Flasim për Shqipërinë, e pasurojmë Serbinë!

Ekonomia October 30, 2016 - 07:43

Kosova importon shumë më shumë mallra nga Serbia se sa nga Shqipëria. Importet nga Serbia janë dyfish më të larta se sa nga Shqipëria. Por, edhe Shqipëria bën më shumë biznes me Serbinë se sa me Kosovën

Kosova dhe Shqipëria edhe më tutje vazhdojnë të kenë raporte të brishta ekonomike, pavarësisht premtimeve të dyanshme të nivelit politik për heqjen e barrierave në të dyja anët e kufirit.

Bazuar në të dhëna zyrtare shihet se produktet e Shqipërisë çdo ditë e më shumë janë të pranishme në vendin tonë.

Ndërkaq, Kosova në këtë shtet kryesisht eksporton mbeturina të metalit për riciklim. Gjatë vitit 2015 Kosova eksportoi në Shqipëri produkte në vlerë prej 40 milionë euro, më pak se sa në dy vitet paraprake.

Ndërkaq nga Shqipëria importoi produkte me vlerë prej 151 milionë euro, apo rreth 20 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak. Sipas statistikave zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet se në Kosovë janë të regjistruara 893 biznese të Shqipërisë.

Sipas tyre, 256 biznese për veprimtari kanë tregtinë, 141 biznese kanë ndërtimtarinë, 117 akomodim e hoteleri, 107 shërbime administrative, 74 veprimtari profesionale dhe 198 të tjera merren me veprimtari tjera biznesore në vendin tonë. Ndërkaq në Republikën e Shqipërisë operojnë një numër tejet i vogël i kompanive Kosovare.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje iu ka dërguar pyetje edhe autoriteteve shqiptare, por edhe pas disa ditë pritjeje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ata.

Bashkëpunimi tregtar, larg pritshmërive

Arben Malaj, ish ministër i Financave i Republikës së Shqipërisë thotë për “Zërin” se shifrat aktuale të bashkëpunimit tregtar janë larg pritshmërive dhe premtimeve të përsëritura.

Malaj vlerëson pozitiv faktin se kohët e fundit kanë ndalur se keqpërdoruri luftërat tregtare midis bizneseve tona.

“Ato shpesh ngjallen dhe ringjallen për produkte të veçanta dhe për periudha te caktuara. Prandaj duhet eliminuar çdo pengesë, qoftë edhe e përkohshme që ushqen kriza mosbesimi dhe bashkëpunimi të përhershme. Dëmi i keqpërdorimit të barrierave jotarifore nuk është vetëm tek një apo disa kompani, por sidomos tek investitorët potencial të cilët parandiejnë pengesa konkrete për interesa konkrete, të cilat vrasin interesin e tyre për të investuar në ekonomitë tona”, ka thënë Malaj për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit midis ekonomive tona do të kishte efekte pozitive në disa drejtime.

Malaj thotë se sa herë që flitet për marrëveshje të bashkëpunimit tregtar midis vendeve të ndryshme, mbështetësit promovojnë efektet pozitive, si rritjen e investimeve të huaja direkte në të dy vendet, por edhe hapjen e vendeve të reja të punës nga rritja e këtij bashkëpunimi, efektet mbi rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike.

Por, sipas tij, shqetësimi, hezitimi dhe kundërshtimi ndaj liberalizmit dhe hapjes ekonomike rritet nëse këto marrëveshje nuk prodhojnë efekte pozitive.

Ai më tutje thotë se tregtia konsiderohet një prej motorëve kryesorë të rritjes ekonomike, pa të cilën nuk ka stabilitet të financave publike, nuk ka rritje të punësimit, por as rritje te të ardhurave reale.

Rritja e papunësisë, pabarazisë dhe dëmtimi kohezionit social, sipas tij vlerësohen sot argumentet që influencojnë zhvillimet dhe trendet e ardhshme sociale dhe politike.

Prandaj, sipas tij, liberalizmi ekonomik duhet të prodhojë efekte pozitive.

“Nëse eksportet, por edhe importet do të rriten bazuar në aftësitë konkruese që kanë bizneset respektive, përfitimi është i njëjtë sepse edhe rritja e importeve ka disa përfitime ne uljen e kostos se mallrave te konsumit, kostove të prodhimeve dhe shërbimeve, që nënkupton se ekonomia në tersinë e vendeve tona bëhet më konkurruese. Hapja e arsyeshme e tregjeve tona rrit hapësirën ekonomike në përmasa te konsiderueshme si për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë më tej ai.

Sadiku: T’i eliminojnë barrierat

Edhe Muhamet Sadiku, ekspert i ekonomisë ka thënë se bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Shqipëri është tejet i ulët.

Ai thotë se sipas statistikave vitin e kaluar këmbimet tregtare me Shqipërinë ishin në nivel shumë të ulët.

Sadiku thotë se të gjitha avantazhet që i ka krijuar autostrada, bizneset e të dyja shteteve ende nuk kanë qenë në gjendje që t’i shfrytëzojnë.

“Një gjë është e ditur, se pa infrastrukturë, pa sistem rrugor nuk mund të këtë bashkëpunim në mes të shteteve, andaj gjithmonë e kemi vlerësuar Shqipërinë se është një arterie shumë e rëndësishme për import, por edhe eksport të mallrave. Është e vërtetë se ky bashkëpunim është tejet i ulët dhe mbetet për tu dëshiruar, sepse sipas statistikave, vitin e kaluar shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka qenë 160 milionë, ndërsa është i pakrahasueshëm me këmbimin tregtar që e ka Kosova me Serbinë. Për të pasur suksese duhet t’i eliminojmë barrierat administrative mes të dyja vendeve që të kemi një bashkëpunim në nivel të duhur” ka thënë ai.

Sipas tij, ajo që mund të bëjë Kosova dhe Shqipëria është që brenda procesit integrues t’i afrojnë politikat ekonomike me Unionin Evropian sepse në këtë mënyrë i ndihmojnë njëra- tjetrës për bashkëpunim me të suksesshëm ekonomik.

Shkëmbimet tregtare në nivel minimal

Gjergj Erebara, gazetar i ekonomisë nga Shqipëria thotë për “Zërin” se volumi i shkëmbimeve tregtare në mallra mes Shqipërisë dhe Kosovës është minimal.

Sipas tij, kjo vjen për një arsye të thjeshtë se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë vende të rëndësishme prodhuese për pothuajse asgjë.

“Shkëmbimet në sektorin e shërbimeve janë më të mëdha, veçanërisht në drejtimin e turistëve të Kosovës që vijnë në Shqipëri. Por, ky volum turistësh ka nevojë për shërbime cilësore dhe me çmime të logjikshme të cilat Shqipëria tani për tani nuk i ofron. Vetëm sektori i energjisë elektrike ka potencial të lartë ekonomik si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, por për momentin, linjat e interkonjeksionit të Kosovës kontrollohen nga Serbia dhe deri sa të thyhet ky kontroll, linja e re e interkonjeksionit mes dy vendeve do të mbetet e papërdorshme”, thotë ai për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, në këtë pikë është e rëndësishme që Shqipëria dhe Kosova të krijojnë strukturat koordinuese të tregut të energjisë për të maksimizuar përdorimin e termocentraleve të Kosovës dhe hidrocentraleve të Shqipërisë në shërbim qytetarëve të të dy vendeve.

“Kemi edhe fusha të tjera ku mund të bashkëpunohet, përfshirë lehtësimin e transfertave valutore mes dy vendeve përmes krijimit të një zyre të përbashkët klerimi mes dy Bankave Qendrore, rishikimin për ulje të tarifave postare mes dy vendeve etj. Kuptohet se sapo mendojmë për një bashkëpunim konkret dhe fitimprurës mes dy vendeve, na vjen ndër mend niveli shumë i lartë i korrupsionit mes zyrtarëve në Shqipëri dhe Kosovë, korrupsion që pengon çfarëdolloj zhvillimi ekonomik. Për sa kohë nuk e kemi mposhtur korrupsionin, çdo ide për bashkëpunim ekonomik është thjeshtë një diskurs teorik me pak shanse praktike”shtoi ai.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova i kanë në fuqi marrëveshjet shumëpalëshe të tregtisë së lirë dhe aktualisht nuk ka dijeni për pengesa të karakterit ligjor mes dy vendeve.

“Në fund, duhet të kemi parasysh se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova janë dy vende të vogla që varen nga tregtia ndërkombëtare. Potenciali për të rritur volumin tregtar mes dy vendeve mbetet i vogël”shtoi Erebara.

Rexhepi: Biznesi të mos pengohet

Por, në anën tjetër ndryshe mendon Ibrahim Rexhepi, gazetar i ekonomisë nga Kosova.

Ai thotë se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përherë kanë qenë në rritje.

Sipas tij, ato nuk kanë ngecur edhe në situatat më të renda, qoftë për shkak të mungesës së rrugëve-transportit të vështirësuar, apo edhe kur ka pasur barriera të ndryshme doganore e jo doganore.

“Biznesi vetë i ka hapur rrugët e bashkëpunimit. Kështu, brenda dhjetë vjetësh eksportet e Kosovës janë dhjetëfishuar, njësoj sikurse edhe importet. Në ketë periudhë është rritur edhe deficiti tregtar. Kështu, nga 12.3 milionë euro sa ka qenë ne vitin 2005, vjet ka arritur ne 111.6 milionë euro. Pra, Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm tregtar i Kosovës. Mirëpo, është karakteristike se struktura e shkëmbimeve tregtare nuk ka ndryshuar shumë. Kosova kryesisht eksporton mbeturina metalike, kurse importon metal te përpunuar, material ndërtimor dhe karburante. Po ashtu, ka ngecje të theksuar në fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik- si janë investimet dhe kyçja e përbashkët e subjekteve ekonomike në projekte si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri”, ka thënë Rexhepi për gazetën “Zëri”.

Rexhepi më tej thotë se nuk ka nevojë për ndonjë reformë specifike që do të ndikonte ne thellimin bashkëpunimit ekonomik Kosove- Shqipëri.

Sipas tij, mjafton që biznesi të mos pengohet, por në të njëjtën kohë të gëzojë edhe beneficione të ndryshme.

“Mirëpo, problemi esencial qëndron te reformat brendshme, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Ato duhet të nxisin zhvillim të brendshëm, të ndikojnë në rritjen e prodhimit, e që në mënyre direkte do të ndikojë në rritjen e ofertës. Ne nuk mund te flasim për ndonjë bashkëpunim më të madh, përderisa te dyja vendet janë ne varfëri. Zhvillimi ekonomik avancon edhe bashkëpunimin” ka thënë ai.

Më tej, Rexhepi thotë se në aspektin ligjor bizneset e të dyja shteteve për të bashkëpunuar nuk kanë asnjë barrierë. Sipas tij, në rrafshin ekonomik shkëmbimi i mallrave është i liruar nga ngarkesat doganore, është hequr tatimi i dyfishtë, është hequr detyrimi ligjor që kosovarët në Shqipëri për punë duhet te marrin leje qëndrimi, leje pune, etj.

“Prandaj, te marrëdhëniet ekonomike ka një shkallë të lartë të liberalizimit, ndonëse duhet punuar edhe me tutje në harmonizimin e kushteve dhe të standardeve që ndikojnë ne ketë bashkëpunim. Me qëllim te nxitjes së tij, qeveritë e të dyja vendeve duhet të ofrojnë më shumë iniciativa dhe lehtësi, ashtu qe të kemi më shume investime, më shumë kompani të përbashkëta, më shumë kompani kosovare në Shqipëri dhe anasjelltas”, shtoi Rexhepi.

Ekonomi të pazhvilluara

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve thotë se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në nivel të kënaqshëm, pasi që sipas tij të dyja shtetet kanë ekonomi të pazhvilluar.

Shahini ka thënë se përderisa ekonomia nuk është zhvilluar, të dyja vendet varen prej tregjeve tjera.

Sipas tij, rruga e vetme për rritjen e bashkëpunimit ekonomik është ngritja e kapaciteteve prodhuese dhe mbështetja e politikave strategjike që e rrit konkurrencën e brendshme.

“Prodhuesit vendorë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri janë të atakuar padrejtësisht nga konkurrenca e jashtme dhe kjo e sfidon ekonominë e vendit” ka thënë ai.

Shahini thotë se më shumë biznese të Shqipërisë gjenden në Kosovë për shkak se Kosova është treg liberal dhe mund t’u jepet më lehtë mundësi bizneseve.

Eksporti dhe importi në vlerë

 

Viti      Eksport            Import

 

2005    5.784,000        18.093,000

2006    12.645,000      23.108,000

2007    20.799,000      35.262,000

2008    21.113,000      59.632,000

2009    26.182,000      58.385,000

2010    30.841,000      69.714,000

2011    34,566,000      96,400,000

2012    40,180,000      110,528,000

2013    43,774,000      110,597,000

2014    44,011,000      133,702,000

2015    40,253,000      151,896,000

 

Eksporti dhe importi në përqindje

 

2005    10,3                 1,6

2006    11,4                 1,8

2007    12,6                 1,2      

2008    10,6                 3,1

2009    15,8                 3,0

2010    10,4                 3,2

2011    10.8                 3,9

2012    14,6                 4,4      

2013    14,9                 4,5      

2014    13,6                 5,3

 

 

Image