Kroacia kërkon të rinovohet marrëveshja e migracionit BE - Turqi

Kroacia kërkon të rinovohet marrëveshja e migracionit BE - Turqi

Bota March 04, 2020 - 11:43
Lexoni më shumë detaje

 

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq tha që aktualisht Kroacia nuk do ta dërgojë ushtrinë në kufijtë e saj dhe shprehu nevojën për të rinovuar marrëveshjen me Turqinë, e cila është një “garanci e sigurisë për tërë BE-në”

Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha se ai ishte pajtuar me kryeministrin Andrej Plenkoviq që së shpejti të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të një vale të re të mundshme migrantësh, por theksoi se ai nuk pret që të ndodhë kriza.

“Vlerësimi im është se nuk do të jetë diçka si 2015-a, por ne duhet të jemi të përgatitur", theksoi presidenti, duke iu referuar krizës së migrantëve të atij viti, kur ai kishte qenë kryeministër.

Ai shtoi se qeveria aktuale greke nuk do të ndjekë politikën e ish-qeverisë së Tsiprasit dhe nuk do të hapë kufijtë e saj.

Kryeministri Plenkoviq tha që aktualisht Kroacia nuk do ta dërgojë ushtrinë në kufijtë e saj dhe shprehu nevojën për të rinovuar marrëveshjen me Turqinë, e cila është një "garanci e sigurisë për tërë BE-në”.

Duke iu referuar krizës së migrantëve në kufirin turko-grek, Plenkoviq tha se Kroacia ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve evropiane dhe me udhëheqësit e Bullgarisë dhe të Greqisë. “Duhet të ketë një përgjigje të përbashkët të BE-së ndaj kësaj situate të re dhe, mbi të gjitha, duhet të vazhdojmë marrëveshjen me Turqinë. Ne duhet të rinovojmë marrëveshjen që kemi pasur me Turqinë vitet e fundit, ku Unioni ka ndarë 6 miliardë euro për të financuar refugjatët dhe migrantët e shumtë, të cilët kanë qenë në territorin turk”, tha ai. “Kjo marrëveshje është praktikisht një garanci e sigurisë për të gjithë BE-në dhe mbi të gjitha për Greqinë dhe për Bullgarinë".

Ai shtoi se ushtria nuk do të dërgohet në kufij, por mund të konsiderohet kjo nëse ndryshojnë rrethanat. “Pozicioni i qeverisë kroate është se kufiri ruhet nga policia”, tha kryeministri.

Zëvendëskryeministri kroat Davor Bozhinoviq njoftoi se ai, së bashku me Plenkoviqin dhe me delegacionin evropian të nivelit të lartë, do të vizitojnë kufirin midis Greqisë dhe Bullgarisë, pasi është e rëndësishme që zyrtarët evropianë të marrin “informacion të dorës së parë” në lidhje me valën e migrantëve dhe të monitorojnë zhvillimet në kufirin turko-grek.

Të mërkurën, kur ministrat e brendshëm do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel, ai pret që të bien dakord për një qëndrim të përbashkët për migracionin, “sepse pa një politikë të përbashkët të BE-së kjo krizë nuk mund të zgjidhet në planin afatgjatë ose të kanonizohet në një mënyrë vërtet humane”.

Borrelli shkon në Ankara

Ndërkohë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell dhe komisionari për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarçiq gjenden në Ankaranë në një vizitë dyditore për të diskutuar përshkallëzimin e vazhdueshëm në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit dhe situatën e refugjatëve sirianë në Turqi në përgjithësi.

Një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të punëve të jashtme të BE-së është planifikuar të premten (6 Mars) në Zagreb, ndërsa evropianët po përpiqen të gjejnë zgjidhje për krizën në zhvillim në kufirin greko-turk. raporton “Euractiv”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i bëri thirrje të hënën regjimit sirian të mbështetur nga Rusia për të ndaluar armiqësitë në Idlib sepse, siç tha ai, krijon kushte çnjerëzore që shkaktojnë fluksin e refugjatëve në Turqi dhe më pas detyrojnë Turqinë të ndërmarrë hapat që jemi duke provuar aktualisht.

Zyrtarët e Komisionit nuk pranuan të thoshin se vendimi i Turqisë për hapjen e kufijve të saj ishte një shkelje e Deklaratës BE - Turqi 2016. Redaktoi Sefer Xhema/ Zeri