61 të vdekur në vendet e punës

Ekonomia October 10, 2016 - 08:26

Gjatë 5 vjetëve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, ndërkaq 220 të tjerë janë lënduar lehtë e rëndë. Por në realitet numri i të lënduarve është shumë më i madh, pasi që një numër i konsiderueshëm nuk është raportuar fare

Niveli i sigurisë në punë edhe më tuje vazhdon të jetë i ulët, ku si pasojë gjatë pesë vjetëve të fundit në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 61 qytetarë, ndërkaq 220 të tjerë janë lënduar lehtë e rëndë.

Por në realitet numri i të lënduarve është shumë më i madh, pasi që një numër i konsiderueshëm nuk është raportuar fare.

Këto të dhëna janë pasqyruar në raportin e fundit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) “Siguria në punë e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë”, i publikuar para pak ditësh.

“Numri i aksidenteve të rënda dhe në shumicën e rasteve edhe me pasoja fatale për shëndetin e punëtorëve është shqetësues dhe është rritur nga viti në vit. Pasojat nga moszbatimi i masave apo zbatimi i pamjaftueshëm i rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë është problem shqetësues për njerëzit dhe natyrën në nivel global. Analizat e bëra kanë treguar se sektori i ndërtimtarisë prin me numrin më të lartë të rasteve me lëndime, por edhe me vdekje të punëtorëve. Duke u bazuar në këtë, ne kemi përzgjedhur për trajtim këtë sektor si një ndër sektorët më të ndjeshëm dhe me rrezik më të lartë krahas sektorëve tjerë”, thuhet në raport.

Ministria nuk e zbatoi ligjin

Sipas Auditorit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës si autoritet kyç për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk kanë arritur të zbatojnë ligjin, rregulloret dhe standardet për këtë fushë.

“Për pasojë gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë në vendin tonë ende nuk është në nivelin e pranueshëm”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka arritur të përmbushë plotësisht funksionin e saj sa i përket hartimit të legjislacionit dhe politikave për siguri dhe shëndet në punë.

“Ka miratuar katër Rregullore, të cilat janë pjesërisht të aplikueshme. Më tutje nuk ka themeluar Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, planin zhvillimor strategjik dhe rregulloret përkatëse për këtë fushë. Mungesa e këtyre mekanizmave tregon se ende nuk janë krijuar parakushtet për mbarëvajtjen e aktiviteteve, të cilat do të siguronin sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve. Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës ende nuk ka krijuar një sistem të menaxhimit dhe monitorimit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Mungesa e planeve vjetore dhe e inspektimeve efektive ka rezultuar në moszbatimin e kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, sistemi jo i qartë i raportimit ka dhënë efektet negative duke rezultuar me raportime të mangëta dhe të pastrukturuara. Për shkak të raportimit jocilësor nuk janë siguruar informata për klasifikimin e aksidenteve për numrin e përgjithshëm të inspektimeve. 

“Mungesa e trajnimeve adekuate, kapaciteteve njerëzore, si dhe atyre teknike kanë ndikuar që Inspektorati i Punës të mos i kryejë punët me efikasitet. Në mungesë të stafit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional vetëm një numër i kufizuar i bizneseve janë mbuluar me inspektime dhe si pasojë numri i aksidenteve dhe vdekjeve në punë vazhdon të rritet”, thuhet mes tjerash në raport.

Rekomandimet për MPMS-në

Në raportin e Zyrës së Auditorit Kombëtar të Auditimit thuhet se në afat sa më të shkurtër Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) duhet të hartojë rregullore për krijimin e parakushteve për Siguri dhe Shëndet në punë dhe të krijojë mekanizma për zbatimin e këtyre rregulloreve.

“Në afat prej gjashtë (6) muajsh të formojë këshillin nacional, i cili do të mbikëqyrë çështjet rreth sigurisë në punë për të punësuarit, brenda vitit 2016 të aprovojë strategjinë zhvillimore për siguri dhe shëndet në punë, të shqyrtojë mundësin e rritjes së kapaciteteve financiare, teknike dhe njerëzore të trupës ekzekutive të Inspektoratit të Punës për t’i mundësuar përmbushjen e obligimeve ligjore dhe të rrisë llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndaj trupës ekzekutive të Inspektoratit të Punës për të siguruar që përmbush obligimet e përcaktuara me ligj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Rekomandimet për TEIP-in

Më tej në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se në afat sa më të shkurtër Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës (TEIP) duhet të dizajnojë dhe të vendosë një sistem efikas të planifikimit, inspektimit në terren dhe monitorimit të inspektimeve.

Sipas Auditorit, aktivitetet e inspektimit duhet planifikohen dhe të dokumentohen mirë në mënyrë që performanca të jetë e matshme dhe aty ku vërehen ngecje të merren masa konkrete për përmirësimin e mangësive.

Po ashtu sipas Auditorit, TEIP-i duhet të implementojë raportim efektiv për inspektimet e kryera duke ofruar informacion sasior, cilësor, gjithëpërfshirës dhe të qartë lidhur me çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas Auditorit, raportet e inspektimit duhet të përmbajnë identifikimin dhe klasifikimin e rasteve aksidentale, sikur aksidentet e lehta, të rënda dhe fatale.

“Instalon një sistem efikas dhe efektiv të informimit të punonjësve, bizneseve dhe publikut në përgjithësi lidhur me kërkesat për sigurinë dhe shëndetin në punë. Me theks, krijon uebfaqen zyrtare për informim të rregullt dhe me mundësi qasjeje nga publiku, në të cilën do të mundë të publikonte të dhënat periodike të inspektimit për aktivitetet dhe çështjet tjera mbi sigurinë në punë dhe siguron zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes trajnimeve të vazhdueshme profesionale në bazë të standardeve, të cilat i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet më tej në raportin e Zyrës së Auditorit.

Sipas Auditorit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kryeinspektori i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës është pajtuar me të gjeturat dhe konkluzionet tona dhe është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për t’i adresuar rekomandimet e dhëna.