100 mijë euro për tri autoambulanca

Ekonomia September 10, 2016 - 08:22

Komuna Graçanicës do t’i shpenzojë 100 mijë euro për furnizim me tri autoambulanca. Para tre ditësh Zyra e Prokurimit e kësaj Komune, ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) njoftimin për shpallje të tenderit për furnizim me autoambulanca. Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të KRPP-së thuhet se operatori ekonomik (OE) që dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi të prokurimit duhet t’i përmbushë kërkesat mbi përshtatshmërinë në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-042, Neni 65.

Zyra e Prokurimit ka kërkuar nga OE një dokument nga Administrata Tatimore e vendit të themelimit të kompanisë, e cila dëshmon se kompania nuk është në vonesë për pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës, si dhe një dokument i lëshuar nga gjykata kompetente që vërteton se operatori ekonomik i përmbush “kërkesat e përshtatshmërisë”. Ky dokument duhet të jetë i lëshuar së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës.

Po ashtu Zyra e Prokurimit e Komunës së Graçanicës për operatorët ekonomikë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi të prokurimit, ka kërkuar certifikatën e regjistrimit të biznesit, certifikatën e TVSH-së, për kompanitë vendore, certifikatën me numër fiskal të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës - për kompanitë vendore, si dhe operatorët ekonomikë duhen të dorëzojnë autorizim nga prodhuesi ose përfaqësuesi i tij, për shitje për produktet që oferton - (origjinal ose i noterizuar).

150 mijë euro qarkullim për tre vjet

Po ashtu, Zyra e Prokurimit e kësaj Komune me dosje të tenderit ka paraparë që kompanitë, apo edhe konsorciumet që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi të prokurimit, në tre vitet e fundit 2013, 2014 si dhe 2015 duhet të kenë të hyra minimale prej 150 mijë eurosh. Për kompanitë vendore që konkurrojnë në këtë proces prokurimi duhet certifikatë e regjistrimit të biznesit (kopje).

Ndërkaq, për kompanitë e huaja, në rast të shpërblimit me kontratë, duhet të regjistrojnë biznesin (përfaqësinë) e tyre në Kosovë. “Operatorët ekonomikë duhen të dorëzojnë autorizim nga prodhuesi ose përfaqësuesi i tij, për shitje për produktet që oferton - (origjinal ose i noterizuar)”, thuhet më tej në njoftimin e publikuar për kontratë në ueb-faqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Tri referenca për furnizime

Autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Graçanicës, me dosje të tenderit ka paraparë që operatori ekonomik që dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi të prokurimit duhet të ketë realizuar me sukses minimum tri referenca për furnizime të ngjashme në 3 vjetët e fundit (2013, 2014, 2015). Po ashtu, operatori ekonomik duhet të ketë listën e kontratave: që specifikon shumën e kontratës, datën e lëshimit të referencës ose raportit të pranimit për projektet – furnizimet e përfunduara me sukses – minimum (3) tre referenca ose raportin e pranimit të mallit për projektet – furnizimet e ngjashme të përfunduara me sukses në periudhë (2013, 2014, 2015).

“Operatorët ekonomikë do të kenë të drejtë të dorëzojnë tenderin, kërkesën për pjesëmarrje dhe dokumentet e tjera të nevojshme apo dosjet të cilat u lejohen gjatë kryerjes së një aktiviteti të prokurimit në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze”, thuhet më tej në njoftimin e publikuar në ueb-faqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Nëse ndonjëri nga operatorët ekonomikë nuk parashtron ndonjë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, atëherë hapja e tenderëve do të bëhet më 28 shtator të këtij viti, në orën 13:30, në ndërtesën e re të kësaj Komune.