Shteti me katër kode telefonike

Ekonomia November 17, 2016 - 08:21

Katër kode telefonike do t’i përdorë Republika e Kosovës deri kah fundi i vitit 2018. Në bazë të marrëveshjes mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel nga 15 dhjetori i këtij viti Kosovës i ndahet kodi i vet telefonik +383. Por deri në implementimin e plotë të tij, i cili zgjat rreth dy vjet, Kosova do t’i përdorë edhe kodet aktuale, ku telefonia mobile “Vala” përdor kodin telefonik të Monakos, IPKO-ja përdor atë të Sllovenisë, operatorët ilegalë përdorin kodin e Serbisë.

Edita Tahiri, si kryesuese e delegacionit të Kosovës në bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ka thënë për gazetën “Zëri” se më 15 dhjetor ITU-ja do të alokojë kodin +383 për Kosovën. Por sipas saj, para kësaj kohe, respektivisht më datën 3 dhjetor pala serbe duhet ta njoftojë ITU-në, ku zotohet se nuk do ta pengojë këtë kod pasi që, sipas saj, vendimi në ITU merret me shumicën e anëtarëve.

Ajo më tej konfirmon se procesi i integrimit të kodit të ri merr kohë më shumë se 18 muaj. Sipas saj, gjatë periudhës së tranzicionit derisa të zbatohet kodi +383, pra kur të realizohet teknikisht, vazhdohet gjendja siç është me kodet e njëjta. “D.m.th. vazhdon të përdoret kodi i Monakos, i Sllovenisë dhe i Serbisë. Po pasi të funksionalizohet kodi +383 atëherë shuhen këto kode dhe Kosova do të këtë vetëm një kod shtetëror +383 si çdo shtet”, ka thënë më tej Tahiri.

Kodi është shtetëror

Tahiri më tej thotë se kodi +383 është kod telefonik i Kosovës. “Por me Marrëveshjen e Brukselit dhe me angazhimin e Bashkimit Evropian Austria ka aplikuar për neve. D.m.th. është kod i Kosovës dhe ia jep direkt Kosovës, nuk ka asnjë lidhje me Serbinë. Po të ishte ashtu siç thuhet Serbia duhet të aplikojë për neve, por ne nuk kemi pranuar të aplikojë. Në atë kohë si zgjidhje e vetme ishte që Austria të aplikojë për ne dhe në janar të këtij viti e ka kryer aplikimin ajo”, ka thënë më tej Tahiri duke shtuar se deri më tash shumicën e marrëveshjeve të arritura në Bruksel i ka zbatuar pala serbe. “Deri më tash kanë mbetur pa u zbatuar Marrëveshja për Kodin, të cilën po përpiqemi të zbatojmë më 15 dhjetor, Energjia ka mbetur pa u zbatuar, ndërsa tek ura u heq barrikada.

A do të zbatojë Marrëveshjen për Kodin unë mendoj që nëse Serbia dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian dhe t’i hapë kapitujt me Bashkimin Evropian atëherë do të zbatojë. Në dhjetor  BE-ja vlerëson a e ka zbatuar Serbia këtë marrëveshje dhe të tjerat dhe në kuadër të vlerësimit ajo e gjen se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet, atëherë bllokohet rruga e Serbisë drejt BE-së. Pra, Serbia është e kushtëzuar me këtë, por edhe në jemi të kushtëzuar me zbatim të marrëveshjeve, mirëpo ne përgjithësisht i kemi zbatuar të gjitha” ka thënë Tahiri për gazetën “Zëri”

 60 mijë numra për operatorin e ri

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKREP), thotë se praktikisht implementimi në praktikë i kodit telefonik të Kosovës merr kohë për shkak të marrëveshjeve të shumta që duhet të behën me operatorë të ndryshëm telefonikë. Gashi konfirmon se në të njëjtën kohë do të fillojë implementimi i kodit telefonik, por edhe zbatimi i Marrëveshjes për Operatorin Telefonik, i cili do të operojë në komuna të banuara me shumicë serbe. Sipas tij, në bazë të marrëveshjes, operatori që do të operojë në enklava dhe më së shumti do t’i ketë në shfrytëzim vetëm 60 mijë numra.

Sipas tij, operatori i cili është produkt i Marrëveshjes në Bruksel do të ketë operime të limituara deri në hyrjen e operatorit të tretë telefonik në Kosovë, proces i cili do të zhvillohet duke u bazuar në standardet e BE-së. “Këto operime do të mbulojnë vetëm pjesët të cilat janë mbuluar deri më tani nga operatorët ilegalë, që do të thotë se do të jenë të limituara brenda infrastrukturës aktuale që ata kanë në përdorim dhe zonës gjeografike që e mbulojnë. Ata po ashtu do të jenë të kufizuar në numeracion dhe në numër të stacioneve bazë të transmetimit”, ka thënë më tej ai.

 Telekomi serb qe një vit në Kosovë

Kohë më parë gazeta “Zëri” ka raportuar se operatori i telefonisë mobile serbe “MTS” ka gati 1 vit që është zyrtarizuar në Republikën e Kosovës. Ky operator shtetëror është i regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), pronar i të cilit figuron “Telekom Srbija AD Beograd”.

Sipas certifikatës së biznesit, të cilën e posedon gazeta “Zëri”, pikërisht para një viti (12 tetor 2015) është konstatuar Telekomi i Serbisë në Kosovë, përderisa përfaqësues i kësaj kompanie figuron të jetë Ilija Ivanoviq. Adresa e këtij biznesi është në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës, dhe se kapitali fillestar është 25 mijë euro.