Bota

Erdogan sqaron sistemin e ri të qeverisjes presidenciale

Erdogan sqaron sistemin e ri të qeverisjes presidenciale
22 qershor 2018 • 14 : 16

Lexo detajet

Meqë po afrohen zgjedhjet në Turqi, presidenti Recep Tayyip Erdogan, të enjten në mbrëmje sqaroi sistemin e ri presidencial, raporton Anadolu Agency (AA), transmeton "Zëri.info". 

Duke folur gjatë një transmetimi të përbashkët të drejtpërdrejt të kanaleve turke "ATV" dhe "A Haber" në aeroportin e ri të Stambollit, Erdogan zbuloi se çfarë do të sjellë sistemi i ri.

"Në sistemin presidencial do të ulim numrin e ministrive në 16", tha Erdogan.

Pastaj përmendi ministritë të cilat do të mbesin, e të cilat janë: Ministria e Drejtësisë, Punëve të Brendshme, Mbrojtjes, Arsimit, Shëndetësisë, Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Mjedisit dhe Planifikimit Urban, Kulturës dhe Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Thesarit dhe Financave, Transportit dhe Infrastrukturës, Punëve të Jashtme, Sociale dhe Familjes, Bujqësisë dhe Pylltarisë, Industrisë dhe Teknologjisë, dhe ajo e Tregtisë.

Duke theksuar se sistemi i ri duhet të inkurajojë ndarjen e pushtetit, Erdogan tha se lidhja midis qeverisë dhe parlamentit do të reduktohet.

"Në sistemin e ri, qeveria do të jetë e autorizuar vetëm për dorëzimin e projekt-buxhetit parlamentar. Autorizimi për projektin parlamentar i referohet vetëm parlamentarëve", tha presidenti turk.

Si një reformë tjetër brenda sistemit të ri qeverisë, Erdogan tha se do të themelohen katër zyra të rëndësishme.

"Në fazën e parë, katër zyra për burimet njerëzore, investime, financa dhe transformimin dixhital do të mbajnë një përgjegjësi të madhe në modelin e ri, pasi do të jetë pothuajse stafi më i afërt i presidentit", tha Erdogan.

Pastaj ai iu referua drejtorive që do të themelohen në sistemin e ri.

"Dhe, sigurisht, do të ketë drejtori të cilat do të jenë të lidhura me presidentin dhe këtu bëhet fjalë për tetë drejtori", tha Erdogan, dhe numëroi të gjitha: Drejtoria e Shtabit të Përgjithshëm, Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare, Drejtoria e industrisë së mbrojtjes, Këshilli i Sigurimit Kombëtar, Drejtoria e Çështjeve Fetare, Këshilli Shtetëror për Mbikëqyrje, Drejtoria e Komunikimeve dhe Drejtoria për Strategji dhe Buxhet.

Ai gjithashtu përmendi ndryshimet në ekonominë në modelin e ri.

"Administrata ekonomike do të thjeshtëzohet. Do të zvogëlojmë numrin e ministrive nga gjashtë sa janë tani në tre. Kjo administratë do të bazohet në prodhimin, financat dhe tregtinë", sqaroi më tej presidenti.

Erdogan gjithashtu përmendi nëntë këshilla që do të themolohen për të sjellë propozime për politikat dhe për të paraqitur raporte. Midis tyre janë, ndër të tjera, Këshilli i Politikave Sociale, Këshilli për Shëndetësi dhe Ushqim dhe Këshilli i Arteve.

Sipas tij, ndryshimet në sistemin e qeverisjes erdhën sepse mangësitë e modelit aktual ishin pengesë për realizimin e shumicës të asaj që ishte planifikuar.

"Ajo çfarë është e gabuar në strukturën aktuale, të cilës vazhdimisht i referohem, është 'oligarkia burokratike', janë operacionet dhe proceset që qëndrojnë si pengesa në rrugë. Qëllimi ynë është që me sistemin e ri presidencial të pastrojmë këtë rrugë", tha presidenti i Turqisë. 

Sipas Erdoganit, numrin e zëvendëspresidentëve në sistemin e ri do ta vendosin strukturat në Parlament.
Votuesit do të dalin në votime në mbarë Turqinë më 24 qershor. Gjithashtu, më shumë se tre milionë turq që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Në zgjedhjet presidenciale garojnë gjashtë kandidatë, ndërsa në ato parlamentare tetë parti politike.

Erdogan që nga viti 2014 është president i Turqisë. Më parë ka ushtruar detyrën e kryeministrit nga viti 2003 deri në vitin 2014. Nëse rizgjidhet të dielën do të bëhet presidenti i parë i Turqisë në sistemin e ri presidencial të qeverisjes, i cili u miratua nga votuesit në një referendum të mbajtur në prill të vitit 2017.

© zëri.info