200 milionë euro humbje në mungesë të kodit telefonik

Ekonomia August 15, 2016 - 08:18

Rreth 200 milionë euro i ka humbur Kosova nga përfundimi i luftës e deri më tash në mungesë të kodit telefonik. Operatori i telefonisë mobile “Vala” edhe më tutje përdor prefiksin e “Monaco Telecom”, ndërkaq operatorit tjetër IPKO përdor prefiksin e Telekomit Slloven.

Kohë më parë në Bruksel kishin nisur negociatat mes palës kosovare dhe asaj serbe rreth kodit telefonik për Kosovën, por deri më tash nuk ka progres në këtë drejtim.

Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Edita Tahiri, thotë se raundi i fundit i bisedimeve në Bruksel ka qenë maratonik dhe ka zgjatur mbi nëntëmbëdhjetë (19) orë me ç’rast është shënuar progres në zhbllokimin e marrëveshjeve së Telekomit dhe marrjes së kodit telefonik shtetëror nga ana e ITU-së, +383.

“Bashkimi Evropian në këto bisedime ka qenë shumë i angazhuar në mënyrë që edhe kjo marrëveshje të zbatohet sepse pala serbe deri tani e ka penguar implementimin e saj. Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Tahiri është i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore duke marrë parasysh se kodi telefonik ka rëndësi të madhe në planin e sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës në telekom. Siç thashë edhe më lart, në këto bisedime ka progres por se në ditët në vazhdim më saktësisht javën tjetër do të mbahet takimi i radhës në të cilin do të përmbyllet çështja e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Zyrtarë të Telekomit të Kosovës thonë se deri më tash për shfrytëzim të prefiksit kanë shpenzuar shuma të mëdha parash.

Arsim Bilalli, zyrtar për media në Telekomin e Kosovës, thotë se mungesa e kodit telefonik i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë kosto të lartë operative operatorit të telefonisë mobile, Telekomit të Kosovës.  

“Me marrjen e kodit telefonik dhe implementimin e tij teknik, operatorët telekomunikues do të kenë përfitime të shumta, të cilat do të reflektohen edhe në kualitetin e shërbimeve, por edhe në kostot operative, duke i hapur rrugë administrimit autonom të marrëdhënieve kontraktuale me operatorët tjerë telekomunikues anekënd botës. Në mungesë të kodit telefonik, Telekomi i Kosovës për kodin e telefonisë mobile të huazuar nga Monako Telekomi, deri tani për të gjitha vitet e operimit, i ka paguar Monaco Telekomit rreth 48 milion euro vetëm si taksa të enumeracionit”, ka thënë Bilalli.

Sipas tij, kësaj shume duhet shtuar edhe koston e trafikut, asistencën teknike, shpenzimet e roamingut, sinjalizimin, administrimin e kartelave gërvishtëse, që për një vit tejkalon mbi 9 milionë euro.

“Kjo do të thotë se për një vit Telekomi i Kosovës paguan rreth 9 milionë euro për të gjitha shërbimet që i faturohen në mungesë të kodit telefonik. Kodi telefonik do t’i mundësonte Telekomit të Kosovës administrim shumë më të mirë të raporteve kontraktuale me operatorët telefonikë anekënd botës duke siguruar kualitet më të mirë të shërbimeve dhe ulje të kostove operative. Rrjedhimisht, kjo do të reflektonte edhe në çmimin e shërbimeve te konsumatorët tanë”, ka thënë më tej ai.

Në anën tjetër jozyrtarisht edhe zyrtarë nga operatori i telefonisë mobile IPKO thonë se për çështjen e kodit brenda një viti përafërsisht shpenzojnë rreth 1 milionë euro.