Buja: Buxhet elektoral

Ekonomia November 29, 2016 - 08:27

Shukri Buja, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, është i bindur se në Kuvend do të ndryshojë Projektbuxheti për vitin 2017. Sipas tij, projektbuxheti aktual është elektoral pasi që Qeveria “Mustafa” ka kalkuluar mjaft mirë buxhetin nëpër ato komuna në të cilat dëshiron ta zgjerojë elektoratin e LDK-së, si në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj

Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, pret që Projektbuxheti për vitin 2017 të pësojë ndryshime në amendamentet të cilat pritet t’i bëjnë deputetët, përndryshe, sipas tij, ky projektbuxhet siç është do ta thellojë krizën në Kosovën, për shkak se nuk është një buxhet real, por një buxhet i rritur nga huamarrja.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se ky projektbuxhet është shumë i qartë se është elektoral, pasi që, sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kalkuluar mjaft mirë buxhetin nëpër ato komuna në të cilat dëshiron ta zgjerojë elektoratin e LDK-së, si në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj.

Buja thotë se me projektbuxhetin aktual Qeveria më së shumti e ka goditur Prishtinën në mosndarje të buxhetit. Ai gjithashtu ka kritikuar kryeministrin Mustafa, si dhe ministrin e Financave Hoti se po bëjnë një lojë politike ndaj veteranëve të luftës.

Buja ka thënë se kryeministri Mustafa është dashur tashmë të bindë FMN-në se buxheti i veteranëve nuk mund ta rrezikojë buxhetin e Kosovës.

Ai thotë se në kohën e qeverisjes “Thaçi”, kjo e fundit kishte rritur pagat e mësimdhënëseve dhe të mjekëve pavarësisht kritikave që kishte marrë nga FMN-ja.

 “Ne kemi bërë buxhetin në përputhje me FMN-në edhe në kohën kur ishte Thaçi kryeministër, i cili i pati rritur edhe rrogat e mësimdhënësve, i pati rritur rrogat e punëtorëve shëndetësorë, në atë kohë pati reaguar Fondi Monetar Ndërkombëtar, por qasja e kryeministrit Thaçi në atë kohë dhe e Qeverisë ishte një bindje e Fondit Monetar Ndërkombëtar se nuk do ta rrezikojë buxhetin. Kështu duhej të vepronte edhe ministri Hoti bashkë me kryeministrin sepse FMN-ja nuk i ka qëndrimet strikte dhe të pandryshueshme. Nuk rrezikon kurrgjë buxheti për veteranët e luftës, por këtu po preken ndjenjat e tyre sepse janë ata që kanë luftuar dhe ata që kanë sakrifikuar për të krijuar shtetin dhe kur i prek me ndjenjat e tyre se po e rrezikojnë, ata tërhiqen. Por, këtu është një lojë politike që po e bëjnë kryeministri me ministrin Hoti ndaj veteranëve”, ka thënë ai.

Goditet Prishtina

Ai më tej ka thënë se ky projektbuxhet është shumë i qartë se është elektoral, pasi Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kalkuluar mjaft mirë buxhetin nëpër ato komuna në të cilat dëshiron ta zgjerojë elektoratin e LDK-së si në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj.

Por sipas tij, me ketë buxhet Qeveria më së shumti është duke e goditur Prishtinën në mosndarje të buxhetit, pasi që pretendon se nëse fiton LDK-ja do të realizohen shumë projekte.

“Është një buxhet që më shumë është paraelektoral, se është bërë mjaft mirë për pretendimet e LDK-së se në cilat komuna pretendon t’i marrë dhe ta zgjerojë elektoratin e LDK-së dhe këtu ka një kalkulim bukur të mirë të fondeve, të cilat e kanë komunat. Me ligj, komunat buxhetin e kanë në bazë të numrit të banorëve, në bazë të territorit dhe të pakicave ndahen mjetet. Por, tash Qeveria përmes projektit nga ministritë, por që janë projekte komunale, nuk kanë të bëjnë asgjë me Ministrinë, por janë drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e pronësisë, por edhe në menaxhimin e komunave. Po ka edhe shumë komuna, por ato që pretendojnë shihen se janë Prishtina, të cilën e goditën mjaft shumë me buxhet, me mospërkrahje, në mënyrë që ta shtyjë elektoratin ta përkrahë e pastaj LDK-ja që të fitojë në Prishtinë; në Pejë e ka të përkrahur më mirë sepse pretendon ta vazhdojë fitoren në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj. D.m.th. janë disa komuna që shihen edhe në projeksionet buxhetore se mundohet të zgjerohet për t’i fituar zgjedhjet”, ka thënë ai.

Deputetët do të bëjnë ndryshime

Buja shpreson se deputetët do të bëjnë ndryshime të mëdha në amendamentet, pasi që si i tillë buxheti qe është nuk do të jetë zhvillimor. Ai thotë se nëse nuk do të ketë ndryshime, si të tillë nuk do ta votojë as në Kuvend.

“Unë pres që të këtë ndryshime. Po ashtu duhet rishqyrtuar çështjen e projeksioneve për zhvillim ekonomik, jo se Kosova ka mundësi zhvillimin ekonomik në dy fushat kryesore, në atë të bujqësisë dhe të energjisë, por që të bëhen projekte të cilat janë në kuadër të zhvillimit ekonomik. Se sa do të arrihet të riparohet ky buxhet për mua është vështirë deri në fund. Ky buxhet nuk mund të quhet buxhet për zhvillimin ekonomik sepse zhvillimi  ekonomik nuk mund të bëhet përmes borxheve, kreditimit dhe fondeve të AKP-së”, ka thënë më tej ai.

Buja ka thënë se nuk ka njohuri nëse buxheti do ta ketë përkrahjen edhe të deputetëve të tjerë të PDK-së. Ai gjithashtu ka thënë se nuk është në njohuri nëse gjatë hartimit të buxhetit ka pasur koordinim me PDK-në.

“Kjo pyetje duhet t’i adresohet kryetarit të partisë, i cili është kompetent. Unë nuk kam njohuri që janë koordinuar, nuk kam njoftuar se ka ndonjë koordinim, e di që ne si komision kemi punuar bukur shumë brenda partisë për t’ia ofruar kryetarit të partisë qasjen e njerëzve profesionalë për buxhetin dhe ia kemi ofruar, porse çka do të ndodhë më tutje kjo është çështje e kontakteve që ka LDK-ja me PDK-në, si partnerë të koalicionit”, ka thënë ai.