13 mijë automjete me targa prej letre

Ekonomia October 11, 2016 - 08:12

Rreth 13 mijë automjete në Kosovë janë duke qarkulluar me targa prej letre. Para pak kohësh Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zgjedhur kompaninë fituese për “Furnizim me tabela”. Por kompanitë e pakënaqura janë ankuar në OSHP, e ku kjo e fundit ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ende nuk ka dhënë vendimin përfundimtar nëse ka pasur apo jo shkelje në tenderin për “Furnizim me tabela të automjeteve”, të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB).

Zyrtarë të MPB-së kanë thënë se janë duke e pritur raportin përfundimtar nga OSHP-ja, ku në bazë të këtij vendimi ato do të vazhdojnë me hapa të mëtutjeshëm.

Rroksana Qarri, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se kanë pranuar raportin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së ku, sipas saj, shumë shpejt do të pranojnë edhe vendimin përfundimtar nga ky organ.

“Autoriteti kontraktues – MPB-ja, më datën 09 gusht 2016 ka bërë publikimin e njoftimit për dhënien e kontratës në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, por pas pranimit të ankesave kemi pranuar vendimin për pezullim nga OSHP-ja. Gjithashtu kemi pranuar edhe raportin e ekspertit shqyrtues – OSHP-së, kurse tani jemi në pritje të vendimit përfundimtar të panelit shqyrtues – OSHP-së, vendim të cilin shpresojmë së shpejti do ta pranojmë, të cilin pastaj jemi të obliguar ta zbatojmë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, afati me tabela provuese do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi të ri nga ana e Ministrisë.

Por sipas saj, vonesat e deritashme kanë bërë që 12,481 automjete të pajisen me targa provuese (të përkohshme).

“Momentalisht numri i automjeteve që janë në qarkullim me targa RP është 12,481 dhe sipas vendimit të ministrit nr. 187/2016, të datës 23.06.2016, pajisja dhe afati i vlefshmërisë me targa provuese do të vazhdojë deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër”, ka thënë ajo.

Ndryshe, në prill të këtij viti MPB-ja përmes procedurës së negociuar kishte zgjedhur konsorciumin “G3 Inxhiniering & Rade Konçar” si fitues të tenderit emergjent për furnizim me 18 mijë tabela, ku tenderi furnizues emergjent me targa ka qenë i kufizuar me afat prej 30 ditësh, ku më pas Ministria ka filluar të japë vetëm targa provuese.

Ndryshe, aktiviteti i prokurimit ka qenë i shpallur në KRPP, më datën 17.08.2015, sipas procedurës së hapur dhe pas përfundimit të vlerësimit ky aktivitet është anuluar më datën 20.10.2015, sepse asnjë operator nuk ka përmbushur kërkesat sipas standardeve të kërkuara nga MPB-ja.

Më datën 30.10.2015 procesi i kontestimit të vendimit të MPB-së është bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ky Organ ka kërkuar nga MPB-ja t’i rivlerësojë ofertuesit.

MPB-ja pas rivlerësimit ka nxjerrë vendim për anulim, vendim ky i cili është apeluar në OSHP më datën 24.12.2015, kurse OSHP-ja më datë 26.04.2016, pra pas katër (4) muajsh vonesë (si rrjedhojë e vonesës në emërimin e anëtarëve të OSHP-së) ka nxjerrë vendimin përfundimtar dhe ankesa e operatorëve është refuzuar si e pabazë.