Kosova mund të humb 100 milionë euro

Ekonomia August 09, 2016 - 08:03

Përmes Arbitrazhit kompania “Axos” po kërkon rreth 50 milionë euro kompensim për ndërprerje të privatizimit të Telekomit të Kosovës. Rreth 44 milionë euro të tjera po i kërkon kompania “Z-Mobile” si kompensim nga Telekomi i Kosovës. Ndërkaq, së fundmi Gjykata Ndërkombëtare në Paris ka vendosur që Qeveria e Kosovës duhet t’ia paguajë shtypshkronjës austriake 5 milionë euro për ndërprerje të kontratës për shtypje të pasaportave

Rreth 100 milionë euro është shuma e mjeteve që aktualisht dy kompani ndërkombëtare dhe një vendore po kërkojnë nga Qeveria përmes Arbitrazhit si kompensim për dëmin që atyre u është shkaktuar në tri procese të ndryshme. Më 4 qershor të vitit 2015 kompania “Axos Capital” e paditi Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID), për shkak të ndërprerjes së privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës. Kompania në fjalë kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve për privatizimin e Telekomit, por privatizimi u ndal për shkak se nuk e mori bekimin e Kuvendit të Kosovës. Burime të gazetës bëjnë të ditur se kjo kompani po kërkon nga Qeveria rreth 50 milionë euro dëmshpërblim. “Vendimi përfundimtar nga Qeveria qe i papritur dhe i paarsyeshëm për të ndërprerë procesin e privatizimit. Ky veprim është krejtësisht i papranueshëm nga të gjitha standardet dhe ka pasoja të rëndësishme ligjore, komerciale, ekonomike dhe pasoja financiare”, është thënë në deklaratën e “Axos Capital”, dërguar medieve.

Në atë kohë ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli pati thënë se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë “Axos”, e cila u shpall fituese.

Ndërkaq tash zyrtarë të MZHE-së të kontaktuar për këtë çështje nuk duan të japin shumë informacione. “Duke u bazuar në ndjeshmërinë e procesit ne do të jemi të rezervuar në deklarata publike në mënyrë që të mos ketë mundësi pala paditëse t’i përdorë apo t’i keqinterpretojë në dëm të Qeverisë së Kosovës këto prononcime. Ajo që mund të themi për këtë fazë është se seanca e radhës është më 19 gusht dhe ky proces është duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dërguar gazetës “Zëri”.

“Z-Mobile” kërkon mbi 44 milionë euro dëmshpërblim

Në qershor të këtij viti portali “Insajderi” ka raportuar se kompania “Z-Mobile” ka bërë padi kundër Telekomit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kompania pretendon se u dëmtua qëllimisht nga ndërmarrja publike dhe kërkon mbi 44 milionë euro dëmshpërblim. Po ashtu “Z-Mobile” pretendon se drejtuesit e saj janë fyer dhe janë kërcënuar nga Rexhë Gjonbalaj, kryetar bordi në këtë ndërmarrje publike, dhe Ejup Qerimi, ish-kryeshef i saj. Portali ka siguruar padinë e kompanisë “Dardafone.net”, e cila është dorëzuar para gjashtë muajsh në Arbitrazh.

Kjo kompani kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë eurosh, plus interesin për dëmet e pretenduara që i janë shkaktuar gjatë periudhës 2011-2014. Duke u bazuar në këtë padi, ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka shkelur marrëveshjen e lidhur mes palëve më 16 janar të vitit 2009. Kjo marrëveshje i ka mundësuar kompanisë “Z-Mobile” që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Në padinë e  dorëzuar nga avokatët e kompanisë gjermane “Schonherr” thuhet se Posta e Telekomi i Kosovës obligohej që të siguronte shërbime për “Z-Mobile”, duke përfshirë cilësinë e zërit e mesazheve, ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe të ndaj Sim Kartela dhe numra mobilë. Asnjëra prej këtyre obligimeve nuk ishte përmbushur, sipas padisë së “Z-Mobile”. “I padituri (Telekomi i Kosovës) refuzoi të sigurojë për paditësin (Z-Mobile) Sim Kartela, numra mobilë, e la paditësin jashtë shërbimit 3G dhe 4G dhe drastikisht reduktoi kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e ‘Z-Mobile’”, thuhet në padinë e siguruar nga “Insajderi”.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Telekomit të Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se pretendimet e “Z-Mobile” janë të pabaza.

Arsim Bilalli, zyrtar për media në Telekomin e Kosovës, thotë se rasti mes paditësit “Dardafon net LLC” (Z-Mobile) dhe të paditurës Telekomi i Kosovës zhvillohet në Arbitrazhin Ndërkombëtar sipas rregullave të ICC-së. Sipas tij, padia e paditësit kundër Telekomit të Kosovës kap shumën prej mbi 40 milionë eurosh.

 “Seanca kryesore është mbajtur në muajin qershor të këtij viti dhe tashmë pritet vendimi i Tribunalit. Telekomi i Kosovës ka argumentuar se kërkesat e paditësit janë tërësisht të pabaza dhe pret vendim të favorshëm për TK-në”, ka thënë Bilalli për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, zhvillimi i proceseve me konteste në Arbitrazh, në mënyrë direkte dhe negative ndikon në imazhin e dy kompanive.

Çështja e Arbitrazhit është shumë serioze

Së fundmi Gjykata Ndërkombëtare në Paris ka vendosur që Qeveria e Kosovës duhet t’ia paguajë shtypshkronjës austriake 5 milionë euro për ndërprerje të kontratës për shtypje të pasaportave. Arsyeja e ngritjes së padisë ishin pagesat e pakryera rreth prodhimit të pasaportave biometrike, sikurse kërkesa për kompensim për shkak ndërprerjes së parakohshme të kontratës nga ana e Republikës së Kosovës, thuhet në këtë vendim.

Ditë më parë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në një konferencë për medie kanë thënë se çështja është shumë serioze sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, po ashtu edhe të Qeverisë së Kosovës. Por, pavarësisht vlerësimeve të Gjykatës së Arbitrazhit Gazmend Nushi, avokati që e ka përfaqësuar MPB-në në këtë proces, i cili është zhvilluar në mes të Republikës së Kosovës dhe shtypshkronjës shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei”, ka thënë se ky vendim në kuptimin e procedurës së Arbitrazhit nuk është i apelueshëm dhe nuk mund të ankimohet në ndonjë fazë apo në ndonjë instancë më të lartë. Nushi nuk ka përmendur ndonjë rast të tillë në rajon ose në Evropë, në të cilin vendimi i Arbitrazhit të mos jetë njohur nga institucionet gjyqësore vendore. “Ky vendim i Arbitrazhit në kuptimin e procedurës nuk është i apelushëm dhe nuk mund të ankimohet në ndonjë fazë apo në ndonjë instancë më të lartë të Arbitrazhit, por nisur nga Konventa e Nju-Jorkut 1954 për njohjen e vendime të Arbitrazhit dhe dispozita e ligjore, MPB-ja do ta nisë procedurën së pari për anulimin e këtij vendimi ashtu siç e kemi nisur edhe në vitin 2014 procedurën para gjykatës vendore për anulimin e vendimit, të cilin Tribunali i Arbitrazhit, i cili është shpallur si kompetent për të vendosur në këtë çështje”, ka thënë ai. Ndërsa Driton Gashi, sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka thënë se Ministria është duke e trajtuar shumë seriozisht vendimin e Arbitrazhit. “Çështja është shumë serioze sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse sa është serioze tregon edhe puna që po e bëjmë dhe angazhimet që i kemi qoftë në avokatë privatë, qoftë me zyrtarë të Ministrisë. Se sa është fajtore Ministria në këtë çështje kemi një vendim gjykate përfundimtar, i cili përcakton fajtorin e kësaj ngjarjeje”, ka thënë ai.

Rexhepi: Ndëshkimet po i paguajnë qytetarët

Por, në anën tjetër njohës të rrethanave ekonomike në vend kritikojnë Qeverinë për mungesë serioziteti.

Ibrahim Rexhepi, nga organizata joqeveritare “Stras”, ka thënë se humbja e kontesteve gjyqësore, duke nënkuptuar edhe ato te Arbitrazhi, dëshmon për mungesën e përgatitjes dhe seriozitetit të institucioneve qeveritare e publike për të krijuar dhe për t'iu përmbajtur marrëdhënieve kontraktuale.

“Duket sikur ato nuk duan ta kuptojnë se zbatimi i kontratave është i detyrueshëm dhe se gjykatat ndërkombëtare janë tejet rigoroze dhe të pamëshirshme ndaj shkelësve të kontratave. Ndërkaq, nënshkruesit e kontratave nga Qeveria e Kosovës po mendojnë se ato punojnë sikurse gjykatat në Kosovë, të cilat iu nënshtrohen presionit dhe kërkesave që vijnë nga individët me ndikim në pushtet, por edhe të mafiozëve të ndryshëm”, ka thënë Rexhepi për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, Kosova ende qëndron shumë keq sa i përket sigurimit, zbatimit të kontratave, pikërisht pse ende ajo nuk po kuptohet si një dokument detyrues dhe se për mospërmbajtjen saj paguhen penalltitë (ndëshkimet).

“Ne rastin e pasaportave së fundi ndëshkimet i paguan qytetari i Kosovës”, ka thënë më tej Rexhepi.