Masa drastike në Nju Jork kundër koronavirusit

Masa drastike në Nju Jork kundër koronavirusit

Bota March 16, 2020 - 19:56
lexoni më shumë detaje

Nju Jorku po merr masa të forta për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit. Autoritetet në Nju Jork kanë njoftuar se restorantet do të përmbushin vetëm porosi që klientët t'i marrin ushqimet me vete, pa shërbim në mjedisin e restorantit, ndërkohë që duke filluar nga e hëna në mbrëmje do të mbyllen palestrat, kinematë e objekte të tjera publike si në Nju Jork, ashtu edhe në Nju Xhërsi dhe Konektikat.

Guvernatorët e tre shteteve thanë se biznese të domosdoshme si supermarketet do të qëndrojnë hapur deri në orën 20, ndërsa bizneset e tjera do të mbyllen. Këto janë masat më drastike në ndonjë shtet amerikan deri tani. Shteti i Nju Jorkut ka një nga vatrat aktive të infektimit dhe ka regjistruar të paktën tre viktima nga COVID-19, megjithëse ka imponuar masa për të kufizuar lëvizjen dhe përhapjen e infeksionit në zonën e prekur.

Bill de Blasio, kryebashkiaku i Nju Jorkut, qyteti më i populluar amerikan si dhe guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, të dy demokratë i kanë bërë thirrje qeverisë federale të angazhojë ushtrinë dhe Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë për të reaguar ndaj krizës.

"Në këtë realitet, Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë si në situatë lufte, qeveria federale duhet të mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme dhe të fillojë analizat,” tha kryebashkiaku De Blasio për rrjetin MSNBC. "Duhet të fillojmë të ngremë pavione të reanimacionit në spitale, jo vetëm në Nju Jork por në të gjithë Amerikën,” shtoi ai.

Guvernatori Cuomo tha se qeveria federale duhet të veprojë me masa të njëjtësuara në të gjitha shtetet, në vend që të lejojë që shtetet të veprojnë individualisht. Ai paralajmëroi se sistemit shëndetësor amerikan po i kanoset krizë me dyndjen e një numri të madh pacientësh.

Shumë autoritete lokale po ndjekin rekomandimet e Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, duke mbyllur shkollat publike. Në disa shtete janë mbyllur baret. Ndërkaq janë mbyllur në masë kinematë si dhe sallat e koncerteve e aktiviteteve sportive, raporton VOA.

Thirrjet e zyrtarëve të Nju Jorkut pasojnë rritjen e numrit të viktimave në SHBA, që të hënën arriti në 69 në shkallë kombëtare duke shkaktuar panik se spitalet amerikane mund të ngarkohen përtej kapacitetit siç ka ndodhur në Itali.

Paniku ka përfshirë edhe bursën ku aksionerët reaguan me frikë pasi Banka Qendrore uli normat e interesit për të penguar recesionin. Të hënën në mëngjes indekset e bursës së Nju Jorkut regjistruan rënie prej deri në 8%. Presidenti Donald Trump deklaroi gjendje emergjence të premten. Por demokratët e kanë kritikuar se nuk i ka kushtuar seriozitetin e duhur problemit dhe është përpjekur ta zbusë në komentet e tij rrezikun.