Telekomi i Serbisë zyrtarizohet në Kosovë (Dokument)

Ekonomia October 13, 2016 - 07:53

Operatori serb i telefonisë mobile “MTS” është regjistruar si biznes në Kosovë, me adresë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës. Në ATK konfirmojnë se ky biznes është aktiv dhe deklarues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)

Operatori i telefonisë mobile serbe “MTS” ka gati 1 vit që është zyrtarizuar në Republikën e Kosovës.

Ky operator shtetëror është i regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), pronar i të cilit figuron “Telekom Srbija AD Beograd”.

Sipas certifikatës së biznesit, të cilën e posedon gazeta “Zëri”, pikërisht para një viti (12 tetor 2015) është konstituar Telekomi i Serbisë në Kosovë, përderisa përfaqësues i kësaj kompanie figuron të jetë Ilija Ivanoviq.

Adresa e këtij biznesi është në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës dhe se kapitali fillestar është 25 mijë euro.

Operimi i “MTS”-së në Kosovë është produkt i marrëveshjes mes palës serbe dhe asaj kosovare gjatë negociatave që po mbahen në Bruksel.

Po ashtu, burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda Administratës Tatimore të Kosovës bëjnë të ditur se biznesi në fjalë është aktiv dhe është deklarues i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

 Gashi: Operimi do të jetë i limituar

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP), thotë se Marrëveshja për Telekomin e arritur në Bruksel nuk trajton çështjen e procedurave të hyrjes së operatorit të tretë të telefonisë mobile në Kosovë.

Sipas tij, kjo marrëveshje parasheh dhënien e një licence të përkohshme dhe të kufizuar për një kompani të re, brenda infrastrukturës aktuale që është në përdorim nga operatori ilegal MTS në Kosovë. “Dhënia e kësaj licence të përkohshme dhe të kufizuar është e kushtëzuar me marrjen e kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën 383 nga ITU-ja. D.m.th kjo licencë e përkohshme dhe e kufizuar do të jepet në momentin e marrjes së kodit telefonik shtetëror nga ITU-ja dhe do të jetë funksionale deri në hyrjen e operatorit të tretë telefonik në Kosovë”, ka thënë Gashi për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me operator të tretë, por një licencim të përkohshëm dhe të kufizuar të bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për Telekomin.

“Me këtë rast bëhet kufizimi në kohë dhe në hapësirë gjeografike i operimeve ilegale që kanë ndodhur në Kosovë që nga viti 1999 në telefoninë mobile”, shtoi Gashi.

Ai bëri të ditur se këto operime të limituara do të jenë funksionale deri në hyrjen e operatorit të tretë telefonik në Kosovë, proces i cili do të zhvillohet duke u bazuar në standardet e BE-së. “Këto operime do të mbulojnë vetëm pjesët të cilat janë mbuluar deri më tani nga operatorët ilegalë, që do të thotë se do të jenë të limituara brenda infrastrukturës aktuale që ata kanë në përdorim dhe zonës gjeografike që e mbulojnë. Ata po ashtu do të jenë të kufizuar në numeracion dhe në numër të stacioneve bazë të transmetimit”, ka thënë më tej ai.

Hyseni: Po legalizohet operatori ilegal

Në anën tjetër Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së LVV-së, thotë se ajo çfarë ka ndodhur më këtë rast është ​tentativa për një kompromis shumë të rëndë, të cilin e kanë kundërshtuar me peticion mbi 205 mijë qytetarë të Kosovës dhe të gjithë specialistët e fushës së telekomunikacionit bashkë me opozitën.

“Kjo marrëveshje e Isa Mustafës, Hashim Tha​çit me Aleksandër Vu​çiqin dhe Ivica Da​çiqin parashikon të legalizo​jë një operator ilegal të telefonisë mobile serbe, i cili përve​​ç dëmit në buxhet të shtetit është edhe cenim sovraniteti​ duke ditur që bëhet fjalë për operatorin shtetëror të Serbisë​. ​K​ur thërret në shtetet fqinje si Maqedonia​, madje edhe me Shqipërinë,​ thirrja konsiderohet​ dhe llogaritet në ​çmim si​ ndërkombëtare, kurse thi​rrja ​sipas marrëveshjes nuk do të jetë ndërkombëtare me Serbinë jo. Ne konsiderojmë se do të duhej të ndodhte largimi i këtyre operatorëve ilegalë e jo legalizimi i tyre.​ Madje shumë është vonuar ky proces. Me k​​ëto veprime, me këto marrëveshje e kompromise po​ tentohet t'u jepet shumë nga sovraniteti në fushën e telekomunikacionit, gjë që sipas Hysenit që ​do t​​​ë​ ​na çon​te​ drejt 'integrimit' gradual në sistemin telefonik të Serbisë”, ka thënë Hyseni për gazetën “Zëri”

 

Image