I pafajshëm, me gjithë dëmin 60 milionësh!

Ekonomia October 24, 2016 - 08:09

Nuhi Uka, ishte akuzuar nga Prokurori ndërkombëtar për tjetërsim të pronës shtetërore, ku vlera e dëmit që iu ishte shkaktuar shtetit ishte rreth 60 milionë euro. Në vitin 2014 ai ishte dënuar me 2 vite burg me kusht. Por, të premten e javës që lamë nga Gjykata Themelore në Prizren Uka u lirua nga aktakuza për krim të organizuar. Por, për krim të organizuar dhe ryshfet ai sërish do të përballet me drejtësinë së bashku me ish deputetin e PDK-së Azem Sylën

Ish kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka, ishte akuzuar nga një prokuror ndërkombëtar për tjetërsim të pronës shtetërore, vlera e së cilës llogaritej rreth 60 milionë euro.

Përveç kësaj, Uka ishte akuzuar edhe për veprime tjera të paligjshme në dëm të qytetareve, por ai është liruar për shkak të vjetërsimit të aktakuzës.

Por, të premten e javës që lamë pas Gjykata Themelore e Prizrenit, e liroi atë nga aktakuza për krim të organizuar dhe mashtrim.

Uka ndonëse është liruar nga aktakuza për tjetërsimin e 10 hektarë pronave të ndërmarrjes KBI “Kosova Export” në “Veternik”, Çagllavicë, e Llapnasellë, atë e pret një proces i ri gjyqësor së bashku me ish- deputetin e PDK-së Azem Sylën, po ashtu për dallavere me prona shoqërore.  

I dënuar me dy vite burg

Më 9 shtator të vitit 2014 gazeta “Zëri” ka raportuar se listës së të dënuarve për dallavere me prona shoqërore i prin ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka i cili ishte dënuar me dy vite burgim me kusht për dy vite.

Me dënim me kusht për dy vite ishin dënuar edhe ish-gjyqtarët Olga Janjiqeviq me dënim prej 18 muaj, Ekrem Agushi me 9 muaj, Ferid Bislimi me 9 muaj, Sanije Muqolli me 6 muaj, Shemsije Sheholli me tetë muaj, Tihomir Mikariq me një vit burgim, Rrahman Retkoceri me 9 muaj, zyrtarja e ndërmarrjes së dikurshme shoqërore KBI “Eksport Kosova” Hasnije Balidemaj me një vit burgim me kusht dhe ish zyrtari i Komunës së Prishtinës, njëherazi dhëndëri i Nuhi Ukës, Gazmend Gashi, ishte dënuar me 6 muaj burgim po ashtu me kusht.

Në atë kohe teksa aktgjykimi është shpallur në objektin e gjykatës së apelit, zyra për informim e EULEX-it njofton se, prokurori i prokurorisë speciale ishte pajtuar plotësisht me aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Prizrenit (e mbledhur në Prishtinë) ku dhjetë të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprave penale lidhur me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe të dhënies ndihmë për nxjerrjen e kundërligjshme të këtyre vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2006-2007.

Ky rast kishte të bëjë me një tokë në pronësi shoqërore ku këta gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës nxorën vendime me qëllim që parcela të ndryshme të tokës me vlerë të lartë t’u barten paditësve privatë.

“Prokuroria vërtetoi me sukses që O.J, S.M, S.S dhe T.M në pozitat e tyre si gjyqtarë në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe R.R, E.A dhe F.B në pozitat e tyre si gjyqtarë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm personit tjetër nxorën vendime të kundërligjshme në 15 raste të tokave lidhur me Ndërmarrjen Shoqërore KBI Kosova Export, duke kryer në këtë mënyrë veprën penale të Nxjerrjes së Kundërligjshme të Vendimeve Gjyqësore”, është thënë në atë kohë në njoftimin e dërguar për media.

Për më tepër, prokuroria vërtetoi që dy nga të pandehurit, H.B e cila kinse në cilësinë e saj si përfaqësuese ligjore e Ndërmarrjes Shoqërore dhe G.G si përfaqësues ligjor i disa prej paditësve e lehtësuan kryerjen e veprës duke ju ndihmuar gjyqtarëve gjatë periudhës 2006-2007.

Në atë kohë N.U. ishte kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe kishte përgjegjësi të përgjithshme për udhëheqjen e Gjykatës Komunale.

Rrecaj: Nuk ka ndërhyrje politike

Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Nuhi Ukës mohon në mënyrë kategorike të ketë pasur ndërhyrje politike në rastin e gjykimit të ish kryetarit të Gjykatës Komunale.

“Jo, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur ndërhyrje politike nga askush. Klienti im në atë kohë është akuzuar pa asnjë bazë ligjore, kështu që drejtësia e tha fjalën e fundit", tha Rrecaj për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, ndaj Nuhi Ukës për krim të organizuar, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare janë ngritur katër aktakuza.

Rrecaj thotë se në dy aktakuzat e para, ai është shpallur tashmë i pa fajshëm më vendim të formës së prerë.

Ndërkaq në aktakuzën e tretë sipas tij Uka është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së parë. Ndërkaq sipas avokatit mbrojtjes në rastin e katër ende nuk ka filluar Gjykimi.

“Në aktakuzën e katërt ai akuzohet se bashku me ish deputetin e PDK-së Azem Sylën për krim të organizuar dhe ryshfet. Por, edhe në këtë rast klienti im është i pafajshëm”, thotë më tej avokati Rrecaj.

Edhe Avni Zogiani thotë se që nga fillimi ka qenë e ditur se Nuhi Uka nuk dënohet, pasi që deri para një kohe të shkurtër ai ka qenë bashkëpunëtor me gjykatësit, para të cilëve ka dalë.

“Është naivitet të mendohet që Nuhi Uka mund të dënohet për shkeljet që ka bërë gjatë kohës ka qenë kryetar i Gjykatës, pasi që me ata gjykatës ai ka ngrënë bukë bashkë, ndoshta edhe paratë i kanë ndarë bashkë. Sistemi i drejtësisë fatkeqësisht deri më tash nuk është reformuar fare”, ka thënë shkurt Zogiani.