Bankat, 8.4 milionë euro fitim për një muaj
Gjatë muajit gusht të këtij viti të gjitha bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë një profit neto prej hiç më pak se 8.4 milionë eurosh. Përndryshe, gjatë 8 muajve të parë të këtij viti fitimi i bankave ka arritur në 55.1 milionë euro
Bankat komerciale në Kosovë edhe më tuje vazhdojnë të punojnë me afarizëm të suksesshëm derisa në anën tjetër industria e sigurimeve është duke punuar me humbje të madhe. Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë rritur të sigurojnë një profit neto prej hiç më pak se 8.4 milionë eurosh. Përndryshe, nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit gusht industria e sigurimeve arriti të sigurojë një profit prej 55.1 milionë eurosh derisa industria e sigurimeve ka arritur një rekord të humbjeve prej 11,5 milionë eurosh.
Në raportin e fundit të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri më tash të hyrat e bankave në Kosovë kanë qenë 154.9 milionë euro, ku nga kjo shumë 119.5 milionë euro janë të hyra nga interesi. E në anën tjetër shpenzimet në këtë periudhë kohore janë 99.8 euro.
Gjithnjë duke u bazuar në raportin e fundit të BQK-së shihet se gjatë kësaj periudhe kohore norma efektive e interesit në kredi ka qenë 7,5 për qind e ku norma mesatare e interesit për kredi familjare ka qenë 8,1 për qind, derisa norma efektive e interesit për kredi për ndërmarrje gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë 6,7 për qind.
Në raport me vitet paraprake sivjet janë duke qëndruar shumë mirë financiarisht edhe institucionet mikrofinanciare, të cilat janë duke realizuar fitime të mëdha derisa në vitet e kaluara ato kishin mbyllur vitin me bilanc negativ.
Sipas raportit të fundit të BQK-së shihet qartë se gjatë kësaj periudhe kohore të gjitha institucionet mikrofinanciare realizuan një profit prej hiç më pak se 2.6 milionë eurosh. Duke u bazuar në raporte zyrtare shihet se vetëm gjatë muajit gusht mikrofinancat fituan 500 mijë euro.
E keq me afarizëm sivjet i kanë punët kompanitë e sigurimeve, të cilat nga fillimi i vitit por edhe tash janë duke vazhduar të punojnë me humbje.
Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri më tash humbja e kompanive të sigurimeve është më e madhe sesa 11.5 milionë euro.
Sipas raportit të BQK-së shihet se gjatë kësaj periudhe kohore të hyrat e kompanive të sigurimeve në vendin tonë kanë qenë 34.9 milionë euro. Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore dëmet e ndodhura në vend kanë arritur vlerën në 25 milionë euro e derisa shpenzimet operative kanë qenë 21 milionë euro.
Rezultate pozitive sipas raporteve të BQK-së janë duke shënuar edhe investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ku vlera e tyre deri në fund të muajit gusht të këtij viti ka arritur në 1 miliard e 330 milionë euro.