Për 10 muaj bankat fituan 65 milionë euro
Gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti të gjitha bankat komerciale në vend kanë krijuar profit neto prej 65 milionë eurosh. Duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak profiti i bankave është më i vogël për 10.6 milionë euro
Për dhjetë muaj të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë arritur të krijojnë një profit neto prej 65 milionë eurosh dhe duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas shihet qartë se sivjet profiti i bankave është më i vogël për 10.6 milionë euro.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit tetor të këtij viti të hyrat e bankave në Kosovë kanë qenë 193.5 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e gjithë bankave në Kosovë kanë qenë 198.8 milionë euro. Sivjet shpenzimet e bankave kanë qenë 128.5 milionë euro, ku nga kjo shumë 15.2 milionë euro janë shpenzime të interesit, derisa pjesa tjetër janë shpenzime gjenerale administrative e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak shpenzimet e bankave kanë qenë 123.3 milionë euro, ku nga kjo shumë 19.4 milionë euro kanë qenë shpenzime të interesit, derisa pjesa tjetër prej shpenzime gjenerale dhe administrative.
Gjatë muajit tetor të këtij viti norma mesatare e interesit për kredi ka qenë 7,3 për qind, derisa në tetor të vitit 2015 norma mesatare e interesit në kredi ka qenë 8,2 për qind. E në anën tjetër, norma mesatare e interesit në depozita në tetor të këtij viti sipas të dhënave zyrtare të BQK-së ka qenë 0,9 %, po aq ka qenë edhe në tetor të vitit 2015.
Mikrofinancat, 3.8 milionë euro profit
Në raport me vitin paraprak sivjet institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë kanë krijuar dukshëm më shumë profit sesa në vitin paraprak.
Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se deri në fund të muaji tetor profiti i mikrofinancave në Kosovë ka arritur në 3.8 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak profiti ishte 2.4 milionë euro apo 1.4 milion euro më pak se sivjet.
Për dhjetë muajt e parë të këtij viti të hyrat e mikrofinancave ishin 20.2 milionë euro, derisa shpenzimet ishin 16.4 milionë euro e në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e mikrofinancave ishin 17.4 milionë euro, e ku shpenzimet totale për 10 muaj të parë të vitit ishin 15 milionë euro.
Në tetor të këtij viti norma mesatare e interesit në kredi në institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë ishte 21,7 për qind e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak norma mesatare e interesit në kredi ishte 23,8 për qind.
Sigurimet, 12 milionë euro humbje
Derisa bankat dhe institucionet mikrofinanciare po arrijnë të fitojnë shuma të konsiderueshme të parave, në anën tjetër kompanitë e sigurimeve sivjet duke u bazuar në raporte zyrtare të BQK-së shihet se po punojnë me humbje. Nga fillimi i viti e deri më tash humbja e kompanive të sigurimeve në Kosovë ka arritur në 12.1 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak shuma e mjeteve që të gjitha kompanitë së bashku e kishin humbur ishte 3.1 milionë euro.
Sipas të dhënave të BQK-së shihet se për dhjetë muaj kompanitë e sigurimeve kanë pasur të hyra prej 54.7 milionë eurosh derisa gjatë kësaj periudhe kohore dëmet e ndodhura ishin 43.3 milionë euro, derisa shpenzimet operative 32.5 milionë euro. E në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e kompanive ishin 54.1 milionë euro, derisa dëmet e ndodhura ishin 29.8 milionë euro dhe shpenzimet operative 27.4 milionë euro
Fitimi i bankave janar-tetor 2016
Janar 5,0
Shkurt 6,5
Mars 5,3
Prill 7,7
Maj 6,0
Qershor 7,2
Korrik 9,0
Gusht 8,4
Shtator 6,2
Tetor 3,7
Total: 65,0