Shqiponjat kërkojnë kualifikimin sonte

Botërori 2018 June 27, 2018 - 14:18

Zvicra e shqiptarëve do të zbresë në fushë përsëri sonte, shkruan sot gazeta Zëri.

Helvetikët do ta zhvillojnë lojën e fundit të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror në duel me Kosta Rikën në kuadër të Grupit E.

Të Kuqtë i prijnë tabelës së bashku me Brazilin me nga 4 pikë dhe një barazim për ta do të ishte i mjaftueshëm për ta siguruar edhe matematikisht të tetën e finales.

Mirëpo, Zvicra mund të shkojë tutje edhe me humbje në rast se Brazili e mposht Serbinë në duelin tjetër të grupit.

Zviceranët i kanë në “lojë” të tria rezultatet, pra mund të kualifikohen edhe me fitore, edhe me barazim ose edhe me humbje.

Sidoqoftë, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka me shokët tjerë të Përfaqësueses së Zvicrës nuk duan t’ia lënë rastin dhe premtojnë se do ta japin maksimumin për ta mposhtur Kosta Rikën, e cila në dy ndeshjet e para i ka pësuar dy humbje.

Madje, Zvicra mund të përfundojë e para në grup nëse fiton me rezultat bindës ndaj kostarikanëve ose nëse brazilianët “kiksojnë” ndaj serbëve.

Brazili megjithatë konsiderohet si favorit ndaj Serbisë, e cila sipas të gjitha gjasave sonte do t’i paketojë valixhet dhe do të kthehet në shtëpi.

Lajm i mirë për Zvicrën është se Xhaka e Shaqiri i shpëtuan dënimit me ndeshje nga FIFA, e cila i gjobiti ata me nga 10 mijë franga.

Këto dy ndeshje do të fillojnë në orën 20:00. /Zëri/

“Botërori 2018”

E mërkurë

Grupi E

20:00 Zvicra – Kosta Rika

20:00 Serbia – Brazili

Tabela momentale

1. Brazili          2          4

2. Zvicra          2          4

3. Serbia          2          3

4. Kosta Rika  2          0

Të rekomanduara