjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas të hyrat e Mikrofinancave ishin 22.4 milionë euro, derisa në anën tjetër shpenzimet ishin 18.1 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se norma mesatare e interesit në kredi gjatë muajit nëntor të këtij viti ka qenë 22 për qind.

 Bankat fituan 71 milionë euro

Edhe sektori bankar, 11 muajt e parë të vitit që lamë pas, i ka mbyllur më 71 milionë euro fitim, e ku në raport me vitin paraprak shihet se ka rënie të fitimit. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së shihet se për njëmbëdhjetë muaj bankat kanë pasur 212 milionë euro të hyra, ku nga kjo shumë 163.8 milionë euro janë të hyra nga interesi. Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore, shpenzimet e bankave kanë qenë 141.1 milionë euro, ku 16.6 janë shpenzime të interesit, derisa 89.7 milionë euro janë nga shpenzimet operative.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë muajit nëntor të këtij viti, niveli i Kredive jopërformuese ka rënë në 4,8 për qind, nga 6,5 për qind sa ishte në nëntor të vitit 2015, e derisa në dhjetor të vitit 2014 niveli i kredive jo përformuese në Kosovë ishte 8,3 për qind. Po ashtu, gjatë muajit nëntor të këtij viti norma mesatare e interesit në kredi ishte 7,3 për qind, e ku për ekonomi familjare ishte 7,8 për qind, derisa për kredi për ndërmarrje ishte 7 për qind. E në anën tjetër norma mesatare e interesit në depozita gjatë muajit nëntor të vitit që lamë pas ishte 1 për qind.

 222 milionë euro për një vit

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se deri në fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas mjetet e fundit të Kursimeve Pensionale të Kosovës kanë arritur në 1 miliard e 385 milionë euro, ku nga kjo shumë Fondi 1 miliard e 378 milionë euro janë mjete të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, derisa 6.5 milionë euro i përkasin Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve. Në raport me vitin e kaluar shihet se mjetet e fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës janë rritur për hiç më pak se 222 milionë euro. Sipas të dhënave të BQK-së numri i të punësuarve në dy fonde të Kursimeve pensionale është 31.