Kosovarët për nëntë muaj 'dogjën' 170 milionë euro

Ekonomia October 16, 2016 - 08:32

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti në Kosovë janë importuar 2327 tonë duhan dhe vlera e tij së bashku me të gjitha taksat është rreth 170 milionë euro. Duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shihet se sivjet janë importuar rreth 300 tonë duhan më shumë

Rreth 170 milionë euro i kanë “djegur” kosovarët gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti nga konsumimi i duhanit. Pavarësisht ngritjes së vazhdueshme të çmimit të duhanit në treg, duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Doganës së Kosovës shihet se në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje të dukshme të importit.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, thotë se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit shtator në Kosovë janë importuar hiç më pak se 2327 tonë duhan, derisa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, sipas tij, në vendin tonë janë importuar 2070 tonë duhan. Stavileci thotë se sipas të dhënave zyrtare numri i kompanive që bëjnë import të duhanit është i madh. “Ka shumë kompani që bëjnë importin e duhanit. Pjesa më e madhe e duhanit ka origjinë nga vendet evropiane, derisa gjatë këtij viti kanë paguar deri në shtator 125 milionë euro taksa, derisa vitin e kaluar ishin 96.2 milionë euro”, tha Stavileci për gazetën “Zëri”. Zëdhënësi Doganave Adriatik Stavileci thotë se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit shtator janë importuar 2,327,214 kilogramë duhan, ku vlera e duhanit të importuar është 43,247,268 euro. Sipas Stavilecit, për duhanin e importuar kompanitë në emër të Doganës paguan 4,299,873 euro, akcizë 95,286,481 euro, si dhe TVSH 25,710,047 euro. Më tej Stavileci bën të ditur se gjatë periudhës janar - shtator të vitit 2015 në Kosovë janë importuar 2,070,205 kilogramë duhan dhe vlera e tij ka qenë 40,187,004 euro. Për duhanin e importuar gjatë vitit 2015 Stavileci thotë se kompanitë importuese në emër të Doganës kanë paguar 4,018,042 euro, TVSH 19,096,446 euro, si dhe akcizë 73,150,104 euro.

30 milionë euro më shumë nga akciza në duhan

Zyrtarë të Doganës së Kosovës ditë më parë kanë bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka vazhduar edhe më tej të rrisë të hyrat e grumbulluara për buxhetin e Kosovës. Sipas tyre gjatë muajit shtator ka vazhduar trendi i mirë i mbledhjes së të hyrave e sidomos performacë të mirë ka pasur taksa e akcizës. Akciza e grumbulluar nga importi i duhanit në krahasim me vitin e kaluar, sipas tyre është për 29,6 milionë euro më shumë.

“Muaji shtator në raport me shtatorin e kaluar ka shënuar rritje të importit  të cigareve me afër 100 tonë, ndërsa në total në raport me vitin e kaluar kemi 293.1 tonë më shumë produkte të duhanit të zhdoganuar. Kjo ka ndikuar që edhe të hyrat të jenë shumë më të larta. Kështu në periudhë të njëjtë kohore totali i përgjithshëm i taksave në vitin 2015 ka qenë 96 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 kemi inkasuar 125,2 milionë euro apo saktësisht 29,6 milionë euro më shumë, që tregon se kemi rritje të inkasimit në shkallë prej 30.19%”, kanë bërë të ditur Doganat e Kosovës.

Rexhepi: Importuesit kanë mbushur depot

Në anën tjetër njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se rritja e akcizës ka ndikuar te importuesit që të rrisin sasitë nëpër depot e tyre për të përfituar më shumë. Ibrahim Rexhepi, nga organizata joqeveritare “Stras”, ka thënë se paralajmërimi i rritjes së akcizës ka shtyrë që të rritet importi i cigareve pa marrë parasysh që konsumi nuk është rritur.

“Pra, importuesit kanë mbushur depot duke mos paguar akcizë më të lartë sesa do të aplikohet prej vitit të ardhshëm. Po, realisht për duhanin 170 milionë euro të shpenzuara janë shumë”, ka thënë Rexhepi.