Komuna e Prizrenit rrezikon ta humbë grantin prej 500 mijë eurosh

Ekonomia October 21, 2016 - 09:54

Komuna e Prizrenit po rrezikon ta humbë grantin prej 500 mijë eurosh për shkak të neglizhencës së shpronësimit të një prone në fshatin Llokvicë, në të cilën është planifikuar të ndërtohet një impiant për trajtimin e ujërave të zeza me mjete të qeverisë zvicerane

Komuna e Prizrenit, e cila drejtohet nga Ramadan Muja, si pasojë e neglizhencës po rrezikon ta humbë një grant prej 500 mijë eurosh të qeverisë zvicerane për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Llokvicë, të komunës së Prizrenit.

Para pak ditësh organizata “Community Development Initiatives” (CDI), e cila i menaxhon grantet e qeverisë në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka publikuar njoftimin për anulim të aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e impiantit. Në njoftimin për anulim thuhet se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është e nevojshme për shkak të ngjarjeve apo arsyeve objektive dhe të domosdoshme, të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit.

“Ky aktivitet është anuluar për shkak se Komuna e Prizrenit ende nuk e ka shpronësuar tokën për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Llokvicë”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqe të KRPP-së.

Në anën tjetër, përfaqësues të CDI-së thonë se nëse Komuna nuk e bën shpronësimin e pronës në një të ardhme të shpejtë do ta humbë grantin në fjalë.

Astrit Vokshi, nga CDI-ja, thotë se para pak kohësh janë detyruar ta anulojmë tenderin për ndërtimin e impiantit, pasi që Komuna e Prizrenit nuk i është përmbajtur Marrëveshjes për Shpronësimin e Tokës, në të cilën është planifikuar të ndërtohet impianti për trajtimin e ujërave të zeza.

“Sivjet ai projekt nuk mund të realizohet dhe ne kemi anuluar tenderin për ndërtimin e impiantit. Ne kemi kërkuar nga Komuna që sa më shpejt që është e mundur të bëjnë shpronësimin e tokës e nëse një gjë e tillë nuk ndodh shpejt atëherë granti në fjalë do të bartet diku tjetër, pasi që projekti ynë përfundon më 31 dhjetor të vitit 2017, kështu që pas kësaj dite ne nuk mund ta bëjmë asnjë pagesë”, ka thënë Vokshi për “Zërin”.

Sipas tij, nga përfundimi i luftës e deri më tash qeveria zvicerane në formë të granteve ka dhënë shuma të mëdha përshash në ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit, por edhe të kanalizimeve.

Për këtë çështje gazeta i ka dërguar pyetje Komunës së Prizrenit, por përgjigje nga ta nuk ka mundur të marrë as pas dy javësh pritjeje.