Edhe një dimër nëpër dyer të huaja, refugjatë në qytetin e tyre
Edhe një dimër sikurse edhe 17 të tjerë para tij, shumë familje shqiptare të veriut të Mitrovicës do ta kalojnë nëpër shtëpi të huaja, si refugjatë në qytetin e tyre.
Ndonëse kanë banesat e tyre në veri dhe pronat që synonin t’i rindërtonin shtëpitë, atyre nuk u lejohet kthimi atje. Përveç që nuk u lejohet të kthehen në banesat e veta, aktualisht të uzurpuara nga serbët e veriut të Mitrovicës, shqiptarëve të asaj pjese nuk u lejohet as rindërtimi i shtëpive, të cilat u janë djegur dhe u janë rrënuar gjatë luftës, madje edhe pas lufte.
Në këtë mënyrë, mbi 12 mijë shqiptarë të veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar në shkurtin e vitit 2000 nga banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore vazhdojnë të jetojnë në jug të Mitrovicës, si dhe në qendrat tjera të Kosovës. Ata janë të detyruar të paguajnë qira, ndonëse jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Disa prej këtyre familjeve jetojnë në ndërtesat e “Trepçës” në Stantërg, të cilat kanë filluar të shemben, por ato janë streha e vetme për shumë familje të dëbuara nga veriu.
Kryetari i QR të KMDLNJ në Mitrovicë, Halit Barani, ka thënë se menjëherë pas përfundimit të luftës, shumë familje shqiptare ishin kthyer në banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës, por që menjëherë kishin filluar keqtrajtimet, plagosjet dhe vrasjet, madje edhe në prani të instituconeve ndërkombëtare të sigurisë, kështu që ato ishin detyruar të shpërngulen.
“Nga shkurti i vitit 2000 e deri në prill 2004 nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës janë dëbuar me dhunë 1564 familje me 11364 anëtarë. Pjesa dërrmuese e tyre janë duke bredhur posht e lart, duke jetuar nëpër shtëpi e banesa të huaja, kush tek të afërmit e kush me qira. Ka edhe shumë që jetojnë nëpër bodrume e kthina të ndryshme të mbushura me plot lagështi, ku më së keqi janë duke e pësuar fëmijët, pleqtë e sidomos ata që jetojnë me sëmundje kronike. Ata janë refugjatë në qytetin e tyre, por edhe në qytete tjera të Kosovës”. ka thënë Barani.
Ndërprerja e punimeve për ndërtimin e shtëpive
Në anën tjetër, gjatë kohës kur me Mitrovicën ka qeverisur Avni Kastrati ishte ndërmarrë një aksion për grumbullimin e mjeteve, me qëllim të rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës.
Aksioni “Ndihmo edhe ti” ishte ndihmuar edhe nga ish-kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, me 100 mijë euro. Por, ndërtimi i shtëpive në lagjet veriore ishte ndërprerë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e në të cilat u përfshinë edhe komunat veriore. Në veri të Mitrovicës, zgjedhjet për kryetar të komunës pati fituar Kërstimir Pantiq, deri atëherë kryetar ilegal i Mitrovicës së veriut, por ai kishte refuzuar të betohej nën logon Republika e Kosovës dhe në këtë mënyrë, zgjedhjet ishin përseritur e pastaj kishte fituar Goran Rakiq. Dhe pikërisht ishte Rakiq dhe strukturat komunale të veriut të Mitrovicës që nuk lejuan ndërtimin të asnjë shtëpie të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në lagjen “Kroi i Vitakut” ishte bërë përpjekje që të vazhdojë rindërtimi i shtëpive me mjetet e aksionit “Ndihmo edhe ti”, por ato ishin ndërprerë disa herë nga serbët. Edhe kur shqiptarët përpiqeshin të punonin, ishin serbët e veriut të Mitrovicës ata që bllokonin rrugët dhe sulmonin shqiptarët. Ishte arritur pastaj një marrëveshje në mes të Rakiqit dhe Agim Bahtirit, sipas të cilës, ata që do të ndërtojnë shtëpitë do të duhej paraprakisht të pajiseshin me leje ndërtimi. Por, kjo marrëveshje nuk është realizuar kurrë.
Tani kur dimri është në prag, shumë familje shqiptare të pjesës veriore ankohen se do ta kenë vështirë ta kalojnë dimrin në hapësirat ku tani jetojnë me qira, në jug të Mitrovicës. Ata paguajnë prej 100 deri në 350 euro qira në muaj, varësisht prej hapësirave në të cilat jetojnë.
Shteti nuk bëri asgjë
Ramadan Istrefi, një banor i lagjes “Kroi i Vitakut” thotë se jeton në jug që prej përfundimit të luftës, pasi që nuk i është lejuar rindërtimi i shtëpisë në pronën e vet në këtë lagje. Ai ka ripërseritur se për banorët e pjesës veriore, të cilët janë detyruar të jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, shteti nuk ka bërë asgjë.
Hiç më mirë nuk e kanë as ato pak familje shqiptare që kanë arritur t’i ndërtojnë shtëpitë në lagjet veriore të Mitrovicës dhe tani jetojnë atje. Ata nuk kanë siguri, nuk kanë shkollë për të mësuar fëmijët e tyre, shërbimet shëndetësore i marrin në jug dhe nuk e kanë lirinë e plotë të lëvizjes.
E kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e UNHCR-it ka potencuar problemin e 12 mijë shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës, të cilët si refugjatë jetojnë në jug të Mitrovicës dhe ka kërkuar që ata të kthehen në banesat dhe pronat e tyre, pasi që shumica e tyre paguajnë qira në jug dhe për shkak se komuna nuk ka mjete për t’ua siguruar banimin.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri më tani, nga veriu i Mitrovicës thuhet se numri i shqiptarëve që janë shpërngulur ka arritur në 22 mijë.