'Luftë' për thëngjill
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare (KOMM) ka kërkuar ndihmën e inspektorëve të komunave Mitrovicë e Vushtrri për t’i luftuar operatorët ilegalë të thëngjillit, rërës, zhavorit dhe resurseve të tjera. KPMM-ja ka identifikuar operatorët ilegalë në Vushtrri, ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkuese, ndërsa deri me tani janë shqiptuar 250 mijë euro gjoba
Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerare i ka dalë punë me shfrytëzuesit ilegal të thëngjillit në komunat Mitrovicë dhe Vushtrri, ndonëse ndaj operatorëve ilegalë, të cilët janë zënë duke nxjerrë thëngjill, rërë e zhavorr janë ndërmarrë masa ndëshkuese konform ligjit.
Kryeinspektori i Minierave, Fatmir Gërguri, ka thënë se deri me tani janë shqiptuar dënime në vlerë prej rreth 250 mijë euro ndaj operatorëve ilegalë të thëngjillit dhe të resurseve të tjera.
Ai ka vlerësuar se për ta parandaluar këtë dukuri kërkohet ndihma e institucioneve komunale, në veçanti e inspektorëve komunalë për parandalimin e operatorëve ilegalë të shfrytëzimit të thëngjillit, zhavorit dhe resurseve të tjera në territorin e komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.
“Si Komision i Pavarur për Miniera dhe Minerare, kemi bërë shumë në parandalimin e operatorëve ilegal të shfrytëzimit të thëngjillit, zhavorit, rërës e resurseve tjera nëpër komunat e Kosovës, duke shqiptuar dënime të shumta në vlerë prej rreth 250.000 euro. Mirëpo, operimet nuk kemi mundur t’i parandalojmë, andaj kemi kërkuar mbështetjen e institucioneve komunale dhe sidomos të inspektorëve komunalë për parandalimin dëmeve që po shkaktojnë operatorët ilegal të qymyrit”, ka thënë Gërguri, i cili ka shtuar se përveç dëmeve materiale që po shkaktojnë, këta operatorë po rrezikojnë edhe shëndetin dhe jetën e punëtorëve dhe të qytetarëve, andaj edhe shtrohet nevoja e bashkërenditjes së aktiviteteve të Komisionit dhe institucioneve komunale për parandalimin e veprimtarisë së tyre.
Nxjerrja e thëngjillit veprimtari e jashtëligjshme
Gërguri vlerëson se inspektorët komunalë do të ndihmonin shumë nëse nëpër tregje i identifikojnë shitësit dhe prejardhjen e materialeve dhe nëse do t’i njoftonin inspektorët e nivelit qendror, të cilët do të konfiskonin materialet dhe në këtë mënyrë do të bëhej parandalimi i operatorëve të ndryshëm e të shumtë, të cilët nuk respektojnë fare ligjet në fuqi.
Kryeinspektori Gërguri tha se çdo aktivitet që bëhet për nxjerrjen e qymyrit të Kosovës është i jashtëligjshëm, përjashtuar nxjerrjet që bëhen në KEK.
“Asnjë person juridik dhe fizik nuk ka leje e as të drejtë të bëjë eksploatimin e qymyrit. Sanksionet për shkelësit e Ligjit për Miniera dhe Minerale janë të larta. Në komunën e Vushtrrisë janë identifikuar shumë operatorë ilegalë, ndaj të cilëve janë bërë kallëzime penale për shkak të nxjerrjes së qymyrit”, ka sqaruar kryeinspektori Gërguri.
E ndërkaq, nënkryetari i Vushtrrisë, Dibran Përçuku, thotë se komuna është e vendosur që ta zbatojë ligjin me përpikëri dhe nuk do të lejojë asnjë abuzim apo shkelje të ligjit atyre që në mënyrë ilegale shfrytëzojnë resurset minerare të shtetit.
“Institucionet komunale do të japin mbështetjen dhe ndihmën në maksimum për parandalimin e shfrytëzimit të pasurive minerale të vendit pa licencë zyrtare”, siguron Përçuku.
Identifikohen të gjithë shfrytëzuesit ilegale
Ndërsa, nënkryetari i Mitrovicës, Safet Kamberi, ka thënë se organet komunale dhe në veçanti inspektorët komunalë janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me inspektorët qendrorë dhe të japin kontributin e tyre në parandalimin e operatorëve ilegal, por duke vepruar gjithnjë mbi baza ligjore dhe duke mos i ngatërruar kompetencat.
“Duke pasur parasysh se resurset minerare, pavarësisht nga prejardhja e tyre, forma ose gjendja fizike, të cilat gjendën në brendësi të tokës apo në sipërfaqe të saj dhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë pronë e Republikës së Kosovës dhe konform Ligjit për Miniera dhe Minerale, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 22 korrik 2010, do të ndërmerren masa të ashpra ndaj të gjithë shfrytëzysve të thëngjillit në mënyrë të paautorizuar”, ka ripërsëritur kryeinspektori i Minierave, Fatmir Gërguri, i cili ka siguruar, se pasi që deri më tash janë identifikuar pothuajse të gjithë shfrytëzuesit ilegalë të thëngjillit në Komunën e Vushtrrisë, të cilët janë edhe të njoftuar për aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm, tani e tutje, pos kallëzimit penal dhe gjobave në të holla, atyre do t’u sekuestrohen edhe mjetet e transportit dhe thëngjilli.