Dy dekada pas: Flet i mbijetuari i tragjedisë së Otrantos (Video)

Dosier March 26, 2017 - 19:20

Njëzetë vjet pas tragjedisë së Otrantos, Krenar Xhavara, 28 vjeç atëherë e sot 48, kujton se si në tetë minuta pa me sytë e tij të fundosej anija ku në bord ishte bashkëshortja, vajza gjashtëmuajshe dhe anëtarë të tjerë të familjes.

“Unë humba gruan dhe një fëmijë, ndërsa vëllai im humbi tre fëmijë dhe gruan”, thotë Krenari.

Në 28 mars 1997, nga Porti i Vlorës u nis drejt Brindizit anija me 115 qytetarë shqiptarë, ku, pas disa orë lundrimi, u përplas me anijen italiane Sibila, gjë që shkaktoi tragjedinë më të madhe, ku humbën jetën 81 persona, e që sot njihet si tragjedia e Otrantos.

“Unë isha nga mbrapa anijes, kur shikoj majën e Sibilës që na goditi. Anija u përmbys. Unë dhe disa të tjerë u gjendëm 20-30 metra larg anijes nga goditja që pësuam. Anija qëndroi për 8 minuta e batuar. Italianët nuk u munduan fare që të shpëtonin anijen tonë”, kujton 48-vjeçari.

Krenari tregon se u përpoq të notonte drejt anijes për të shpëtuar familjen, por qe e pamundur. Por, ende sot, pas 20 vitesh, ai thotë se drejtësia nuk ka shkuar në vend: “Kërkojmë që shteti të marrë në mbrojtje të drejtat tona”.

Në tragjedinë e Otrantos shpëtuan vetëm 34 persona, 57 trupa u nxorën nga fundi i detit dhe 24 rezultuan të humbur. /Top Channel/