Vetëm anglezët dinë të mrekullojnë kështu!

Botërori 2018 June 21, 2018 - 13:46
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Nëse në Francë, gjatë “Euro 2016”, anglezët zunë faqet e para të shtypit botëror për shkak të përleshjeve të dhunshme me huliganët rusë, këtë herë në Rusi, tifozët më të zjarrtë të ishullit britanik që kanë udhëtuar në mbështetje të “3 luanëve” janë bërë viralë në rrjetet sociale për shkak të një mënyre festive, ashtu siç dinë vetëm ata ta bëjnë.

Në videon bashkëngjitur këtij artikulli shihen tifozë të panumërt të Anglisë, të mbledhur në një shesh të madh rus, të cilët mes pijeve alkoolike, flamujve britanikë, zhveshjes në pjesën e sipërme të trupit dhe këndimit në kor, kanë mrekulluar nën tingujt e një hiti të vitit 1997, “Freed from desire” të artistes Gala Rizzatto, e njohur thjesht si GALA.

Por, për ta lidhur me kontekstin e Kupës së Botës, fraza kyçe e refrenit, prej së cilës ka marrë edhe titullin kënga, është modifikuar me një shprehje entuziazmuese nën emrin e lojtarit prej të cilit ndoshta anglezët presin më shumë: Jamie Vardy.

Vardy nuk luajti në ndeshjen e parë që Anglia luajti ndaj Tunizisë, të fituar vetëm në minutat e fundit me një dygolësh të Harry Kane. Megjithatë, duket se tifozët mezi presin debutimin e Vardyt në Kupën e Botës në Rusi, ndoshta që nga ndeshja e radhës, Angli-Panama, për të shpërthyer me koret e tyre në stadium: Vardy’s on fire!

Të rekomanduara