Izraeli, Irani dhe SHBA mund të përfundojnë në një luftë mes tyre

Bota May 08, 2018 - 09:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Ndërsa po afrohet data 12 Maj – e përcaktuar nga presidenti Donald Trump për të marrë një vendim, nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen apo jo nga marrëveshja bërthamore e Iranit (JCPOA), edhe konfrontimi midis Izraelit dhe Iranit po arrin nivele shumë të rrezikshme.

Përshkallëzimi duket të jetë i nxitur nga llogaritjet e Izraelit, se një përballje e madhe ushtarake e tij me Iranin, do të kapërcente çdo fije ngurrimi të mbetur, që mund të ketë administrata amerikane për rrëzimin e marrëveshjes bërthamore.

Megjithatë, pavarësisht nga vendimi i presidentit Trump mbi JCPOA, kjo lojë mund të jetë tepër e rrezikshme.

Regjimi iranian, nëse vihet më shpatulla pas murit si pasojë e sulmeve të përsëritura ndaj synimeve iraniane në Siri, mund të nisë një sulm ndaj Izraelit pavarësisht nga pasojat.

Besueshmëria e Teheranit, po sulmohet gjithnjë e më shumë nga kundërshtarët e brendshëm, të cilët janë inkurajuar nga pritshmëria që Uashingtoni do të hedhë poshtë marrëveshjen bërthamore, duke e ekspozuar presidentin Ruhani dhe ministrin e Jashtëm, Zarif, ndaj ironive dhe talljeve, përcjell "Zeri.info". Teherani ka ndërkohë gjasa të braktisë grupimet e mbështetura prej saj në rajon si Hezollahu dhe milicisë irakiano-shiite, për të sulmuar objektivat izraelite dhe amerikane në rajon, pa bërë asnjë dallim midis të dyve.

Objektivat amerikane në Irak dhe Siri, janë shumë më të prekshme ndaj sulmeve të tilla, se sa pozicionet e fortifikuara izraelite brenda kufijve të saj. Prandaj, gjasat e dëmtimit të tyre do të jenë shumë më të mëdha.

Prezantimi dramatik i kryeministrit izraelit Netanjahu, i programit të armëve bërthamore iraniane, mund të jetë një kapitull i vjetër për ekspertët. Por ai kishte për qëllim të forconte vendosmërinë e Trump, për të dalë jashtë marrëveshjes bërthamore.

Në fakt, edhe pa një qasje në raportet e inteligjencës në dispozicion të Netanjahut, unë kisha parashikuar që në vitin viti 2011 se “është koha që liderët botërorë, të njohin pashmangshmërinë e Iranit për të fituar aftësi të armëve bërthamore, edhe nëse ajo mbetet e paprovuar”, transmeton "Zeri.info". Ishte JCPOA e nënshkruar më 2015, ajo qe pengoi një mundësi të tillë.

Sidoqoftë, deklarata e fundit e Netanjahut përsëriti faktet e njohura për programin bërthamor të Iranit, që kanë qenë të njohura prej kohësh për presidentin Trump dhe këshilltarët e tij më të afërt për këtë çështje:Sekretari i Shtetit Majk Pompeo, dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton.

Ndërkohë, aleatët evropianë të Amerikës, kanë nxjerrë pikërisht mësimin e kundërt nga zbulimet e Netanjahut. Ata i kanë bërë të qartë publikut, se po të mos kishte qenë për JCPOA, Irani do të nxitej të fitonte aftësinë e prodhimit të armëve bërthamore.

Për ta, JCPOA është çelësi i strategjisë për të parandaluar Iranin në këtë aspekt. Ndërsa evropianët, veçanërisht Franca, janë të gatshëm të luajnë me idenë e rinegociimit të marrëveshjes me Iranin për të mbajtur Trumpin brenda paktit, është i njohur gjerësisht fakti se qeveria iraniane kundërshton fuqishëm çdo skenar të tillë.

Klima politike në Iran, ka zvogëluar çdo hapësirë manovrimi që mund të ketë pasur dyshja Ruhani-Zarif mbi çështjen bërthamore. Retorika anti-iraniane e Trump, është faktori kryesor që minon besueshmërinë e administratës Ruhani brenda Iranit.

Çdo shfaqje e dobësisë nga qeveria iraniane në këtë fazë, do të shtojë kritikat ndaj vetes, dhe do ta kthejë Iranin në një regjim të pandryshuar të vijës së ashpër, që do ta bënte Ahmadinexhadin të duket si Mahatma Gandi.

Në këto kushte, Teheranit i mbeten dy opsione. I pari, është të vazhdojë me zbatimin e JCPOA, duke shpërfillur tërheqjen e SHBA-së, në kushtet kur Ministri i Jashtëm Zarif ka argumentuar se Uashingtoni nën presidentin Trump, nuk ka qenë në asnjë rast një palë serioze e marrëveshjes.

Kjo do të izolonte Shtetet e Bashkuara, dhe do të përçante aleancën perëndimore, nëse evropianët vazhdojnë të respektojnë angazhimet e tyre ndaj marrëveshjes.

Megjithatë, një tërheqje amerikane me siguri do ta dëmtonte rëndë paktin. Ekonomitë amerikane dhe evropiane janë aq të ndërthurura, saqë kërcënimet amerikane për sanksione kundër kompanive evropiane që kanë të bëjnë me Iranin, ka gjasa të trembin shumicën e subjekteve evropiane të interesuara për të bërë tregti me Iranin, përcjell "Zeri.info".

Dhe këtu fillon mundësia e dytë. Irani mund të vendosë të tërhiqet nga marrëveshja pas tërheqjes së SHBA-së, ta shpallë atë të pavlefshëm dhe t’i japë fund inspektimeve ndërkombëtare.

Do të qe jashtëzakonisht e vështirë për palët e tjera të JCPOA, që ta mbanin Iranin përgjegjës për prishjen e marrëveshjes dhe vendosur sanksione, nëse Teherani e hedh këtë hap në përgjigje të tërheqjes amerikane.

Këtu lind pyetja 1 milionë dollarëshe. A do të kufizohet Irani vetëm me tërheqjen nga marrëveshja bërthamore, apo do të përdorë tërheqjen amerikane si një justifikim, për të hedhur poshtë edhe Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT)?

Tërheqja nga NPT dhe gara për bombën atomie, ka të ngjarë të duket gjithnjë e më tërheqëse për elitën iraniane, në dritën e refuzimit të Shteteve të Bashkuara për t’i qëndruar JCPOA. Ekspertiza dhe njohuritë e Iranit mbi ciklin bërthamor, nuk ka gjasa të kenë humbur nga ngrirja së përkohshme e programit të pasurimit të uraniumit, sipas kushteve të marrëveshjes së fundit.

Dhe në çfarë pike na lë e gjitha kjo? Ekziston një shans i madh për një luftë të papritur ndëmjet Izraelit dhe Iranit, që me gjasë do të përfshijë edhe SHBA-në. Pavarësisht nëse kjo ndodh apo jo, ekziston një shans edhe më i madh për tërheqjen e Teheranit nga JCPOA dhe Traktati i Mospërhapjes (NPT), si rezultat i tërheqjes së Amerikës nga e para. Nëse kjo ndodh, atëherë do të përfaqësojë një shkallë të pashembullt të pasigurisë në politikën tashmë të paqëndrueshme të Lindjes së Mesme.

Shtetet e Bashkuara, do të duhet të angazhohen në një luftë të madhe – jo vetëm nga ajri, por edhe në terren – me Iranin, në një përpjekje për ta detyruar këtë të fundit të ndryshojë rrugë.

Kjo mund ta shndërrojë Iranin në një Vietnam dhe Afganistan të marrë së bashku për Shtetet e Bashkuara, që e zhysin Uashingtonin në një moçal nga i cili nuk dilet dot.

Nga ana tjetër, kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara të pranojnë realitetin e pakëndshëm të një Irani bërthamor, pasi kanë shpenzuar shumë energji për të kundërtën.

Një rezultat i tillë, ka të ngjarë të ketë pasoja shumë negative për besueshmërinë e SHBA-së midis aleatëve dhe kundërshtarëve. /ZËRI/