Autoritetet taxhike i marrin në pyetje familjarët e të dyshuarve për sulmin në Moskë

Autoritetet taxhike i marrin në pyetje familjarët e të dyshuarve për sulmin në Moskë

Bota March 26, 2024 - 14:22

Autoritetet në Taxhikistan i kanë ndaluar familjarët e katër burrave taxhikë, të cilët akuzohen për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës.

Familjarët e tyre janë marrë në pyetje nga autoritetet e Taxhikistanit si pjesë e një hetimi të gjerë rus për sulmin e 22 marsit.

Grupi militant, Shteti Islamik, e mori përgjegjësinë për sulmin në sallën e koncerteve, Crocus, ku u vranë 139 njerëz dhe u plagosën më shumë se 120 të tjerë.

Katër burra me përkatësi etnike nga Taxhikistani - të cilët po punonin si emigrantë në Rusi - janë arrestuar si të dyshuar për kryerjen e këtij sulmi.

Secili prej tyre kishte shenja të rrahjes brutale, ndërsa raportimet e pakonfirmuara thonë se ata mund të jenë torturat në paraburgim.

Në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanb, dhe disa qytete të tjera, autoritetet u shkuan nëpër shtëpi familjarëve të katër burrave, dhe i dërguan në kryeqytet për t’i marrë në pyetje, fqinjët dhe familjarët e tyre thanë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Në Vahdat, një qytet në lindje të Dushanbit, nëna, vëllai, dy xhaxhallarë dhe familjarë të tjerë të njërit prej të akuzuarve - Murodali Rajabalizoda – u morën nga policia në mbrëmjen e 25 marsit, tha një punonjës i brendshëm për REL-in. Fqinjët e tjerë thanë se kryetari i lagjes ku jeton familja e Rajabalizoda, u morën nga policia gjithashtu.

Një numër i familjarëve të një të dyshuari tjetër - Muhammadsobir Faizov – u morën nga shtëpitë e tyre në Dushanb, thanë fqinjët e tyre për REL-in.

Autoritetet e Taxhikistanit nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë për këto ndalime.

Ministria e Jashtme e Taxhikistanit lëshoi komunikatë pak orë pas sulmit më 22 mars, duke i hedhur poshtë raportimet se tre burra të tjerë taxhikë gjoja kishin marrë pjesë në sulm. Por, prej atëherë ajo nuk ka bërë komente të tjera.

Autoritetet ruse ngritën aktakuzë kundër një personi të tetë për këtë sulm, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS. Gjykata në Moskë i caktoi atij masën e paraburgimit, duke e akuzuar se gjoja e kishte lëshuar një banesë me qira për katër sulmuesit.

Deri më 26 mars, tetë njerëz janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim. Në përgjithësi, 11 njerëz janë ndaluar nga policia.

Tre burra të akuzuar për ofrimin e një veture dhe një banese sulmuesve, dolën para gjykatës në Moskë, të hënën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 25 mars se sulmi terrorist në sallën e koncerteve Crocus u krye nga islamistët radikalë.

Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët qeveritarë, Putini tha se vrasjet u kryen nga ekstremistët “ideologjia e të cilëve, bota islamike, ka shekuj që lufton”.

Por, ai përsëri u përpoq t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, pa dhënë asnjë dëshmi të vetme.

“Ne e dimë se krimi u krye nga islamistët radikalë... por, ne gjithashtu e shohim se Shtetet e Bashkuara po tentojnë t’i bindin satelitët e vet dhe vendet e tjera të botës se gjoja nuk ka asnjë gjurmë të Kievit në sulmin terrorist në Moskë”, tha Putin.

Kievi dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë pretendimet e Putinit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mohoi çdo përfshirje në këtë sulm, duke thënë se Putini gjithmonë kërkon ta fajësojë “dikë tjetër”.

“Përsëri, ai e akuzon Ukrainën. Krijesë e sëmurë dhe cinike. Të gjithë janë terroristë për të, përveç vetes së tij, edhe pse ai ka dy dekada që ushqehet me terror”, tha Zelensky.

Më 24 mars, Shtëpia e Bardhë tha se përgjegjës i vetëm për sulmin në Moskë është Shteti Islamik Korasan. /REL