Me autobus për në Rusi

Botërori 2018 June 23, 2018 - 09:31

Historitë e çmendura të tifozëve për të udhëtuar drejt Rusisë për t’i përjetuar emocionet e Kupës së Botës janë nga më të ndryshmet. Tifozët e futbollit janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm e vetëm që ta shohin kombëtaren e tyre. Katër shokë meksikanë kanë ndërmarrë një udhëtim me autobus në drejtim të Rusisë për ta ndjekur nga afër kombëtaren e tyre, shkruan Gazeta "Zëri".

Largohu nga puna, shpërdoro të gjitha kursimet, blej një autobus, dekoroje atë me elemente kombëtare meksikane dhe nisu drejt Rusisë për të përkrahur “El Tri”. Pse jo? Këto ishin të gjitha etapat që kaluan katër shokë nga Durango në veri të Meksikës. Kjo ide, që kishte ardhur para katër vjetësh, pa dyshim që lindi pas disa tekilave, Daniel Garza, Fernando Osorio, Mathieu Janelle dhe Daniel Galindo, miq prej 20 vjetësh e kanë bërë këtë gjë një realitet.

Ideja ishte për t’i shpërndarë emocionet meksikane dhe kulturën e saj me evropianët dhe me miqtë latinë. “Ideja erdhi në (Brazil) 2014. Ne pamë disa djem prej Nueva Leon me një kamion të vogël dhe filluam të ruanin para për pothuajse katër vjet. Ne e blemë autobusin në shkurt dhe e modifikuam atë”, shprehet Garza.

Plani origjinal ishte që të shitej ushqim meksikan gjatë rrugëtimit për ta financuar udhëtimin. Por kjo nuk ndodhi për shkak të burokracisë. Pavarësisht kësaj, autobusi i konvertuar i shkollës, me emrin “La Bendicion” (“Bekimi”), tashmë është i famshëm në mesin e tifozëve meksikanë në Rusi. Me thënien “Canta y no Llores” (Këndo dhe mos qaj) të shkruar në tavan dhe pikturave të një “Mariachi”(këngëtar të një stili të muzikës meksikane), një “taquero” (vend ku përgatiten dhe shiten ushqimet tradicionale meksikane), një “pinata” (një kafshë lodër e thyer nga fëmijët në shenjë gëzimi) dhe të një altar të “Dias de los Muertos” (Dita e të vdekurve) të vizatuara anash, është bërë një pikë qendrore për ndejën meksikane në Moskë dhe tani edhe në Rostov para ndeshjes së Meksikës ndaj Koresë së Jugut të shtunën.

“Dy nga djemtë lanë punët e tyre, disa prej nesh patëm probleme me të dashurat, kurse disa të tjerë me gratë”, thotë Garza, i cili është pronar i një kompanie të marketingut. “Ne kemi investuar shumë kohë, kemi ruajtur para dhe kemi lënë shumë gjëra për të realizuar këtë ëndërr”, shprehet ai.

Grupi në rrjetin social “Facebook” që i dedikohet “La Bendicion”, tashmë ka 200,000 ndjekës dhe ky udhëtim ka moton “Ingue Su Matrushka, nos vamos a Rusia", që është një shprehje e përdorur në Meksikë. Autobusi ishte dërguar në Gjermani në fundin e prillit dhe meksikanët kanë udhëtuar në Amsterdam, Berlin, Krakov dhe qytete të tjera para se të mbërrijnë në Moskë për të qenë të pranishëm në fitoren e rëndësishme 1:0 ndaj Gjermanisë të dielën e kaluar.

Një tjetër mik i këtij grupi, Alex Flores, e humbi këtë udhëtim dhe të tjerët nuk e shpërdoruan mundësinë për t’u tallur me të, duke bartur një karton të përmasave të tij dhe duke shkruar në të “e dashura nuk më la që të vij”.

Meksikanët kanë fjalë të mira edhe për nikoqirët. “Kemi mbetur të habitur nga rusët. Ka pasur një stigmatizimi se ata janë të ftohtë, se ka shumë korrupsion, që nuk ju trajtojnë mirë, janë agresivë dhe të pasigurt. Ka qenë e kundërta. Ata na kanë trajtuar shumë mirë, janë të ngrohtë dhe janë shumë miqësorë”, deklaron Garza.

Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Grupi pati një problem me vajin e frerëve dhe kishte dyshime për udhëtimin e tyre drejt Rostovit. Por një garazh ruse u erdhi në ndihmë dhe i qerasi ata me vodka. “Ata na kanë trajtuar në mënyrë të pabesueshme, mekaniku na ndihmoi. Ata nuk na faturuan asgjë, vetëm koston e punës. Ata ishin shumë miqësorë, na dhanë dhurata, një shishe të vodka, një kapelë dhe një mjet që pastron makinën”, përfundon Garza.

Deri më tani në Rusi Meksika është duke fituar brenda dhe jashtë fushës. Një fitore kundër Koresë së Jugut të shtunën do t’i çonte ata në krye të grupi F dhe autobusi më pas do të udhëtonte në drejtim të Shën Petersburgut për të bërë tifo në fazën e 1/8-s./ZËRI

Të rekomanduara