Koronavirusi, e gjithë Italia shpallet

Koronavirusi, e gjithë Italia shpallet "zonë e kuqe"

Bota March 10, 2020 - 11:56
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka deklaruar se i gjithë vendi është shpallur zonë e kuqe, me çka masat që janë ndërmarrë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të zbatohen në të gjithë vendin dhe se do të kufizohet lëzivja e lirë, përveç rasteve të detyrueshme, transmeton AA-ja.

Në një konferencë për media të mbajtur në rezidencën e kryeministrisë, Conte njoftoi se numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në 9.172 dhe numri i personave që kanë humbur jetën është 463. Ai njoftoi vendimet e jashtëzakonshme që do të zbatohen në të gjithë vendin me dekretin që kanë marrë këtë mbrëmje si kabinet i ministrave.

"Shifrat na tregojnë se fatkeqësisht po rritet numri i vdekjeve dhe personave nën kujdesin intensiv. Tashmë nuk ka mbetur kohë. Të gjithë duhet të heqim dorë nga diçka për të mirën e Italisë. Duhet të ndryshojmë zakonet tona pasi janë infektuar një numër i madh njerëzish. Tashmë nuk ka një zonë të kuqe, por ka një Itali të vetme, një Itali të mbrojtur. Shpallim të gjithë vendin zonë të kuqe", tha kryeministri italian Conte, duke tërhequr vëmendjen në numrin e të infektuarve me koronavirus.

Conte gjithashtu tha se do të kufizohet lëvizja e lirë në vend.

"Unë do të nënshkruaj masa që mund t‘i përmbledhim si 'Unë qëndroj në shtëpi'. Nuk do të ketë asnjë lëvizje, përveç kur ka arsye të miratuara biznesi ose shëndetësore. Kemi shtuar edhe ndalesën për grumbullimin jashtë ose nëpër lokale", theksoi Conte, duke shtuar se me këtë dekret Italia do të bëhet një zonë e mbrojtur.

Ai gjithashtu tha se është vendosur që nga sot të ndërmerren masa më të fuqishme dhe më të rrepta me të gjithë partnerët e qeverisë.

"Më besoni, nuk është e lehtë të zbatohen të gjitha këto rregulla në të gjithë gadishullin. Ne jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj. Marrim përsipër të gjithë përgjegjësinë. Tashmë është koha për përgjegjësi. Shëndeti është e drejta thelbësore e të gjithëve. Nuk mund të lejojmë hedhjen e hapit prapa nga kjo. Për sot vendimi i drejtë është qëndrimi në shtëpi. E ardhmja e Italisë është në dorën tonë. Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre", tha Conte.

Kryeministri i Italisë ndër të tjera ka theksuar se të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe universitetet në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura deri me 3 prill.

Ai më tej kryeministri ka shtuar se me këtë drekret janë pezulluar deri me 3 prill të gjitha aktivitetet sportive në vend, përfshirë ligën e futbollit italian Serie A.

Duke folur për deficitin buxhetor, Giuseppe Conte, tha se mund të kërkojnë nga BE-ja më shumë fleksibilitet.

Ndër të tjera kryeministri italian ka shprehur edhe ngushëllimet për familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre për shkak të Covid-19.

Sipas dekretit të fundit të njoftuar nga kryeministri Conte, të drejtën e lëvizjes së lirë në vend do ta kenë vetëm anëtarët e ushtrisë, personeli shëndetësor dhe zyrtarë të qeverisë.