Udhëheqësit, thirrje Izraelit të mos synojë Rafahun në Gazën Jugore
Foto: Reuters

Udhëheqësit, thirrje Izraelit të mos synojë Rafahun në Gazën Jugore

Bota April 09, 2024 - 08:09

Udhëheqësit e Egjiptit, Francës dhe Jordanisë kanë paralajmëruar Izraelin se një ofensivë kundër qytetit jugor të Gazës, Rafah, do të kishte “pasoja të rrezikshme”.

Ata së bashku thanë se kjo “vetëm do të sillte më shumë vdekje dhe vuajtje” dhe “kërcënon përshkallëzimin rajonal”, raporton BBC.

SHBA-ja tha gjithashtu se kundërshton çdo sulm në Rafah, ku më shumë se 1.5 milion palestinezë janë strehuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se një datë për ofensivën ishte caktuar tani, por nuk dha detaje.

“Sot mora një raport të detajuar mbi bisedimet në Kajro. Ne po punojmë vazhdimisht për të arritur qëllimet tona, para së gjithash lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe arritjen e një fitoreje të plotë ndaj Hamasit”.

“Kjo fitore kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Kjo do të ndodhë – ka një datë”, tha ai të hënën, transmeton Klan Kosova.

Në të njëjtën kohë, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant sugjeroi se tani ishte koha e duhur për një marrëveshje mbi pengjet, gjashtë muaj pas luftës me Hamasin.

Komentet e tij erdhën teksa bisedimet për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe armëpushimin, vazhduan në kryeqytetin e Egjiptit Kajro.

Drejtori i CIA-s, William Burns, është gjithashtu i pranishëm në diskutime. Prania e tij nënvizon presionin në rritje nga ShBA-të, aleati kryesor i Izraelit – për një marrëveshje.

Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se propozimet izraelite nuk i kishin përmbushur kërkesat e Hamasit, por grupi tha se megjithatë ato do të shqyrtoheshin.

“Nuk ka asnjë ndryshim në pozicionin e okupimit [Izraelit] dhe për këtë arsye nuk ka asgjë të re në bisedimet e Kajros”, tha zyrtari i Hamasit, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Nuk ka ende asnjë progres”, shtoi ai.