Investimeve infrastrukturore në vlerë prej mbi 2 miliardë euro

Ekonomia August 25, 2016 - 12:50
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore.

Ministri i Integrimit Europian, Bekmi Çollaku, është shprehur i lumtur për këtë vendim të Qeverisë, të cilin edhe e ka arsyetuar para kabinetit qeveritar.

Ky është postimi i tij i plotë: 

Jam i lumtur t’ju njoftoj se sot qeveria e Kosovës miratoi Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Para dy vitesh, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve për investime infrastrukturore në Ballkan Perëndimor. Bashkimi Evropian ka ndarë 1 miliard Euro për financimin e projekteve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

Për të pasur qasje në këto fonde kemi përmbushur dy kritere kyçe që janë: Themelimi i Këshillit Kombëtar për Investime, dhe; Përgatitja e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Sot miratuam programin e investimeve infrastrukturore të përbërë prej 55 projekteve në vlerë prej 2.7 miliard Euro. Institucionet e Kosovës kanë arritur të përgatitin një program të qartë të investimeve infrastrukturore për vitet dhe dekadat në vijim.

Republika e Kosovës tashmë ka përfituar grantin e parë investiv për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, në vlerë prej afro 52 milion Euro. Projektet e tilla, përpos ndërtimit të infrastrukturës së re apo rehabilitimin e saj, do të sjellë integrim më të mirë të tregjeve, lëvizjen më të mirë të udhëtarëve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së vendit.

Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore do të shërben si udhërrëfyes për investimet e ardhshme infrastrukturore në Kosovë dhe bazë për orientimin e shpenzimeve tona buxhetore, asistencën e donatorëve dhe negociatave financiare me Bankat zhvillimore.