Komuna jep tokë komunale për një investim milionëshe

Ekonomia November 16, 2016 - 08:38

Kuvendi i Skenderajt në mbledhjen e jashtëzakonshme, të martën, ka vendosur t’ia japë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet 10 mijë metra katrorë të tokës komunale kompanisë “Wenga Fat Poultry” për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e mishit. Kompania është zotuar se do të investojë 1 milion euro, si dhe do të hapë vende pune për 60 punëtorë

Kuvendi i Skenderajt ka vendosur që ta miratojë një kërkesë të kompanisë gjermane “Wenga Fat Poultry”, e cila ka kërkuar një hapësirë për të ndërtuar një fabrikë për përpunimin e mishit.

Gjithashtu, sipas projektit që ka dorëzuar kjo kompani parashikohet edhe kultivimi i patave, mishi i të cilave do të jetë kryesori i kësaj fabrike, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Duke vepruar sipas kërkesës, si dhe rekomandimit të Komisionit Vlerësues për Dhënie të Pronave Komunale në Shfrytëzim, Kuvendi i Skenderajt në mbledhjen e jashtëzakonshme, të martën, ka vendosur t’ia japë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet 10 mijë metra katrorë të tokës komunale kompanisë “Wenga Fat Poultry” për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e mishit.

Kuvendi ka vendosur gjithashtu që këtë kompani ta lirojë nga të gjitha taksat komunale, edhe nga taksa ndërtimore, për t’ia lehtësuar punën kësaj kompanie, e cila është zotuar se do t’i investojë 1 milion euro, si dhe do t’i marrë në punë 60 punëtorë.

Bekë Hylenaj, kryetar i Komisionit Vlerësues për Dhënie të Pronave Komunale në Shfrytëzim, tha se nuk ka pasur ofertues tjetër dhe se është vepruar sipas kërkesë së kompanisë gjermane, andaj Komisioni ka vendosur që kompanisë “Weng Fat Poultry” t’ia japë në shfrytëzim 10 mijë metra katrorë të tokës komunale në parcelën kadastrale P-72015065-00136-2, e cila ndodhet në Polac të Skenderajt. Sipas tij, dokumentacioni i kërkuar ka qenë i kompletuar dhe se nuk ka pasur asnjë pengesë që do të mundë të eliminonte operatorin. “Pas vlerësimit të ofertës, Komisioni zgjodhi ofertën ekonomikisht më të favorshme, atë të kompanisë ‘Wenga Fat Poultry” dhe i rekomandon Kuvendit që ta miratojë”, ka sugjeruar Hylenaj.

Pas miratimit të rekomandimit të Komisionit nga Kuvendi i Skenderajt nënkryetari Fadil Nura ka propozuar heqjen (lirimin) nga taksa e lejes ndërtimore për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mishit kompanisë fituese “Wong Fat Poultry” Sh.p.k. Fabrika, sipas Nurës, do të ndërtohet në Polac, ku edhe është dhënë toka komunale në shfrytëzim. Duke e arsyetuar propozimin, Nura tha se propozimi për heqjen e taksës ndërtimore bëhet duke pasur parasysh nivelin e papunësisë në Kosovë, veçanërisht në komunën e Skenderajt, si dhe duke vlerësuar si të rëndësishme investimet e huaja, të cilat ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të komunës, uljen e papunësisë dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Ne, si autoritet publik, duke rikujtuar obligimin moral e ligjor karshi qytetarëve duhet të krijojmë kushte të domosdoshme për investime të tilla. Kompania gjermane ‘Weng Fat Poultry” do të investojë 1 milion euro, si dhe do të punësojë 60 punëtorëve, andaj vlerësojmë se heqja e kësaj takse të cekur në propozim do të ishte lehtësim i madh për investitorët e kompanisë ‘Wenga Fat Poultry’ dhe inkurajimin për investitorët e tjerë”, theksoi nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Nënkryetari Nura tha në fund se kontrata në mes të Komunës së Skenderajt dhe përfaqësuesve të kompanisë “Weng Fat Poultry” do të nënshkruhet më 25 nëntor dhe se në të njëjtën ditë do t’i vihet gur themeli fabrikës për përpunimin e mishit në Polac.

Ndryshe, me realizimin e këtij projekti Polaci ngadalë, por sigurt, po bëhet një fshat industrial pasi që në Polac aktualisht është duke funksionuar fabrika për përpunimin e bimëve mjekësore, si dhe fabrika e këpucëve, e cila ka të punësuar 50 punëtorë, ndërsa prodhimet e saj tashmë kanë dominuar tregun kosovar, ndërkohë që prodhimet e kësaj fabrike “Muli Shoes” dërgohen edhe në tregun e Shqipërisë.