Kompania ruse e naftës futet ilegalisht në Kosovë

Ekonomia December 15, 2016 - 08:33

Tri pika të shitjes së derivateve janë hapur në veri të Kosovës nga kompania serbe “Nis Petrol”. Për mbylljen e tyre Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian, pasi që një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë

Qeveria e Kosovës ka kërkuar përkrahje nga Bashkim Evropian (BE) për t’i  mbyllur tri pika të shitjes së derivateve në veri të Kosovës, të cilat janë pronë e kompanisë serbe “Nis Petrol” dhe kjo e fundit është kompani aksionarësh, ku 56 për qind të aksioneve është nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kompania në fjalë ka bërë gati për punë një pikë të shitjes në komunën veriore të Mitrovicës, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Por, përveç këtyre në këto komuna të banuara me serbë operojnë edhe pompa të tjera ilegale të derivateve.

Burime të besueshme të gazetës "Zëri", brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se para pak ditësh kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla, së bashku me dy inspektorë nën përcjelljen e Policisë ka identifikuar tri pikat ilegale të derivateve, por zyrtarët në fjalë nuk kanë mundur t’i mbyllin ato.

“Inspektorati vetëm ka fotografuar ato pika dhe i ka njoftuar zyrtarët e lartë të Ministrisë” bën të ditur burimi i besueshëm i gazetës brenda kësaj Ministrie.

Ai më tej thotë se në veri të vendit Inspektorati i MTI-së nuk ka mundur të operojë asnjëherë.

Edita, letër BE-së

Të mërkurën për këtë çështje përmes një komunikate për medie ka reaguar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri. Ajo ka njoftuar se e ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia, e cila merret me shitjen e derivateve të naftës dhe e cila ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe të Zveçanit. Ajo ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Ministrja Tahiri po ashtu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie, si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjell naftën ruse në Kosovë.

“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha ministrja Tahiri. 

Aksionar kryesor, “Gazprom”-i

Pas marrjes së informacionit nga mediet se një kompani e Serbisë, e cila bën shitjen e derivateve të naftës, është duke hapur tri pika të shitjes në komunat veriore të Kosovës më datën 6 dhjetor 2016, ministrja për Dialog ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate.

Më datë 8 dhjetor 2016, ministria e Tregtisë dhe Industrisë pas verifikimeve ka njoftuar zyrtarisht se pas inspektimit nga Inspektorati përkatës është konstatuar se informata është e saktë dhe se kompania e ashtuquajtur “Nis Petrol” ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka vendosur për t’i hapur tri pika të shitjes pa pasur licencë përkatëse nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës. Pas këtij konfirmimi zyrtar, ministria për Dialog ka njoftuar Bashkimin Evropian në lidhje me këtë problem dhe ka kërkuar angazhime adekuate të BE-së si ndërmjetëse e dialogut. Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis Petrol” është kompani aksionarësh, ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë.