Kosovarët s’i largohen bregdetit turk

Ekonomia August 12, 2016 - 08:02

Përfaqësues të kompanisë “Eurokoha” thonë se numri i qytetarëve që kanë zgjedhur bregdetin turk për t’i kaluar pushimet verore, vazhdon të jetë i njëjtë sikurse edhe viteve të kaluara

Çmimet e lira të ofertave kanë bërë që numri i qytetarëve nga Kosova, që kanë zgjedhur bregdetin turk për t’i kaluar pushimet verore, të jetë i njëjtë sikurse viteve të kaluara. Përfaqësues të kompanive turistike thonë se deri më tash janë shumë të kënaqur me interesimin e qytetarëve për të pushuar në këtë shtet.

Pranvera Bojniku nga kompania “Eurokoha” thotë se trendi i qytetarëve të cilët shkojnë për të bërë pushime në këtë shtet vazhdon të jetë i palëvizshëm.

“Çmimet janë relativisht të njëjta me vitet e kaluara, mund të themi se nuk ka fare ndryshime as në çmime, por as në aspektin e frekuentimit të pushuesve. Kompania jonë destinacion ka bregdetet e Turqisë dhe është mjaft e kënaqur me interesimin e qytetarëve”, ka thënë ajo. Sipas saj, ngjarjet e fundit politike në Turqi nuk kanë ndikuar aspak në uljen e numrit të turistëve. E për ata që nuk kanë mundësi të kalojnë pushimet në këtë shtet, riviera shqiptare edhe më tutje mbetet vendi më i preferuar i kosovarëve. Përfaqësues të kompanive turistike që bëjnë bartjen e udhëtarëve thonë se interesimi i qytetarëve për të pushuar në bregdetin shqiptar mbetet i madh.

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i kompanisë “Sharr Travel”, ka thënë se interesimi i qytetarëve për të kaluar pushimet verore në Shqipëri thuajse është i njëjtë sikurse viteve të kaluara.  Sipas tij, sivjet është rritur dukshëm interesimi i qytetarëve për të pushuar në Sarandë, Ksamil e Dhërmi, pasi që, sipas tij, në Velipojë dhe Shëngjin ka pasur lëvizje të madhe të çmimeve si rezultat i kërkesës së madhe. Ai ka treguar se në Sarandë gjatë kësaj sezone kanë frekuentuar rreth 50.000 turistë nga Kosova. ”Saranda dhe Ksamili mbeten vendet bregdetare më të lira në Shqipëri, ku një kafe mund ta pish me 50 centë, sikurse në Kosovë”, ka thënë ai. Më tej Kurtishaj thotë se për dallim nga Shqipëria në Ulqin çmimet janë dukshëm më të larta, sipas të cilit sivjet ka ngritje të çmimeve për dallim nga vitet e kaluara. “Bregdeti i Malit të Zi, respektivisht Ulqini, është më i shtrenjtë, për dallim nga bregdeti i Shqipërisë. Ulqini për këtë sezon ka ngritje të çmimeve si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit politike në Turqi, pasi që një pjesë e turistëve që kanë pushuar në Turqi sivjet janë drejtuar drejt Ulqinit për të kaluar pushimet verore atje”, ka thënë më tej Kurtishaj.

Edhe përfaqësues të kompanisë turistike “FSF Reisen” sivjet nuk janë aq të kënaqur me numrin e turistëve që po udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar. Sami Dizi, përfaqësues nga kjo kompani, thotë se gjendja ekonomike në vend ka ndikuar direkt në uljen e interesimit të qytetarëve për të shkuar në pushime. “Interesimi për këtë vit është dukshëm më i ulët, si rrjedhojë e gjendjes së dobët ekonomike”, ka thënë ai.