EULEX-i vlerëson Doganën

Ekonomia December 12, 2016 - 08:37

Dogana e Kosovës është vlerësuar si njëra prej Institucioneve më stabile dhe më të zhvilluara në Kosovë. Ky vlerësim është nxjerrë në raportin e Progresit për Kosovën.

“Vlerësimi i Progresit për periudhën gusht 2015- qershor 2016”, i publikuar ditë më parë.

Në raport thuhet se Dogana e Kosovës i ka përmirësuar rezultatet e veta gjatë vitit të kaluar, ku të hyrat e mbledhura nga Dogana arrijnë në më shumë se 70% të të gjitha taksave dhe të hyrave të mbledhura.

“Në fund të vitit 2015 u shënua një rritje në të hyra prej 9.25 për qind, krahasuar me dhjetorin e vitit 2014. Mirëpo, targeti për të hyrat nga Dogana i caktuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2016 prej më 
shumë se një miliardë eurosh paraqet një sfidë për Doganën, duke pasur parasysh nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill dhe e cila do të rezultojë me rënie në të hyra prej 2 për qind (përafërsisht 25 milionë euro). Megjithatë, të hyrat nga DK-ja  për pesë muajt e parë të 2016 arrijnë në 20 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë nga viti paraprak, thuhet në raportin e Progresit për Kosovën.

Aty më tej thuhet se 


numri i shkeljeve të vërejtura nga Dogana për gjashtë muajt e parë të 2016 shënon një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Për arritjen e këtyre rezultateve të dalluara në mbledhjen e të hyrave dhe të arriturave tjera të 
shkëlqyera, suksesi u takon reformave të reja, procedurave të përmirësuara dhe pajtueshmërisë 
së avancuar, bashkë me një numër të masave të rëndësishme anti-korrupsion të cilat janë implementuar rishtazi, thuhet më tej në raport.

Më tej në raport thuhet se këto reforma përfshijnë edhe fillimin e punës së sistemit të ri dhe krejtësisht elektronik i cili promovon një lehtësim të shtuar komercial, duke e paraqitur Njësinë Qendrore të  verifikimit për zhdoganimin e mallrave, reformimin e depove doganore, krijimin e ekipit mobil  të përputhshmërisë dhe themelimin e Zyrës së Përbashkët Doganore për Transit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkë me progresin e arritur në kuptim të lehtësimit të tregtisë dhe raporteve doganë-biznes, këto paraqesin zhvillime të rëndësishme në procesin e zhvillimit të Doganës dhe po ashtu demonstrojnë për rritje të transparencës me komunitetin e biznesit dhe publikun në përgjithësi. Thirrjet publike në linjën e veçantë telefonike në këtë vit janë rritur për 53%. Veç kësaj, janë dhënë iniciativa për arritjen e një barazie më të madhe gjinore në administratën e Doganës. 


Me qëllim të luftimit të korrupsionit, Dogana ka iniciuar një numër të rasteve disiplinore gjatë këtij viti, të cilat kanë rezultuar me suspendimin e zyrtarëve doganorë disa prej tyre kanë qenë të përfshirë në raste penale, thuhet në raport.

Në fund të raportit thuhet se këto reforma pozitive dhe suksesi i përgjithshëm në mbledhjen e të hyrave demonstrojnë se Dogana është njëra prej Institucioneve më stabile dhe më të zhvilluara në Kosovë, me një legjislacion modern doganor dhe procedura të hartuara mirë, të cilat ofrojnë një shkallë të lartë të sigurisë, të mbështetura nga Sistemi i fuqishëm i Teknologjisë së Komunikimit.