Klubi që ndërtoi ekipin e Belgjikës

Botërori 2018 July 09, 2018 - 15:24
Detajet

Akademia e Anderlechtit ka nxjerrë disa prej futbollistëve më të mëdhenj të përfaqësueses së Belgjikës. 35% e lojtarëve të ftuar në ekipin e Belgjikës për Kupën e Botës kanë dalë pikërisht nga klubi i Anderlechtit. Në mesin e tetë futbollistëve që janë zhvilluar në Akademinë e Anderlechtit është edhe futbollisti shqiptar Adnan Januzaj, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Ka shtrëngime duarsh dhe puthje në faqe gjithandej përderisa një ekip i të rinjve kthehet në ndërtesë pas përfundimit të vrapimeve diku afër liqenit “Parc de la Pede”. Ekipi U-21 kalon pranë një pikture muri të Romelu Lukakut dhe ikën drejt palestrës.

“Ishte babi i Romelut që na shtyri të fillojmë bashkëpunimin me shkolla”, thotë Jean Kindermans, drejtori i Akademisë së Anderlechtit. “Në moshën 15-vjeçare Romelu po bëhej i famshëm dhe kishte shumë interesim për të. Babi i tij më tha: ‘Lille, Lens, Auxerre dhe Saint-Etienne janë të interesuara për djalin tim dhe të gjitha këto klube ia mundësuan atij shkollën, akomodimin dhe edukimin në futboll. Atje ka gjithçka’. Pas disa muajsh ne filluam projektin ‘Purple Talents’. Tani, pas më shumë se 10 vjetësh, quhet programi ‘Talent Programme’ sepse nuk është më një projekt”, shprehet Kindermans.

“Romelu kaloi një orë duke u stërvitur në finalizim çdo mëngjes para se të vazhdonte me studimet akademike. Ne nuk duam t’i mbushim mendjet e fëmijëve me shumë informacion. Është më mirë të punohet vazhdimisht për një periudhë të shkurtër sesa të bësh të njëjtat gjëra ngadalë në një periudhë më të gjatë”, thotë ai.

I vendosur në periferi të Brukselit, qendra e stërvitjeve të Anderlechtit është afër pamjeve piktoreske të parkut regjional dhe institutit edukativ. Ky vend ka prodhuar një listë emrash të mëdhenj, duke përfshirë tetë që janë ftuar nga Belgjika në Kupën e Botës. Lukaku, Vincent Kompany, Leander Dendoncker, Youri Tielemans, Dries Mertens, futbollisti shqiptar Adnan Januzaj, Michy Batshuayi dhe Marouane Fellaini janë zhvilluar këtu. Kjo është më shumë se 1/3-a e skuadrës së Belgjikës.

Kindermans normalisht është krenar që klubi ka vërejtur talentet dhe i ka zhvilluar ata për nivelin ndërkombëtar. “Ne provojmë që t’i kemi lojtarët më të mirë të Brukselit para se të kalojmë në nivelin U-13. Prej moshave U-6 dhe U-12 ne përqendrohemi në zonat që janë afër. Varësisht nga karakteri, mosha, kultura dhe prindërit ne kërkojmë në zonat më të largëta vetëm nëse janë shumë të talentuar, por është e vështirë ta ndash një djalë nga familja e tyre në atë moshë”, shprehet ai.

“Ne duhet të merremi me secilin fëmijë në një mënyrë ndryshe. Ne kemi shumë llojllojshmëri të feve, të kulturave, të gjuhëve dhe të kombësive këtu. Çdo individ reagon në forma të ndryshme. Ne i adaptohemi secilit, dy këmbë dhe një kokë e shëndoshë e bëjnë diferencën këtu. Anderlechti është rruga. Ne jemi pasqyra e komunitetit. Brukseli është si Londra, si Parisi e si çdo qytet tjetër i madh. Shumëllojshmëria e kulturës është një avantazh për ne. Marrim për shembull Vincent Kompanyn, i lindur nga një nënë belge dhe baba afrikan. Një familje e thjeshtë, pa makinë të shtrenjtë, e edukuar në qendër të Brukselit. Ai vinte me tramvaj këtu dhe pastaj merrte autobusin e natës për t’u kthyer në shtëpi pas stërvitjeve të vonshme. Ai është influencuar nga rruga”, thotë Kindermans.

“Vincent është një djalë shumë i zgjuar. Unë nuk kam një top të kristaltë, por jam i bindur që ai do të kthehet këtu dhe do të ketë një rol të rëndësishëm. Ai është një lider i lindur. Nuk keni nevojë për master në psikologji për ta ditur këtë. Madje edhe sesi flet dhe bën shaka, ai është ndryshe. Ai instinktivisht u bashkëngjitet njerëzve në grup dhe ka impakt të madh kudo që shkon. Ai gjithashtu ka më shumë kualitete rreth fushës sesa në të brenda”, thotë belgu.

Kindermans ia del të merret me një karakter komandues si Kompany brenda një minute. “Nuk më pëlqejnë trajnerët që ndërrojnë klube çdo vit. Stabiliteti është çelësi. Trajnerët tanë shpesh ndihmohen nga psikologët dhe pedagogët. Ka një përzierje mes ish-futbollistëve profesionistë dhe trajnerëve të licencuar këtu dhe sigurisht njerëzit kanë instinktet e veta, por nuk është e mjaftueshme të keni vetëm një formë të të menduarit, ju duhet të mësoni gjatë gjithë jetës, një menaxher, një psikolog. Arti i vërtetë i të qenit trajner është që t’ua transmetoni idetë tuaja lojtarëve dhe të bëni që ata të kuptojnë teoritë e juaja. Fëmijët ndryshojnë, futbolli ndryshon. Unë bëj që trajnerët e mi të shohin ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe t’i analizojnë sfidat. Është e rëndësishme që ta rrethoni veten me futboll modern. Ne dikur thjesht punonim që të kemi 70% të posedimit, por çfarë të nevojitet mbajtja e topit nëse nuk mund të bësh asgjë me të? Ne tani punojmë që të kemi një posedim prej 70% të topit progresiv. Ne kemi shtuar finalizimet në të gjitha sesionet, përndryshe ne do të mbanim topin, por do të humbnim çdo lojë nga 1:0. Filozofia e stërvitjeve në klub është: ‘Fitoni topin. Mbani topin. Avanconi. Krijoni. Finalizoni. Fitoni’. Është një cikël që u transmetohet të gjithëve”, shprehet Kindermans.

Dielli po perëndon mbi qendrën stërvitore dhe ekipi U-21 e mbylli punën për këtë ditë. Derisa largohen nga palestra ata u drejtohen futbollistëve të rinj me fjalë inkurajuese, që ende janë duke vuajtur përmes ushtrimeve të forcës dhe të kondicionit. Posterat e vendosur në mur ua kujtojnë gjithmonë atyre se “Puna e madhe e mposht talentin”!/Zëri

Të rekomanduara