Investitorët në pritje të ligjit
Dhjetëra kompani të huaja janë të interesuara që të investojnë në vend, por ato po presin hyrjen në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk është nënshkruar nga presidenti, pasi që deputetët e Listës Serbe, në Kuvendin e Kosovës, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Por në anën tjetër Avni Kastrati, zëvendësministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), beson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të jenë të drejta pasi që, sipas tij, këta të fundit do të refuzojnë çdo tendencë për ta penguar zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Sa i përket ligjit besoj se nuk do të këtë problem, edhe të gjithë ata kanë për ta parë që për një kohë të shkurtër shumë gjëra të cilat u ngritën si shqetësuese kanë për t’u adresuar pa asnjë problem. Besoj se edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të jenë të atilla që do ta refuzojnë çdo tendencë që kanë qëllim pengimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.
Më tej ai ka bërë të ditur se deri më tash ende nuk është lidhur asnjë marrëveshje me investitorë të jashtëm pasi që, sipas tij, ligji ende nuk është i definuar qartë dhe mungon udhëzimi administrativ për këtë ligj.
Ai bën të ditur se këto kompani tashmë kanë filluar të bëjnë analiza nëse duan që të investojnë në Kosovë.
Kastrati ka bërë të ditur se ka shumë mundësi që edhe projekti i “Brezovicës” të bëhet përmes këtij ligji pasi që, sipas tij, janë krijuar parakushtet për të pritur rezultate pozitive.
“Në detaje nuk është i precizuar ligji, ne duhet të presim edhe udhëzimin administrativ, por mendoj që jemi duke bërë biseda me vendet e rajonit për të vazhduar me vendet e tjera dhe të gjejmë investitorë të cilët do të investojnë. Nuk kisha mundur të them saktë se cilat janë kompanitë, për arsye se atyre u nevojitet një analizë për t’ua bërë nëse e shohin të arsyeshëm për të investuar në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas tij, janë edhe shumë kompani turke të cilat së fundmi janë të interesuara që përmes këtij ligji të investojnë në Kosovë.
Edhe Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se ka disa kompani amerikane të cilat kanë vizituar vendin tonë dhe ato janë të interesuara që një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë në shtetin tonë. “Që nga viti i kaluar ne u kemi premtuar për hyrjen në fuqi të lehtësirave fiskale, duke përfshirë këtu edhe lirimet tatimore, për të cilat kemi avokuar pranë Qeverisë që nga viti 2013 e tutje. Por, në të njëjtën kohë nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe institucioneve për promovimin e investimeve është folur për përfitimet e investitorëve nga Ligji për Investime Strategjike. Nëse para shtatorit të vitit 2015, kur lehtësirat e tilla nuk kanë qenë të rregulluara me ligj, diskutimet tona për lehtësirat e tilla kanë qenë të paqëndrueshme, situata është dashur të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të legjislacionit të ri tatimor, i cili ka mundësuar për herë të parë pushimet e tilla tatimore”, ka thënë ai.
Zeka ka vërejtje tek Qeveria e Kosovës pasi që, sipas tij, krahas kalimit të Ligjit për Investime Strategjike në të njëjtën kohë, nëse jo në të njëjtën seancë, është dashur të aprovohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit të Punës dhe po ashtu në të njëjtën kohë Ministria e Financave të finalizojë Udhëzimin Administrativ për pushimet tatimore.
Ndryshe, Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të investimeve të huaja. Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet e huaja direkte në periudhën janar - qershor arrijnë vlerën e 97.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera e IHD-ve ishte 163 milionë euro.