Për fund, Zhbogar ndan 500 mijë euro për Leposaviqin

Ekonomia August 24, 2016 - 08:14

Gati 500 mijë euro për dy projekte i janë ndarë Komunës së Leposaviqit nga Fondi për Zhvillimin e Veriut, në një mbledhje të Bordit të Fondit ZHV, të cilin për herë të fundit e ka kryesuar përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Nga 1 shtatori, Zhbogar do të marrë pozitë të re në Maqedoni.

Gjithashtu, Bordi i FZHV-së ka lejuar propozimet për tri projekte të tjera për mbështetje financiare, e që kanë të bëjnë me rinovimin e sistemit të kanalizimit në Zveçan, ndërtimin e Qendrës Rinore në Zubin Potok dhe ndërtimin e ndërtesave sociale në Leposaviq, vlera e përgjithshme e të cilave është rreth 1 milion euro.

Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, të cilin e përcjell portali “Kossev” në veri të Mitrovicës, shuma më e madhe e mjeteve (415 mijë euro) i janë ndarë komunës së Leposaviqit për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve dhe mbi 60 mijë euro për institucionin parashkollor në Leshak, për pajisje me mjete.

Sipas të dhënave të Zyrës së BE-së në Kosovë, këtij institucioni parashkollor, nga Fondi për Zhvillimin e Veriut, më herët i janë dhënë 140 mijë euro për të njëjtin qëllim, ndërkohë që objekti është ndërtuar me mjetet nga programi i BE-së (IPA).

Bordi i Fondit për Zhvillimin e Veriut, më përpara ka lejuar dy projekte për komunën e Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut në vlerë të përgjithshme prej 700 mijë eurosh.

Në Fondin për Zhvillimin e Veriut deri më tani janë mbledhur 10.6 milionë euro, ndërkohë që komunave veriore u janë ndarë 7.5 milionë euro. Në këtë Fond mblidhen mjetet nga taksat doganore në pikat kufitare në Bërnjakë dhe Jarinje.

Për punën e Fondit dhe ndarjen e mjeteve vendos Bordi i FZHV-së, të cilin e përbëjnë: Samuel Zhbogar (kryesues), ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Abdullah Hoti, dhe Danijela Zubac, përfaqësuese e komunitetit serb. 

Fondi për Zhvillimin e Veriut është themeluar pas raundit të katërt të bisedimeve në mes të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 17 janar 2013.

Bazë e formimit të këtij Fondi ka qenë marrëveshja për kufijtë e integruar, e arritur më 4 dhjetor 2012. Si rezultat i marrëveshjes, Qeveria e Kosovës ka propozuar një amendament në Ligjin për Buxhet të Kosovës për vitin 2013, në mënyrë që marrëveshja të realizohet.

Sipas këtij amendamenti, të gjitha mjetet publike (paratë) të mbledhura nga taksat në mallra që hyjnë nga ndërmarrjet që janë të regjistruara në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe ato që janë të dedikuara për konsum në këto komuna, në momentin e hyrjes në Kosovë nëpërmes pikave doganore në Jarinje dhe Bërnjakë, do të dërgohen në Fondin për Zhvillimin e Veriut. Këto mjete regjistrohen në sistemin informativ të menaxhimit financiar në Kosovë.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka kërkuar që edhe komuna jugore e Mitrovicës të jetë shfrytëzuese e këtij Fondi, pasi që Mitrovica gjithmonë ka qenë një dhe e pandashme dhe do të jetë e tillë edhe në të ardhmen, pavarësisht se Mitrovica është ndarë në dy komuna.

Bahtiri ka thënë se një pjesë e mirë e buxhetit të Mitrovicës ka shkuar në veri dhe se me buxhetin aktual nuk mund të realizohen projekte të mëdha kapitale.