Drejtori i Postës në konflikt me dy zyrtarë të lartë
Dy zyrtarë të lartë të Postës së Kosovës (PK), Xhevdet Smakiqi dhe Argjent Sefa, janë paraqitur në Polici se janë kanosur nga drejtori i Postës Sejdi Hoxha.
Por, pas katër ditësh që të dytë në momentin kur janë ftuar në intervistë kanë deklaruar se nuk janë të interesuar të vazhdojnë më tutje me rastin, të cilin Policia edhe e ka mbyllur.
Policia e Kosovës konfirmon rastin, por në anën tjetër si Hoxha, ashtu edhe Smakiqi dhe Sefa në mënyrë kategorike mohojnë të kenë pasur konflikt mes vete.
Në përgjigjet e dërguara nga zyra për media e Policisë së Kosovës thuhet se më datë 30.11.2015 rreth orës 09:30 në stacionin Policor Jugu në Prishtinë janë paraqitur ankuesit Xh. S. dhe A. S. ku të njëjtit kanë pretenduar se janë kanosur nga mbikëqyrësi i tyre.
“Nga deklarimet e tyre nuk janë shfaqur elemente qenësore të veprës penale të kanosjes, kësisoj Prokurori i Shtetit ka rekomanduar që të iniciohet vetëm një hetim preliminar. Ndërkohë që më datë 04.12.2015 ankuesit janë ftuar për intervistë, të njëjtit janë deklaruar se nuk janë të interesuar që të procedojnë më tej në lidhje me pretendimet e tyre, andaj më 18.12.2015 rasti është mbyllur”, thuhet në përgjigjet e dërguara.
Por, pavarësisht se Policia e konfirmon rastin, në anën tjetër kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në mënyrë kategorike mohon të ketë pasur konflikt fizik me sekretarin e Korporatës Argjent Sefën. Hoxha thotë se si me personin në fjalë, po ashtu edhe më të gjithë punëtorët e Korporatës ka raporte të mira.
“Unë sa jam në Postës e deri sot, asnjë problem nuk e kam pasur me asnjë punëtor të Postës së Kosovës”, thotë Hoxha për gazetën “Zëri”.
Ai madje thotë se nuk është në dijeni nëse Policia e Kosovës ka hapur rast rreth konfliktit në fjalë.
“S’po e di pse Policia me hap rast kur unë asnjë problem nuk kam pasur me askënd. Sikur unë të kisha pas problem me dike Policia me kish thirr për intervistë”, thotë më tej Hoxha. Ai madje thotë se me Sefën kanë edhe lidhje familjare.
“Kjo që po e thoni ju në asnjë formë s’ka ndodh. Me personin në fjalë unë kam dhe lidhje familjare”, ka thënë më tej Hoxha. Po ashtu edhe sekretari i Korporatës Argjent Sefa mohon të ketë pasur ndonjëherë probleme me kryeshefin Hoxha.
Gazeta për këtë çështje ka kërkuar që të takohet me Sefën, por ky ka thënë se për këtë çështje nuk ka arsye takimi, pasi që, sipas tij, asnjë konflikt deri më tash nuk ka pasur mes tij dhe kryeshefit Hoxha. “Unë e di që deri më sot nuk kam pasur ndonjë konflikt me asnjë njeri”, ka thënë më tej ai.
Gazeta po ashtu ka kontaktuar edhe me Xhevdet Smakiqin, por as ky nuk ka dashur të flasë rreth problemit në fjalë.