Ministria e Shëndetësisë thotë se numri i të vrarëve në Gazë ka arritur në rreth 35 mijë

Ministria e Shëndetësisë thotë se numri i të vrarëve në Gazë ka arritur në rreth 35 mijë

Bota May 06, 2024 - 15:01

Numri i të vrarëve në Gazë po rritet çdo ditë e më shumë.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se aktualisht numri i të vrarëve ka arritur në 34 mijë e 735 persona.

“Të paktën 34 mijë e 735 njerëz kanë vdekur dhe 78 mijë e 108 janë plagosur në Rripin e Gazës që nga shtatë tetori”, thotë ministria, raporton BBC, transmeton Zeri.info.

Sipas BBC-së, vetëm në 24 orët e fundit, 52 persona janë vrarë dhe 90 të tjerë janë plagosur.

Sipas mediumit britanik, shumë njerëz janë të bllokuar nën rrënoja ku ambulancat nuk mund t'i arrijnë.

Ndërkaq, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) thonë se po "inkurajojnë" njerëzit të largohen nga pjesët e qytetit jugor të Gazës, Rafah - ku më shumë se 1.4 milionë njerëz janë aktualisht të strehuar pasi që po paralajmërohet për një operacion të ardhshëm ushtarak në zonë.

Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje, disa prej të cilëve ende mbahen në Gazë. /Zëri