SHBA-ja largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Bota June 21, 2018 - 09:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Duke qëndruar përkrah sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e Këshillit.

Ajo gjithashtu kritikoi vendet që ndajnë vlerat amerikane dhe e inkurajuan Washingtonin të qëndrojë, por "nuk ishin të gatshëm të sfidojnë seriozisht status quo-në".

Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohe të gjatë se do të largohej nga Këshilli prej 47 anëtarëve me seli ne Gjenevë nëse ai nuk riorganizohet.

"Shikoni anëtarësinë e Këshillit dhe shihni një mosrespektim të tmerrshëm për të drejtat më themelore", tha ambasadorja Haley, duke vënë theksin te Venezuela, Kina, Kuba dhe Republika Demokratike e Kongos.

Nikki Haley tha gjithashtu se "përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit është një provë e qartë se Këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut".

Sekretari Pompeo tha se nuk kishte dyshim se Këshilli dikur kishte një "vizion fisnik".

Por "sot duhet të jemi të sinqertë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut", tha ai.

Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe nga Marrëveshja Bërthamore me Iranin.

Ajo pasoi edhe kritikat e shtuara ndaj Shteteve të Bashkuara për ndarjen e fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin me Meksikën.

Komisionari i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra'ad al-Hussein, i bëri thirrje të hënën Washingtonit t'i japë fund politikës “së paskrupullt”.

Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar administratën e presidentit Trump që nuk i ka bërë të drejtat e njeriut përparësi të politikës së jashtme

Ambasadorja Haley tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Këshilli "nuk është tërheqje nga përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut".

Dymbëdhjetë grupe të të drejtave të njeriut dhe të ndihmës, duke përfshirë edhe organizatat “Save the Children” dhe CARE, i shkruan sekretarit Pompeo duke paralajmëruar se tërheqja "do ta bëjë më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për viktimat e abuzimeve gjithandej nëpër botë".

Grupi hebraik i të drejtave të njeriut, qendra “Simon Wiesenthal”, mirëpriti tërheqjen amerikane dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Këshilli mblidhet tri herë në vit për t’i shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ai ka mandatuar hetues të pavarur për të shqyrtuar situatën në Siri, në Kore të Veriut, në Mianmar dhe në Sudanin Jugor. Rezolutat e tij nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por kanë peshë morale.

Kur Këshilli u krijua në vitin 2006 administrata e presidentit amerikan Xhorxh W. Bush e shmangu atë. Gjatë mandatit të presidentit Barack Obama Shtetet e Bashkuara u zgjodhën dy herë radhazi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në vitin 2016, pas një vit pushimi, Washingtoni u rizgjodh për mandatin e tij të tretë.

Nikki Haley tha një vit më parë se Uashingtoni po rishikon anëtarësinë e tij dhe bëri thirrje për reforma dhe eliminimin e një "subjektivizmi kronik ndaj Izraelit". Trupa ka një pikë të përhershme të rendit të ditës mbi shkeljet e dyshuara të kryera nga Izraeli në territoret e okupuara palestineze gjë të cilën Washingtoni donte që të hiqej.

Muajin e kaluar Këshilli votoi për t’i hetuar vrasjet në Gaza dhe e akuzoi Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Shtetet e Bashkuara dhe Australia ishin të vetmet që votuan kundër, raporton VOA.

OKB-ja dhe BE-ja, të zhgënjyera me tërheqjen e SHBA-së nga UNHCR-ja

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu keqardhje për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, raporton “Anadolu Agency”.

“Sekretari i përgjithshëm më shumë do të donte që SHBA-ja të mbetej në UNHCR. Organizata ka një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut", deklaroi zëdhënësi i OKB-së Stephane Dutarric në një reagim me shkrim.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Nikki Haley dhe sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shpalosën vendimin për tërheqjen e SHBA-së nga UNHCR-ja, të cilën SHBA-ja e akuzon për fushatë të pamëshirshme kundër Izraelit, aleatit strategjik të SHBA-së.

Tërheqjen e SHBA-së e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian, më saktë Departamenti i saj për Politikë të Jashtme (EEAS), i cili në kumtesën e lëshuar thekson se SHBA-ja çdoherë ka qenë në frontin e parë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe aleat i fuqishëm i BE-së.

"Ky vendim rrezikon rolin e SHBA-së si kampion në luftën për demokraci në skenën botërore", thonë nga EEAS-ja.

Po ashtu edhe lëvizja palestineze e rezistencës “Hamas” reagoi ndaj tërheqjes amerikane nga UNHCR-ja duke theksuar se edhe kjo është një dëshmi për izolimin gjithnjë e më të madh ndërkombëtar të SHBA-së.