Tmava: Askush nuk guxon ta çojë “Trepçën” në likuidim
Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka siguruar se nuk ka asnjë mënyrë që “Trepça” të dërgohet në likuidim. Ai madje është shprehur i sigurt se këtë nuk guxon ta bëjë askush, ngase “Trepça” do t’i kthehet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj si një prej potencialeve më të mëdha ekonomike në vend.
“Nuk ka asnjë mënyrë që ‘Trepça’ të shkojë në likuidim. Nuk guxon askush ta bëjë këtë. Të gjithë jemi duke punuar, edhe institucionet e shtetit, që Ligji për ‘Trepçën’ të procedohet në Kuvend dhe të miratohet, si dhe të përfundojë sa më shpejt procesi i studimit të fizibilitetit. Këto punë do të bëhen para 1 nëntorit”, ka thënë sigurt drejtori Tmava. I pyetur se çfarë do të bëhet nëse eventualisht nuk përfundon studimi i fizibilitetit dhe nëse nuk miratohet Ligji për “Trepçën” deri me 1 nëntor dhe se a ka rrezik që gjiganti ekonomik kosovar të shkojë në likuidim, drejtori Tmava është përgjigjur: “Kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë, të jeni të sigurt, sepse institucionet janë duke punuar që këto punë të kryhen. Nuk guxon askush as të mendojë që ‘Trepçën’ ta çojë në likuidim”, ka siguruar drejtori Tmava.
Çelaj: “Trepça” nuk e meriton të shkojë në likuidim
E ndërkaq Halil Çelaj, ekspert i fushës së minierave dhe mineraleve, tha se “Trepça” nuk e meriton të shkojë në likuidim. “Me gjithë këto resurse, me gjithë këtë potencial që ka, ‘Trepça’ në asnjë mënyrë nuk është e drejtë që të shkojë në likuidim. Këtë nuk e meriton ky gjigant i ekonomisë së vendit. Po të donin Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe të tjera institucione ‘Trepçën’ mund ta shpëtojnë nga likuidimi. Përndryshe, po nuk u miratua Ligji për ‘Trepçën’ dhe po nuk u krye studimi i fizibilitetit, atëherë AKP-ja ka një ligj të veten për ta dërguar në likuidim. Do të thotë ka mundësi që të ndodhë edhe likuidimi, por unë besoj se këtë nuk do ta lejojnë institucionet e shtetit të vendit”, i ka thënë “Zërit” Çelaj.
Në anën tjetër, edhe kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, beson se “Trepça” nuk do shkojë në likuidim. Sipas tij, kompania që ka fituar tenderin për studimin e fizibilitetit në “Trepçë” do të përfundojë punën para 1 nëntorit. Gashi ka thënë se kontrata me konsorciumin fitues “HPC dhe Ernst & Young”, ku bën pjesë edhe një kompani kosovare, do të nënshkruhet brenda javës që vjen.
“Vlera e kontratës është 600 mijë euro, kontrata ka qenë dashur të nënshkruhej në korrik dhe afati i përfundimit të procesit të fizibilitetit ka qenë 4 muaj. Por, tani do të insistojmë që kompania të përshpejtojë dhe ta gjejë një datë të pranueshme për ta përfunduar gjithë procesin e studimit të fizibilitetit para 1 nëntorit. Unë shpresoj shumë se edhe studimi i fizibilitetit e edhe ndryshimet ligjore do të bëhen para 1 nëntorit”, ka thënë mes tjerash Gashi. Ai ka shtuar se me studimin e fizibilitetit për “Trepçën” parashikohen investimet në “Trepçë”, financimi, implikimet në treg, aspektet teknologjike, burimet njerëzore dhe struktura pronësore e saj.
Komisioni Qeveritar për Hartimin e Draftligjit për “Trepçën” është formuar në muajin prill të këtij viti, por ende nuk ka arritur që të procedohet në Komisionin për Zhvillimin Ekonomik e pastaj në Kuvend për miratim.
Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, ka ripërsëritur se “Trepça” është një dhe e pandashme, se ka një kupolë, ndonëse drejtohet nga dy menaxhmente, një në jug dhe një në veri. Para pak ditëve kryetari i Bordit të AKP-së ka vizituar “Trepçën” në veri dhe ka biseduar me menaxhmentin e atjeshëm. Me drejtorin aktual të “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq, Gashi ka biseduar për zhvillimet dhe aktivitetet në atë pjesë. Sipas Gashit, në pjesën veriore të “Trepçës” kryhen rregullisht raportet e auditimit dhe se menaxhmenti dërgon raporte të rregullta mujore në AKP për prodhimin në “Trepçë” në veri dhe për zhvillimet tjera.
Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Qeveritar për Hartimin e Draftligjit për “Trepçën”, ka siguruar se është duke u punuar që ligji të shkojë sa më shpejt në Kuvend për miratim, por ai nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të mundë të procedohej ky ligji në Kuvendin e Kosovës për miratim.
Interesohen amerikanët
Për situatën në “Trepçë” interesim ka shprehur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Një delegacion i Ambasadës amerikane, në të cilin ndodheshin Mary Glantzi, zëvendësshef i Sektorit për Politikë dhe Ekonomi, dhe Meredith Rubin, zyrtare e lartë për Ekonomi, kanë takuar kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashin, me të cilin kanë biseduar për punën e AKP-së dhe sfidat e saj, duke përfshirë edhe zhvillimet lidhur në “Trepçë” dhe rreth saj.
Ndryshe, prodhimi në “Trepçë” në jug dhe në veri ka vazhduar normalisht. Punëtorët e minierës së plumbit dhe zinkut në Stan Tërg, ndonëse të interesuar tej mase për të ditur për fatin e mëtutjeshëm të “Trepçës”, si dhe pavarësisht vështirësive me të cilat përballet “Trepça” kanë vazhduar të punojnë me dinamikë të shtuar. Ata besojnë se fati i “Trepçës” është në duart e institucioneve më të larta të shtetit dhe se ato janë të vetëdijshme se “Trepça” duhet t’i kthehet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.