Investimet e huaja në blerje të banesave
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti, investimet e huaja në Kosovë kanë arritur në 148 milionë euro, ku nga kjo shumë 104,2 milionë euro kanë përfunduar në blerje të patundshmërive
Blerja e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, po llogaritet si investimi më i madh i huaj që ka ndodhur sivjet nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit gusht.
Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti shuma e investimeve të huaja në vendin tonë ka arritur në 148 milionë euro, e nga kjo shumë 104,2 milionë euro kanë përfunduar në blerje të patundshmërive, e në anën tjetër në disa sektorë siç është ai i ndërtimit kemi tërheqje të investimeve.
Krahasuar me vitet paraprake shihet se investimet e huaja në prodhim dhe industri kanë rënë, derisa ato në patundshmëri janë duke u rritur nga viti në vit. Sipas të dhënave të BQK-së për 8 muaj në Kosovë në sektorin e bujqësisë investitorët e huaj kanë investuar 1,8 milionë euro, derisa në sektorin e minierave kemi tërheqje të investimeve për 11,1 milionë euro.
Në sektorin e industrisë për 8 muaj janë investuar 1,4 milionë euro, derisa në sektorin e energjetikës janë investuar 4,3 milionë euro.
Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së, shihet se në sektorin e ndërtimtarisë investitorët e huaj në vendin tonë për 8 muaj investuan 26,6 milionë euro, në tregti 10,2 milionë euro, në hoteleri investimet e huaja për 8 muaj arritën në 700 mijë euro, në transport 600 mijë euro, në shërbime financiare 1,5 milionë
Të ndryshojë qasja e Institucioneve karshi investitorëve!
Në anën tjetër, njohës të rrethanave ekonomike në vend, thonë se institucionet e vendit sa më shpejt që është e mundur duhet ta ndryshojnë qasjen karshi investitorëve të huaj, duke rishikuar praktikat e zbatuara deri me tani, por edhe duke marrë ne konsideratë dhe duke zbatuar praktikat e vendeve te tjera, përfshirë edhe shtetet fqinje, të cilat kanë rezultuar të suksesshme.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, ka thënë se autoritetet tona duhet urgjentisht t’i adresojnë dhe përmirësojnë indikatorët e raportit të të bërit biznes të Bankës Botërore, në të cilin ka vite që nuk shënojmë progres, e këto lidhen kryesisht me sundimin e ligjit ne përgjithësi, respektivisht me zbatushmërinë e kontratave, funksionimin e gjyqësorit dhe praktikat gjyqësore të falimentimit.
Zeka thotë se duhet ta kemi të qartë që asnjë investitor serioz nuk do të shqyrtoje mundësitë e investimit ne një shtet me nivel te dobët te sundimit te ligjit, në të cilin ata nuk ndjehen të sigurt se investimet e tyre do te mbrohen.
“Duhet punuar në ndërtimin dhe fuqizimin e brendit nacional para investitorëve te huaj, duke targetuar investitorët në sektorët të cilët i përshtaten potencialeve tona, por edhe ne shtetet nga të cilat synojmë të tërheqim më shumë investime. Kjo do të mund të bëhej me një fushatë gjithëpërfshirëse promovimi, për te cilën, natyrisht, do të nevojitej një buxhet më i madh. Po ashtu duhet të punohet më shumë në fuqizimin e kapaciteteve tona diplomatike ekonomike dhe komerciale dhe jo vetëm në kryeqytetet e shteteve ku Kosova ka përfaqësi diplomatike, por edhe në qytetet e tjera të atyre shteteve në të cilat ka përqendrim më të madh te kompanive te mëdha” ka thënë ai.
Rënia e investimeve, shqetësim për Kosovën
Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka thënë se rënia e investimeve të huaja është një shqetësim i madh për Kosovën. Ai thotë se në të njëjtën kohë kemi edhe rënie të rritjes ekonomike.
“Klima e të bërit biznes është duke u rënduar në vend, pavarësisht takimeve të përfaqësuesve të institucioneve me investitorë të huaj. Qeveria pa një platformë ku tregohet se çka ju ofron investitorëve të huaj nuk mund të këtë ardhje të investitorëve të huaj. Është shqetësuese se sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare ka rënie të investimeve për 36 për qind, por në anën tjetër kemi edhe rënie të rritjes ekonomike që është një shqetësim për vendin” ka thënë ai.
Por, nën anën tjetër Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se duhet të presim të dhënat e tërë vitit për të dhënë një vlerësim rreth investimeve të huaja.
“Duhet te presim te dhënat komplete për tërë vitin dhe të dhënat mbi shtrirjen sektoriale për të dhënë një vlerësim me të kualifikuar për ecuritë ne investimet e jashtme direkte” ka thënë ai.
Ai thotë se arsyet për një trend jo të mirë në shtatë-mujorin e parë të këtij viti është situata e tensionuar politike, sidomos pamjet nga Kuvendi dërgojnë një mesazh negativ tek investitorët.
“Arsyet për një trend ta quajmë jo te mire , në 7 muajt e parë mund të jenë në dy drejtime, por është e sigurt se situata e tensionuar politike, sidomos, pamjet nga Kuvendi, dërgojnë një porosi të keqe te investitorët. Përndryshe, masat e politikave ekonomike kanë qenë në favor te rritjes se tyre edhe përmirësimi i renditjes në “Doing Business” e mbështet ketë. Por, ajo që duhet të bëhet më urgjentisht është rritja e sigurisë juridike, luftimi i korrupsionit , eficienca e gjykatave sidomos ne rastet e kontesteve të biznesit”, ka thënë ai.
Ndryshe, edhe Abër Muhaxheri, drejtor në Drejtorinë për Promovimin e Sektorit Privat në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, kishte thënë për gazetën se pavarësisht rënies së IHD-ve krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2016-s me periudhën e njëjtë të 2015-s, ai thotë se shohin potencial të rritjes së IHD-ve në 18 muajt e ardhshëm, duke pasur parasysh ciklet e biznesit dhe planet e investimet shumëvjeçare të kompanive ndërkombëtare.