Buxheti 'çan' koalicionin
Partnerët e koalicionit nuk po pajtohen për miratimin e Projektligjit për Buxhetin e Vitit 2017, për shkak të pakënaqësive për ndarjen e “kuletës” së shtetit. Kjo ka rritur gjasat që buxheti të jetë shkas për prishjen e koalicionit mes dy partnerëve dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Pas dërgimit të Projektligjit në Kuvend, komisionet parlamentare ende nuk kanë arritur ta shqyrtojnë atë, pasi po dështojnë mbledhjet për shkak të bojkotit që po ia bën Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Vetëm në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka dështuar katër herë shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin e Vitit 2017, si pasojë e mungesës së kuorumit. Mosdakordimi i partnerëve të koalicionit për buxhetin e vitit 2017 po shihet si joserioze, duke ditur se Projektligji për Buxhetin është vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit që nxjerr brenda vitit.
Arton Demahasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se do të ishte shumë e natyrshme që të ketë mospajtime mes pozitës dhe opozitës, por e panatyrshme dhe aspak e mirë që ato të jenë brenda vetë koalicionit qeverisës. “Absolutisht kjo është një joseriozitet shumë i madh përderisa as vetë pozita nuk arrin ta ketë një konsensus të brendshëm për ndarjen e buxhetit, kjo le që është joseriozitet nga ana e Ministrisë së Financave, por edhe prej dy partnerëve të koalicionit që hartojnë një buxhet e cila është në kundërshtim me kërkesat e partisë tjetër në koalicion”, ka thënë Demhasaj.
Madje, ai e këtë e quan luftë të brendshme të partnerëve të koalicionit. “Këta është dashur të dakordohen e pastaj të ulen dhe ta bëjnë ligjin e jo fillimisht ta bëjnë ligjin, të shkojë në Kuvend dhe pastaj të fillojë të ketë ndarje të mëdha mes partnerëve të koalicionit. Por, këtu po shihet një luftë brenda partnerëve të koalicionit që po bëhet”, është shprehur ai. Sipas kësaj, Demhasaj ka theksuar se nëse nuk arrihet të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, atëherë lehtë mund ta çojë vendin në zgjedhje. “Asnjë qeveri nuk ka mundur të funksionojë pa buxhet, kështu që nëse këta nuk arrijnë t’i tejkalojnë diferencat të cilat i kanë në mes vete për Ligjin Buxhetor normal që kjo është arsyeja kryesore e cila mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur Demahasaj.
Mirëpo, partitë në koalicion ndihen rehat duke mos u frikësuar se pikërisht Projektligji për Buxhetin do të jetë shkas për prishje të koalicionit dhe shkuarjes në zgjedhje. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka thënë “Zërit” se në harmonizimin e buxhetit janë duke punuar grupe punese dhe pastaj do të diskutohet në komisione, në të cilat pritet të miratohet dhe të procedohet për në seancë plenare. “Janë duke punuar grupet në harmonizim, po besoj se do të shkojë gjithçka mirë. Grupet punuese dhe deputetët janë duke punuar në harmonizim, buxheti trajtohet edhe në komisione parlamentare, nuk shoh asnjë problem që do të jetë diçka i cili nuk shkon”, ka thënë Pajaziti, duke shtuar se Projektligji i Buxhetit do të miratohet brenda afateve ligjore.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, mendon se Projektligji për Buxhetin do të kalojë pa problem dhe se nuk do të jetë pikë ndarëse mes partnerëve të koalicionit. “Jo, jo në asnjë mënyrë buxheti nuk mund të na prishë koalicionin. Është çështje e cila tash në Kuvend shkon edhe i harmonizon krejt qëndrimet mes grupeve politike dhe besoj që kalon”, ka thënë Haziri për “Zërin”, duke arsyetuar vonesën e shqyrtimit të buxhetit me angazhimin e partnerit të koalicionit në zgjedhjet në Drenas.
Ndërkohë, sot pritet që Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës të shqyrtojë në parim Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për Vitin 2017.