Lanë punën për Botërorin

Botërori 2018 June 22, 2018 - 14:39
Detajet

Futbolli është sporti më i famshëm në botë dhe shumë njerëz janë në gjendje të bëjnë gjithçka për të ndjekur ekipin e zemrës. Çmenduritë nga më të ndryshmet bëhen nga tifozët për të ndjekur skuadrat e tyre. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në këtë Kupë të Botës. Tifozët peruanë kanë lënë punën, kanë shitur makinat dhe shtëpitë vetëm për të udhëtuar në Rusi, shkruan sot, gazeta "Zëri"

E gjithë familja është këtu. Tifozë të moshuar, të cilët kanë bërë një udhëtim epik krah nipërve dhe mbesave të tyre për të marrë pjesë për herë të parë në Botëror që prej vitit 1982. Ka qenë e pamundur për ta që t’u rezistojnë ngjyrave të shtetit të tyre, ngrohtësisë dhe kësaj atmosfere.

Derisa futbollisti Christian Cueva po përgatitej për të gjuajtur penaltinë në ndeshjen e parë të Perusë ndaj Danimarkës, një burrë, i cili kishte vendosur disa veshë të mëdhenj të plastikës, ishte mbështetur në rrethojat afër fushës duke shpresuar për gol. Por, nuk erdhi diçka e mirë. Cueva gjuajti mbi portë. Ai i vendosi duart prapa kokës si një gjest për të treguar dhimbje. Veshët plastikë pothuajse ranë para kokës së tij. “Atij i është nevojitur një mendje e qetë në një situatë të nxehtë”, thotë tifozi peruan Edgar në ditën tjetër. “Ai ishte momenti, por s’ka rëndësi”, shton ai. Edgar është së bashku me Manueliton, i cili është 80-vjeçar dhe arriti në Saransk me tri fluturime dhe një udhëtim 10-orësh me tren. Duke qenë se ai thuajse kishte humbur zërin, ai tha me butësi: “Udhëtimi ishte mjaft i vështirë për mua, pos si ta humbisja këtë? Ne kemi pritur kaq gjatë, unë kam pritur kaq gjatë për të kënduar këngët tona në një vend tjetër përsëri”. Peruja u mposht 1:0 në ndeshjen hapëse të saj dhe ky rezultat ishte shumë mizor për tifozët, të cilën kanë pasur një impakt të madh në Rusi. Njerëz që kanë sakrifikuar shumë, saqë eliminimi i hershëm do të ishte shumë i dhimbshëm.

Pedro, i njohur si Perrito, ka lënë punën e tij në Panama për të ardhur këtu dhe për të përjetuar këtë përvojë së bashku me mikun e tij Alexos, duke marrë të gjitha paratë që kishte dhe duke udhëtuar për plot dy muaj, duke zgjedhur opsionin më të lirë.

Fluturimi drejt Madridit ishte me ndalesa dhe që prej atëherë ai ka fjetur nëpër divane, ka ndarë makina me të tjerët, ka udhëtuar me varkë në Finlandë, duke bërë gjithçka që mundte për të shkuar në Rusi. Ai mendon se mund t’i kushtojë edhe dy muaj të tjerë për t’u kthyer prapa. Ai thjesht nuk mund të përballojë shpenzimet e fluturimit. Alexis flet për një njeri të cilin e kishte takuar në Saransk dhe që kishte udhëtuar prej Italisë në Rusi me biçikletë.

“Është pasion”, thotë Pedro. Ka familje që kanë udhëtuar të përbërë prej tri gjeneratash. Disa mund ta përballojnë ekonomikisht, disa jo. Ka histori të njerëzve që kanë shitur makinat e tyre, kanë hipotekuar shtëpinë ose kanë marrë kredi bankare. Edgar tregon për një shok të tij në Los Angeles, i cili nuk mund të merrte pushim nga puna, dha dorëheqje dhe tani do të zhvendoset duke u rikthyer në vendin e tij, Lima. Njerëzit janë duke ndryshuar tërë jetën e tyre dhe nikoqirët rusë, ashtu si edhe shumë të tjerë, kanë mbetur të habitur nga shpirti dhe fisnikëria e peruanëve./Zëri

Të rekomanduara