BERZH-i financon NLB-në me 5 milionë euro

Ekonomia July 26, 2016 - 08:47

Kryetari i bordit të “NLB Bankës”, Albert Lumnezi, ka nënshkruar të hënën në Prishtinë marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për një kredi prej 5 milionë eurosh në kuadër të programit për lehtësimin e tregut në vendet ku vepron BERZH-i

“NLB Banka” ka nënshkruar të hënën një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për një kredi prej 5 milionë euro në kuadër të programit për lehtësimin e tregut në vendet ku vepron BERZH-i.

“NLB Banka” në Prishtinë do të përdorë programin për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tregtimin financiar përtej kufijve të vendit, ku nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sjell bashkëpunimin e parë të BERZH-it me “NLB Prishtinën”.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i bordit udhëheqës i “NLB Bankës”, Albert Lumezi, si dhe presidentit të BERZH-it, Suma Chakrabarti.

Ky i fundit ka thënë se integrimi ekonomik përtej kufijve vendorë është njëra ndër strategjitë prioritare të BERZH-it dhe posaçërisht tregut përtej kufijve vendorë është me rendësi për Kosovën dhe regjionin e Ballkanit perëndimor.

Ai tha se është i lumtur që po fillojmë bashkëpunimin me “NLB Bankën” Prishtinë për ketë qëllim. “Kjo marrëveshje thellon marrëdhënien tonë me ‘NLB Grup’. Po ashtu, është shumë e rëndësishme pasi shërben si sinjal i mirë për mbështetjen tonë për tregtinë kufitare. Tregtia kufitare është një komponent shumë i rëndësishëm i integrimit rajonal e që është e rëndësishme për të gjithë Ballkanin perëndimor dhe kjo është një prej strategjive kryesore të bankës për Kosovën. Jemi të lumtur që kemi nënshkruar me kolegët tonë ‘NLB Prishtina’. Është një bankë e menaxhuar shumë mirë dhe ndër më të mirat në Kosovë”, ka thënë Chakrabarti.

Ndërsa Albert Lumezi kryetar i bordit të NLB-së tha se përmes marrëveshjes banka do të ketë mundësi për të bashkëpunuar me më shumë banka. “Përmes kësaj marrëveshjeje banka do të këtë mundësi për të bashkëpunuar me më shumë banka korrespodentë, e cila do t’ua mundësojë klientëve tanë të fitojnë ekspertizë në tregje të reja dhe të ndërtojnë marrëdhënie me homologë e tyre në mbarë botën”, ka thënë ai. 

Ndryshe “NLB Banka” është pjesë e grupit NLB në Slloveni, bankat e të cilit grup tashmë bashkëpunojnë me BERZH-in në regjion. Ndërsa “NLB Prishtina” është banka e tretë më e madhe në Kosovë për nga shuma bilancore dhe operon në gjithë territorin e Kosovës me nëntë filiale dhe 37 ekspozitura.

Përveç linjës së kredisë 5 milionë euro për financim të tregut, programi për lehtësimin e tregut nga BERZH-i do t’i ofrojë “NLB Bankës” Prishtinë edhe asistencë teknike dhe trajtim të avancuar.

204 milionë euro për Kosovën

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, të hënën priti në një takim presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti. Në këtë takim u bisedua për kontributin, marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it si dhe vazhdimin e bashkëpunimit financiar ndërmjet dy institucioneve me theks të veçantë për implementimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Gjatë takimit u diskutua edhe për mbështetjen nga BERZH-i për financimin e projekteve kapitale të Qeverisë, në veçanti për projektet infrastrukturore, në sektorin e transportit, ujitje dhe për zonat ekonomike si dhe mbështetja e skemës për garantimin e kredive. Hoti duke i uruar mirëseardhje në Kosovë presidentit të BERZH-it, Chakrabarti, falënderoi atë dhe institucionin të cilin ai drejton për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën përmes investimeve në projekte të rëndësishme për vendin si dhe shprehu nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet dy institucioneve”, thuhet në njoftimin për media. Ai gjithashtu e njoftoi Chakrabartin për procesin buxhetor, për të hyrat, politikat fiskale, bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një agjenci të vetme tatimore, për hapat që po merr Qeveria e Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për masat të cilat janë marrë për të luftuar ekonominë joformale të cilat kanë ndikuar dukshëm edhe në rritjen e të hyrave buxhetore në buxhetin e Kosovës. Hoti gjithashtu tha se “ne jemi anëtar i ri në BERZH dhe si i tillë deri më tani kemi marrë mbështetje kreditore në vlerë prej 204 milionë euro për projekte të ndryshme për përmirësimin e transportit hekurudhor, rrugor dhe trafikun urban. Po ashtu jemi duke identifikuar edhe fusha të tjera të cilat përmes projekteve do t’i implementojmë në bashkëpunim me BERZH-in dhe falënderoj Chakrabartin për gatishmërinë e tij për të rritur bashkëpunimin edhe në të ardhmen”. Ai gjithashtu shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it do të vazhdojë sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të vendit në BE.

Ndërsa presidenti e BERZH-it, Suma Chakrabarti, duke falënderuar ministrin Hoti për pritjen vlerësoi lart dhe mjaft pozitiv bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e institucionit të cilin ai drejton për të rritur edhe më shumë bashkëpunimin në fushat të cilat krijojnë një perspektivë integruese të Kosovës në BE, si dhe në fushat të cilat ndikojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Kosovë.